Skip navigation

LIGJ Nr.9904, datë 21.4.2008

 

PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8417, DATË 21.10.1998 “KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 83 pika 1 dhe 177 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e më shumë se një të pestës së anëtarëve të Kuvendit,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 

Në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

 

Neni 1

 

Neni 64 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 64

 

 1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumemërore.

 2. Zona zgjedhore shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo-territorial.

 3. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor proporcional, për caktimin e zonave zgjedhore dhe për numrin e mandateve për secilën zonë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.”.

 

Neni 2

 

Neni 65 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 65

 

1. Kuvendi zgjidhet çdo 4 vjet. Mandati i Kuvendit fillon me mbledhjen e parë të tij pas zgjedhjeve dhe përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt nga data e mbledhjes së parë. Në çdo rast, Kuvendi qëndron në detyrë deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të zgjedhur.

2. Zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit. Periudhat zgjedhore dhe rregullat për thirrjen e zgjedhjeve për Kuvendin përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

3. Në rast shpërndarjeje të Kuvendit para përfundimit të mandatit të plotë, zgjedhjet thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.

4. Kuvendi nuk mund të nxjerrë ligje gjatë periudhës 60 ditë para mbarimit të mandatit të tij deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri, me përjashtim të rasteve të vendosjes së masave të jashtëzakonshme.”.

 

Neni 3

 

Neni 67 ndryshohet si më poshtë:

 “Neni 67

 

1. Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati. Kur Kuvendi paraardhës është shpërndarë para mbarimit të mandatit, Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e ri jo më vonë se 10 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve.

2. Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi vetëmblidhet në ditën e dhjetë të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni.”.

 

Neni 4

 

Neni 68 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 68

 

 1. Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Renditja e kandidatëve për deputetë në listat shumemërore nuk mund të ndryshohet pas paraqitjes së listës në komisionin zgjedhor përkatës. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet.

2. Në ligjin për zgjedhjet përcaktohen edhe kritere dhe rregulla të tjera të nevojshme për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, duke përfshirë ato për regjistrimin e zgjedhësve, zhvillimin e fushatës zgjedhore, administrimin, vlefshmërinë e zgjedhjeve dhe shpalljen e rezultateve të tyre.”.

 

Neni 5

 

Neni 87 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 87

 

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin  e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short.

Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim  mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.”.

 

Neni 6

 

Në nenin 88 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pika 2 ndryshohet si më poshtë:

“2. Mandati përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.”.

b) Pas pikës 2 shtohet pika 2/1 me këtë përmbajtje:

“2/1. Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit.”.

 

Neni 7

 

Neni 104 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 104

 

 1. Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit.

 2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës.

Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105.

3. Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar tri ditë nga paraqitja e tij.”.

 

Neni 8

 

Neni 105 ndryshohet si më poshtë:

 

“Neni 105

 

1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.

2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një Kryeministër të ri.

3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i mocionit në Kuvend.”.

 

Neni 9

 

Në nenin 149 bëhen ndryshimet e mëposhtme:

a) Pika 1 ndryshohet si më poshtë:

“1. Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi.”.

b) Pika 4 ndryshohet si më poshtë:

“4. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit.”.

 

Neni 10

 

Pjesa e Dymbëdhjetë e Kushtetutës “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve” shfuqizohet.

 

Neni 11

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5700, datë 6.5.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

2 Comments

    • gene
    • Posted May 23, 2008 at 12:21 AM
    • Permalink
    SEANCË PLENARE 21.04.2008 SEANCË PLENARE (Drejton seancën Kryetarja e Kuvendit, zonja Jozefina Topalli) E hënë, datë 21.04.2008 Rendi i ditës: 1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 17.04.2008. 2. Miratimi i kalendarit trejavor të punimeve të Kuvendit. 3. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar”. (Në sallë ndodhet i ftuar Presidenti i Kroacisë, zoti Stipe Mesiç, i cili do të përshëndesë Kuvendin.) Jozefina Topalli – Të nderuar zotërinj deputetë, më lejoni t’i uroj mirëseardhjen Presidentit Stipe Mesiç. I nderuar zoti President Mesiç, Të nderuar shkëlqesi ambasadorë, Zonja dhe zotërinj parlamentarë, Për mua, për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe për të gjithë shqiptarët është nder dhe kënaqësi t’ju mirëpresim ju, zoti Mesiç, Presidentin e vendit tonë mik, Kroacisë, në sallën e seancave plenare, në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Ju, zoti President, vini në momente historike për të dyja vendet tona dhe për të gjithë rajonin. Së pari, shpallja e pavarësisë së Kosovës, një prej ngjarjeve më të mëdha rajonale në projektim të paqes dhe të stabilitetit, rruga e duhur për prosperitet afatgjatë. Së dyti, Samiti i Bukureshtit, ku emrat e Kroacisë dhe Shqipërisë u shqiptuan bashkë në fillim të këtij muaji për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Kjo ftesë shënohet si piketë domethënëse në perspektivën e vendeve tona, një hallkë e fortë në zhvillimin e zinxhirëve progresivë që vendos fatet e vendeve tona, por edhe të krejt rajonit në gjirin e vendeve të lirisë, duke u shkëputur nga një e kaluar e trazuar. Marrja e ftesës për anëtarësimin në “aleancën e madhe të lirisë” ishte një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e demokracisë në Shqipëri, një vlerësim për reformat e guximshme dhe kurajoze, për miratimin e të cilave ky Parlament ka pasur një rol qendror, por njëkohësisht edhe një kapitull i ri sfidash, të cilat ne jemi të vendosur t’i përballojmë me sukses. Duke u ndarë nga tranzicioni politik, tashmë Shqipëria ndodhet në një moment kyç të reformave të mëdha që përbëjnë bazën e shtetit ligjor modern, reforma që do të shkurtojnë dhe do ta bëjnë më të sigurt rrugën tonë pa kthim drejt anëtarësimit të plotë euroatlantik. Rajoni ynë ka nevojë për paqe dhe stabilitet, gjë që përbën edhe vizionin tonë. Së bashku ne mund t’ia arrijmë. Më lejoni, të nderuar pjesëmarrës, duke përfunduar, t’ia jap fjalën mikut të shtëpisë, Presidentit të Kroacisë, zotit Stipe Mesiç. Fjala e Presidentit Stipe Mesiç Zonja Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Zoti President i Republikës së Shqipërisë, Zonja e zotërinj deputetë, Të nderuar anëtarë të trupit diplomatik, Zonja e zotërinj, Është një nder e kënaqësi e madhe për mua që në kuadër të vizitës sime zyrtare në Republikën e Shqipërisë më jepet mundësia të flas para organit më të lartë përfaqësues të këtij vendi mik, Kuvendit të Shqipërisë. Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për të ndarë me ju mendimet e mia jo vetëm lidhur me marrëdhëniet midis dy vendeve tona, por, gjithashtu, edhe rreth gjendjes në rajon dhe më gjerë. Për sa u përket marrëdhënieve midis Kroacisë dhe Shqipërisë nuk ka nevojë të flasim gjerë e gjatë. Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të mira dhe po zhvillohen e përparojnë në drejtimin e duhur. I vetmi problem që mbetet, në qoftë se mund ta quajmë kështu, ka të bëjë me faktin që nuk po zhvillohen objektivisht me shpejtësinë e duhur dhe që nuk po shtrihen në atë shkallë që t’u përgjigjen mundësive objektive që ekzistojnë. Sidoqoftë, e rëndësishme është se të dyja palët janë të vetëdijshme për këtë gjë dhe, duke qenë se mes nesh ka një vullnet të qartë politik për të nxitur e çuar përpara marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin mes dy vendeve tona, unë shpreh bindjen se do t’i gjejmë rrugët dhe mënyrat për ta përshpejtuar këtë proces. Sigurisht, bashkëpunimi ynë nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet dypalëshe. Ai ka edhe një dimension rajonal dhe fakti që vendet tona morën ftesën për t’u anëtarësuar në NATO u shton këtyre marrëdhënieve edhe një dimension të ri dhe një fushë të re bashkëpunimi. Veç kësaj mbetet edhe orientimi i të dy vendeve tona drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim ne kemi ecur më përpara, ndaj dhe jemi kurdoherë të gatshëm të ndajmë me ju përvojën tonë, në mënyrë që të mos përsërisni gabimet tona dhe të shmangni ato pengesa që ngadalësuan përparimin tonë. Po flas para jush në një kohë kur rajoni ynë “nuk e ka gjetur ende veten” plotësisht, ndërkohë që kanë nisur të përvijohen gjithnjë e më qartë tiparet përfundimtare të një arkitekture të re marrëdhëniesh në Europën Juglindore. E megjithatë, ne vijojmë të ballafaqohemi me një sërë prirjesh që na shtyjnë në drejtim të kundërt me atë që është opsioni i vetëm premtues për të ardhmen e vendeve dhe të popujve të rajonit. Kam parasysh këtu veprimtarinë e atyre forcave politike të cilat e kanë shtyrë rajonin ose vende të veçanta të këtij rajoni, ndonëse ngandonjëherë për arsye dhe shkaqe krejtësisht të ndryshme, drejt izolacionizmit, çka, pashmangësisht, do të thotë edhe një radikalizëm antieuropian. Bindja ime e palëkundur është se përveç bashkëpunimit dhe rrugës europiane nuk ka alternativë tjetër. Kjo dhe vetëm kjo është e ardhmja, e ardhmja jonë e përbashkët, çka nuk do të thotë fshirje e tipareve specifike kombëtare ose heqje dorë prej identitetit kombëtar. Përkundrazi, do të thotë të jesh i bashkuar duke qenë ndryshe dhe përkundër ndryshimeve, bashkim ky i bazuar në disa ide dhe ideale kyç, që na afrojnë me njëri-tjetrin dhe i ndajmë bashkërisht. Më lejoni të përsëris diçka që e kam thënë këtu e gjashtë vjet të shkuara, po në këtë qytet, në takimin e vendeve pjesëmarrëse në Nismën e Bashkëpunimit të Europës Juglindore. Në atë kohë Kroacia mbante ende mbi supe hipotekën e një orientimi të gabuar në politikën e jashtme në vitet e kaluara dhe kishte ende statusin e vëzhguesit në rrugën për t’u bërë anëtare me të drejta të plota e kësaj Nisme. Kjo tregon rrugën e gjatë që kemi përshkuar brenda pak vitesh. Pra, atëherë kam thënë këto fjalë: “Të gjithë ne kemi shprehur angazhimin tonë për demokracinë. Sigurisht që ky nuk duhet të mbetet një angazhim vetëm me fjalë, por duhet të shndërrohet në një mënyrë të jetuari, çka nënkupton ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, ndjekjen e një politike të jashtme të bazuar mbi paqen dhe stabilitetin në rajon, në Europë dhe në botë.” Dëshiroj ta përqendroj vëmendjen tuaj sidomos në fjalinë e fundit. Fjalimi im atëherë bënte fjalë për një politikë të jashtme të bazuar në arritjen e paqes dhe të stabilitetit. Sot jetojmë në një kohë kur është përsëri e nevojshme ta rikujtojmë këtë gjë, si në kontekst të zhvillimeve pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ashtu edhe në lidhje me arsyet që shpunë në mosmarrjen e ftesës për në NATO të Maqedonisë. Mbyllja e syve para realitetit nuk të çon asgjëkund. Mospranimi i fakteve nuk zgjidh asgjë. Kosova është e pavarur dhe ky realitet, sado i dhimbshëm të jetë për ndokënd, duhet pranuar. Maqedonia dhe kombi maqedon janë gjithashtu një realitet dhe kurrkush të mos presë që maqedonët të heqin dorë nga identiteti kombëtar. Zgjidhja duhet kërkuar në ballafaqimin me realitetin, por edhe në gjetjen e kompromiseve, të cilat janë të nevojshëm për të ecur përpara. Ndaj dhe ne duhet të ecim përpara, domethënë të mos bëhemi robër ose pengje të së kaluarës dhe miteve të historisë. Lidhur me këtë dëshiroj të them edhe nja dy fjalë. Më duket sikur problemi themelor midis shteteve dhe popujve është se ne nuk e njohim njëri-tjetrin ashtu siç jemi në të vërtetë, sot e kësaj dite. Shpesh biem në kurthin e të këqyrurit të tjetrit përmes imazheve nga e kaluara. Kësisoj bëhemi viktima të paragjykimeve, të cilat jo rrallë kanë shoqëruar marrëdhëniet tona në të shkuarën për dhjetëvjeçarë dhe shekuj me radhë. Nga ky qerthull i magjepsur duhet dalë medoemos. Dhe dalja qëndron në njohjen e ndërsjellë – ashtu siç jemi, tani. Në qoftë se ia dalim mbanë kemi për të zbuluar se fqinji që e shohim gjithë dyshim e frikë nuk përbën kurrfarë kërcënimi. Atëherë do të kuptojmë se ai që gjendet matanë kufirit dhe nga i cili frikësohemi se mos na rrëmbejë ndonjë ngastër toke, ose nuk i ka shkuar ndër mend një gjë e tillë, ose ka hequr dorë prej kohësh. Në këtë kontekst shkon e përfton një domethënie të veçantë edhe anëtarësia jonë e ardhshme në Paktin e Atlantikut. Ne nuk po hyjmë në Pakt ngaqë jemi kundër dikujt ose ngaqë gjykojmë se dikush na kanoset seriozisht. Pakti i Atlantikut e ka tejkaluar me kohë dimensionin e vet ushtarak të luajtur në kohën e Luftës së Ftohtë dhe është në rrugën e duhur, sipas gjykimit tim, për t’u shndërruar në një mjet të fuqishëm të sigurisë kolektive dhe përparimit të vlerave të demokracisë, jo në një instrument të imponimit të një modeli të caktuar demokracie, cilido qoftë ai, por në një instrument për ruajtjen e demokracisë atje ku rrezikohet dhe promovimin e saj në mjedisin e vet. Në këtë kontekst lypset të sjell në mendje faktin se depolitizimi i forcave të armatosura është një prej parakushteve kyç për hyrjen në NATO. Në bazë të përvojave tona historike, si ju ashtu edhe ne e dimë se sa e nevojshme është kjo gjë. Dëshiroj t’i kthehem sërish nevojës për një njohje më të mirë të ndërsjellë. Është e domosdoshme, po e përsëris, të shkundim nga vetja paragjykimet dhe të mos mbetemi robër të imazheve të së kaluarës historike. Çelësi i bashkëpunimit mes nesh është në të ballafaquarit ashtu siç jemi sot dhe në të gjeturit e platformës së bashkëpunimit të suksesshëm për të ndërtuar të ardhmen e përbashkët europiane. Këtu nuk hasim probleme në nivelet e udhëheqjes, por ngandonjëherë – le ta themi hapur – në nivele më të ulëta. Ndaj, për këtë arsye, nuk mjafton të konstatojmë dhe të themi se kufijtë mes nesh do të bëhen të kalueshëm kur të hyjmë në Bashkimin Europian, por thjesht e shkoqur lypset të gjejmë mënyrën më të mirë dhe me sa më pak pengesa të komunikojmë edhe sot, kur ende nuk jemi anëtarë të BE-së. Unë këmbëngul që kjo nuk është e pamundur. Rrugës së integrimit në BE, pak rëndësi ka se kush është më parë dhe kush është më pas, ne të gjithë po ballafaqohemi me disa detyra që s’mund të anashkalohen. Edhe për këtë kam folur në Tiranë para gjashtë vjetësh, ndaj, më lejoni të përsëris atë ç’kam thënë atëherë: “Dëshiroj të saktësoj se demokracia, domethënë shkalla e zhvillimit të saj, nuk mund të vlerësohet vetëm dhe ekskluzivisht nisur nga numri i zgjedhjeve të zhvilluara. Ky është një tregues i rëndësishëm, por kurrsesi i vetmi. Në qoftë se do të flisnim për rendin e përparësive, po kaq e rëndësishme, në mos edhe më e rëndësishme, është lufta kundër korrupsionit, kundër zbatimit selektiv të ligjit, kundër keqpërdorimit të medias, e cila, nëse nuk i japim vendin që i takon ashtu si në demokracitë e zhvilluara, ka rrezik të kthehet në armë vdekjeprurëse në duart e atyre që demokracinë dëshirojnë ta zëvendësojnë me autokracinë.” Ne (dhe këtu e kam fjalën për Shqipërinë e Kroacinë) jemi duke e ndërtuar të ardhmen tonë europiane në rajon dhe nëpërmjet bashkëpunimit rajonal. Ka pasur te ne edhe nga ata që kanë jetuar me bindjen e gabuar se rrugës për në Europë rajoni edhe mund të anashkalohet. Po kjo gjë as mundet, as duhet menduar. Edhe njëherë dua të kujtoj këtu atë ç’kam thënë në Tiranë në vitin 2002: “Ndërmjet bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në Bashkimin Europian nuk ka kurrfarë kontradikte. Përkundrazi, bashkëpunimi rajonal, respektivisht, aftësia për realizimin dhe zhvillimin e tij, është njëri prej kushteve për vlerësimin e shkallës së pjekurisë së vendeve të rajonit për hyrjen në Europën e bashkuar”. Tash do t’ju shpjegoj se përse iu ktheva disa herë dhe rikujtova ato ç’kam thënë para gjashtë vitesh këtu në Tiranë. Me këtë desha t’ju tregoj se ne në politikën tonë të jashtme kemi qenë konsekuentë, se me vendosmëri kemi shtruar udhën, prej së cilës nuk duhet dalë, pavarësisht nga fakti se cila parti është në pushtet. Dhe, së fundi, dua të konfirmoj se Republika e Kroacisë është një partner dhe mik, tek e cila mund të mbështeteni. Marrëdhëniet e mira dhe miqësore me Republikën e Shqipërisë janë pjesë e pandarë e konceptit rajonal, por edhe europian, të politikës së jashtme kroate. Për ne këto marrëdhënie duan të thonë shumë, ndaj dhe do të punojmë për përparimin e tyre. Në këtë kontekst, dua të them në mbyllje të fjalës sime se ekziston një fushë e gjerë bashkëpunimi mes nesh edhe në rrafshin shumëpalësh. Veçanërisht në suazë të Kombeve të Bashkuara mund të bashkëpunojmë në hartimin e platformës së ballafaqimit me problemet globale të së sotmes, por druaj se edhe të së nesërmes, që janë: mungesa e zhvillimit, terrorizmi, ngrohja globale dhe krizat rajonale. Ndokush mund të mendojë se këto probleme nuk kanë të bëjnë me ne, nuk na prekin. Po ajo që nuk ka ndodhur sot, nuk do të thotë se nuk ka për të ndodhur nesër, madje në ndonjë rast është më se e sigurt. Bota e sotme është e globalizuar dhe e ndërvarur më shumë se kurrë më parë. Në botën e madhe dy vendet tona janë lojtarë të vegjël, por edhe të vegjlit kanë përgjegjësitë e tyre, edhe të vegjlit kanë detyrime ndaj brezave që do të vijnë. Ndaj, le të bëhemi të vetëdijshëm dhe të sillemi në përputhje me këtë vetëdije e përgjegjësi për të nesërmen tonë, të fqinjëve tanë, të rajonit tonë, të Europës dhe të botës mbarë! Falemnderit për vëmendjen! (Duartrokitje në sallë) Jozefina Topalli – Më lejoni, zotërinj deputetë, të falënderoj zotin Mesiç për fjalën e tij, për adresimin që përmes Kuvendit të Shqipërisë u bëri të gjithë shqiptarëve, për kontributin e tij si një politikan me jetë të gjatë politike dhe me një kontribut konkret për paqen në rajon, si një europianist i vërtetë. I uroj edhe vendit të tij suksese të mëtejshme! Më lejoni ta shoqëroj zotin Mesiç! Falemnderit! (Seanca ndërpritet.) Jozefina Topalli – Hapim seancën. Të hyjnë mediat. (Pasi lexon rendin e ditës.) Kush është dakord me procesverbalin e seancës plenare të datës 17.04.2008? Falemnderit! S’ka vërejtje. Miratohet procesverbali. Hapim votimin për prezencën. Mbyllet votimi. 137 deputetë janë të pranishëm. Hapim votimin për miratimin e kalendarit trejavor të punimeve të Kuvendit. Mbyllim votimin. 113 pro, 11 kundër, 6 abstenime. Kuvendi miraton kalendarin. Pika e tretë e rendit të ditës: Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar”. Urdhëroni, zoti Braho! Spartak Braho – Përveç problemit që ky ligj është futur në kundërshtim me Rregulloren, nenin 97, pasi duhen dy javë, unë do t’ju vë në dukje, zonja Kryetare, që përsëri vazhdoni me shkelje të rënda të Rregullores së Kuvendit. Tani sapo na është shpërndarë mbi tavolinë një draft i ri, ku është vënë për shqyrtim neni 67 i Kushtetutës, nen i cili s’ka qenë bërë fare objekt i Komisionit të Ligjeve. Nuk e di se ku e gjeni këtë të drejtë. Duhet të mblidhet Komisioni i Ligjeve që ta shqyrtojë. Jozefina Topalli – Falemnderit! Urdhëroni, zoti Beja! Fatos Beja – Falemnderit, zonja Kryetare! Unë gjykoj që është mirë të lexojmë raportin e komisionit, që të mos ketë më keqkuptime dhe keqinterpretime, siç ndodhi në këtë sekondë. Jozefina Topalli – Dakord. Zoti Beja do të lexojë raportin. Fatos Beja – Zonja dhe zotërinj deputetë, Zonja Kryetare, Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe i të Drejtave të Njeriut, në mbledhjen e datave 7, 9, 14, 16 dhe 18 prill 2008, në cilësinë e komisionit përgjegjës, mori në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar”, nismë e më shumë se 1/5 e deputetëve të Kuvendit në datën 17 mars 2008. Komisioni i Ligjeve, në mbledhjen e datës 7 prill, përcaktoi procedurën për shqyrtimin e amendamenteve të propozuara për ndryshimin e Kushtetutës nga Grupi Parlamentar i PS-së. U caktuan dy relatorë, zonja Trashani dhe zoti Xhafaj, respektivisht nga grupet parlamentare të PS-së dhe PD-së. Amendamentet e propozuara nga Grupi Parlamentar i PS-së, të firmosura nga më shumë se 1/5 e deputetëve, kishin në fokus të tyre ndryshimin e modelit të sistemit zgjedhor të përcaktuar në Kushtetutë. Kështu nga sistemi i përzier maxhoritar-proporcional, që parashikon Kushtetuta aktuale, propozohet sistemi proporcional me zona zgjedhore shumemërore. Në mbledhjen e datës 9 prill, në Komisionin e Ligjeve u zhvillua diskutimi në parim i projektamendamenteve të Kushtetutës. Relatorët e caktuar nga komisioni bënë komentet e tyre rreth amendamenteve të propozuara dhe mbi bazën e konsultimeve paraprake paraqitën disa propozime të reja në komision. Gjatë diskutimit në parim të amendamenteve të Kushtetutës morën pjesë në mbledhjen e komisionit edhe përfaqësues nga partitë e tjera parlamentare, si deputetët Ceka, Starova, Shpani, Gjini etj., të cilët shprehën opinionet e tyre në lidhje me amendimin e sistemit zgjedhor në Kushtetutë. Gjithashtu, anëtari i komisionit, zoti Braho, depozitoi një amendament për nenin 64 të Kushtetutës. Në mbledhjen e datës 14 prill, Komisioni i Ligjeve vijoi me shqyrtimin nen për nen të amendamenteve të paraqitura tashmë nga deputetët e të dyja grupeve parlamentare. Relatorja Trashani, në emër të grupit të deputetëve të PD-së, deklaroi heqjen dorë nga propozimi për amendimin e nenit 93 të Kushtetutës, që kishte të bënte me kundërfirmimin e dekreteve të Presidentit. Komisioni miratoi nenet e riformuluara nga të dy relatorët, si dhe propozimin për shfuqizimin e pjesës së 12-të të Kushtetutës. Në mbledhjen e datës 16 prill, Komisioni i Ligjeve vijoi me shqyrtimin e neneve të tjera të propozuara nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së. Diskutimi në komision u zhvillua mbi bazën e një teksti të integruar me propozimet e të dyja palëve, të cilat u formalizuan me firmat e më shumë se 1/5 së deputetëve. Projektligji i integruar shoqërohet nga një relacion shpjegues, i cili jep argumentet juridike për domosdoshmërinë e amendamenteve të propozuara. Përveç komenteve për sistemin zgjedhor, relacioni sqaron edhe propozimet e reja për procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, me qëllim shmangien e krizave politike dhe institucionale të panevojshme, të cilat do të çonin në zgjedhje të parakohshme. Gjithashtu, propozimet për ndryshimin e neneve 104 dhe 105 të Kushtetutës, që kanë të bëjnë me mocionin e besimit të Kryeministrit të vendit dhe me mocionin e mosbesimit të paraqitur nga 1/5 e deputetëve, synojnë shmangien e krizave institucionale, që vijnë si rezultat i presioneve politike të koalicioneve qeverisëse, dhe rritjen e stabilizimit të qeverisjes së vendit. Duke përcaktuar një mandat kohor për Prokurorin e Përgjithshëm, propozuesit synojnë të sjellin edhe këtë institucion në të njëjtën linjë me të gjitha institucionet e tjera kushtetuese të cilat kanë mandate të përcaktuara. Komisioni diskutoi dhe votoi në datën 14 prill nenet 1, 6, 9, 10 dhe 11 të projektligjit. Relatorët u ngarkuan të saktësojnë formulimin e neneve të tjera mbi bazën e sugjerimeve që u bënë në komision. Në këtë mbledhje deputeti Braho depozitoi një amendament tjetër në lidhje me nenet 87 dhe 149 të Kushtetutës. Në mbledhjen e datës 18 prill, anëtarët e Komisionit të Ligjeve rimorën në shqyrtim vetëm nenet për të cilat kishin punuar relatorët, konkretisht nenet 2, 3, 4, 5, 7 dhe 8 të projektligjit. Në këtë mbledhje, në lidhje me nenin 5 të projektligjit, që ndryshon nenin 87 të Kushtetutës për procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, një grup prej më shumë se 1/5 e deputetëve të Kuvendit depozituan në komision një amendament për ndryshimin e këtij neni, i cili kishte në thelb të tij zgjedhjen e Presidentit nga populli. Pas votimit në komision, amendamenti, me 13 vota kundër dhe 5 pro, nuk u miratua nga Komisioni i Ligjeve. Komisioni, me 13 vota pro dhe 5 kundër, miratoi amendamentin e paraqitur në tekstin integral të projektligjit, sipas propozimit të dy relatorëve. Në përfundim të shqyrtimit të projektligjit, me votimin në tërësi me 16 vota pro dhe 2 kundër, Komisioni i Ligjeve u shpreh dakord që ky projektligj të kalojë për miratim në seancë plenare. Drafti përfundimtar i integruar, i miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe i mbështetur për çdo nen me firmë të mbi 28 deputetëve, nga ana formalo-juridike është në përputhje me Kushtetutën, nenin 177. Komisioni i Ligjeve ka respektuar të gjitha procedurat e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit, sipas krerëve V dhe VI të saj. Dispozitat e projektligjit, që i paraqiten seancës plenare për miratim me shumicën e cilësuar prej 2/3 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, janë firmuar nga më shumë se 1/5 e të gjithë deputetëve. Zotërinj deputetë, ky ishte raporti i komisionit. Bashkëngjitur këtij raporti vini atë tekst integral që është shpërndarë në Kuvend, i cili është tërësisht në përputhje me vendimet që janë marrë në komision, në ato data për të cilat fola më lart. Neni, për të cilin foli zoti Braho, është miratuar në komision. Diskutimin dhe votimin mund t’i gjeni te procesverbalet. Zoti Braho t’i shikojë, po të dojë. Jozefina Topalli – Zoti Bejtaj. Engjëll Bejtaj – Falemnderit, zonja Kryetare! Në vijim të diskutimit që kam bërë sot në Konferencën e Kryetarëve, do të thosha që propozimet për ndryshime në Kushtetutë, si projektligj, kanë defekte të karakterit procedural. Së pari, që një projektligj i zakonshëm të vijë për t’u votuar këtu në Parlament, minimalisht duhet të qëndrojë dy javë për diskutim në komisione, derisa të maturohet për të ardhur këtu. Mendo pastaj sesi duhet të trajtohet një projektligj, ku bëhet fjalë për ndryshim të Kushtetutës. Këtë e kam vënë në dukje dhe sipas opinionit tim propozimi i Grupit Socialist, për ndryshimet në Kushtetutë që lidhen me reformën zgjedhore, e plotëson afatin e kërkuar për t’u votuar, ndërsa propozimet e tjera, të cilat i janë bashkëngjitur këtij propozimi, ende nuk janë maturuar. Këtë jua thashë dhe e përsëris edhe një herë për dijeninë e të gjithë deputetëve. Nga ana tjetër, pas daljes nga Konferenca e Kryetarëve kam kërkuar të marr një kopje të draftit përfundimtar me ndryshimet e propozuara, por nuk kam pasur mundësi ta marr, pasi nuk ishte gati. Sipas Rregullores, ai draft duhet të ishte gati jo më vonë se 3 ditë. Pra, 3 ditë përpara seancës plenare që do t’i votonte ato ndryshime, drafti duhet të ishte në dorë të deputetëve. Për këtë kam dëshmitarë edhe punonjësit e drejtorisë që përgatitin seancat plenare që unë nuk kam pasur mundësi ta marr. Jam i bindur që nuk është përgjegjësi e tyre, pasi ata bëjnë vetëm anën praktike të shpërndarjes, por ka qenë çështje e formulimeve, midis të tjerave edhe e asaj që ngriti zoti Braho. Unë ju bëj thirrje që minimalisht për Kushtetutën, për ndryshimet e saj të respektohen afatet që parashikon Rregullorja. Nuk ndodh asgjë nëse respektohet Rregullorja, sepse është e tepërt, të paktën për këtë seancë, të them se ndryshimet e Kushtetutës duhet të kishin kaluar nëpërmjet një procedure krejt ndryshe, në respekt të këtij dokumenti dhe të paktën të jepnin mesazhin që kjo Kushtetutë këtej e tutje nuk do të shkelet siç është shkelur deri më sot. Jozefina Topalli – Falemnderit, zoti Bejtaj! Zoti Legisi e ka fjalën. Ndre Legisi – Zonja Kryetare, Të nderuar deputetë, Të gjithë jemi në dijeni të një amendamenti të depozituar për ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës nga një grup deputetësh. Këtë e kanë dhënë të gjitha mediat dhe është diskutuar edhe në Komisionin e Ligjeve, por nuk është këtu në Kuvend. Në Komisionin e Ligjeve është vendosur që të dyja variantet të kalojnë në Parlament. Unë e kam materialin dhe nuk e kuptoj se me çfarë të drejte është hequr si amendament për të konkurruar. Është në dijeni i gjithë opinioni publik që ka pasur një grup deputetësh që kanë mbrojtur amendamentin për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Falemnderit! Jozefina Topalli – Falemnderit, zoti Legisi! Zoti Shehu e ka fjalën. Sali Shehu – Falemnderit! Të nderuar kolegë, Me korrektësi kryetari i Komisionit të Ligjeve bëri prezent se në Komisionin e Ligjeve është depozituar një nismë e më shumë se 1/5 e deputetëve të Kuvendit, e cila është në formën e një amendamenti konkurrues me amendamentin që është paraqitur për nenin 87. Unë mund t’ju them se, megjithëse është e vërtetë që Komisioni i Ligjeve e ka votuar me 13 vota kundër dhe 5 pro, neni 177 i Kushtetutës, pika 1 thotë: “Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se 1/5 së anëtarëve të Kuvendit”. Komisioni i Ligjeve nuk ka fuqi ta ndalojë këtë nismë. Falemnderit! Jozefina Topalli – Falemnderit! Zoti Ngjela e ka fjalën. Spartak Ngjela – Zonja Kryetare, Me keqardhje dua t’ju paralajmëroj se kjo mënyrë procedurale për ndryshimin e Kushtetutës është krim penal. Kush e merr përsipër le ta marrë. Shkelja e procedurave për miratimin e Kushtetutës dhe prekja e saj në mënyrë arbitrare sot ka në proces penal Presidentin e Turqisë, Kryeministrin e Turqisë dhe të gjithë parlamentarët që e kanë ndërmarrë. Ju lutem, nuk ka nevojë për ilaritet, por jam i detyruar t’ju njoftoj se Kushtetuta dhe platformat mafioze kanë procedura të ngadalta. Procedurë kaq të shpejtë prej cubash të Kushtetutës, vetëm ata që e kanë shkelur penalisht bëjnë. Po të jeni aq të fortë vendoseni, vetëm se duhet të dini një gjë: duhet të shkoni me shpresën që në Shqipëri nuk do të vendoset kurrë ligji. Për sa i përket nismës, ku kam firmuar edhe vetë, jeni të detyruar të na e sillni në sallë. Jozefina Topalli – Falemnderit! Zoti Ceka e ka fjalën. Neritan Ceka – Zonja Kryetare, besoj se do të jepni përgjigje dhe mos kërkoni më diskutime. Nisma e 28 parlamentarëve duhet të jetë këtu. Çdo vazhdim i seancës është pa kuptim. Ju lutem, ndërprisni seancën, të vijë amendamenti, siç është propozuar nga deputetët, që të mund të vazhdojmë seancën. Jozefina Topalli – Zoti Koçi. Petro Koçi – Zonja drejtuese e seancës, Të nderuar kolegë, Kjo seancë nuk më duket si seancë e rregullt parlamentare, ku ndërmerret një hap shumë i rëndësishëm, por si një seancë funerali. Unë dua të jepni përgjigje lidhur me faktin, nëse do të ketë debat për ndryshimet kushtetuese apo jo, sepse ne nuk po shqyrtojmë një ligj mbi gardianin e Kryeministrit, ne po shqyrtojmë një ligj për kartën themelore të shtetit. Kjo është karta që garanton jetën e gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Jozefina Topalli – Falemnderit! Në Konferencën e Kryetarëve është vendosur që grupet e vogla të flasin 10 minuta, megjithatë këtu do të flitet për Kushtetutën dhe unë do t’u jap mundësi deputetëve të shprehen. Ka diskutime? Zoti Ngjela e ka fjalën. Spartak Ngjela – Të nderuar kolegë, Zonja Kryetare, Më lejoni t’ju jap kurajë se keni një seancë të vështirë sot në sensin historik. Zotërinj, përpara disa ditësh në këtë Parlament kam shprehur gjykimin tim, të cilin dua ta përsëris. Një Parlament që nuk është në gjendje të interpretojë vullnetin e popullit të vet, nuk ka karakter demokratik në vetvete. Do ta them sa herë që të shkelen normat e Kushtetutës. E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Me keqardhje konstatoj, të nderuar kolegë, se në këtë Parlament nuk përfillet fare vullneti i popullit. Provë më të madhe se kjo, që një Kushtetutë të kalojë në hije, pa asnjë analizë, pa asnjë komision ekspertësh dhe pa bërë fare asnjë analizë për aplikimin e saj disavjeçar, për të mos thënë 9-vjeçar, nuk ka. Të gjitha këto të japin të kuptosh se jemi përballë një agresioni të madh kundër lirisë. Në lidhje me këtë më lejoni, zotërinj të nderuar, të shpjegoj se cilat mund të jenë pyetjet brenda të cilave mund të përmblidhet diskutimi parlamentar në lidhje me amendamentet kushtetuese që janë paraqitur ndërkaq: 1. Si paraqitet aplikimi i Kushtetutës në nëntë vitet e funksionimit të saj? A ka ndonjë ekspertizë për të ? 2. Pse duhet ndryshuar neni 87 i Kushtetutës, që parashikon modalitetet e zgjedhjes së Presidentit, në një kohë që Presidenti ka edhe një afat 4-vjeçar, pra kemi minimumi tre vjet për të biseduar apo diskutuar për një dispozitë të tillë? 3. A kemi një studim nga autoritetet kushtetuese në lidhje me ndonjë kontradiksion që mund të jetë konstatuar për çështjen e Presidentit dhe zgjedhjen e tij? 4. A ka koncepsion ky Parlament dhe a mendon se cila ka qenë arsyeja pse Presidenti duhej të zgjidhej me tri të pestat, si argument që është dhënë në përpilimin dhe miratimin e kësaj Kushtetute? 5. Si ka mundësi që dy nene kushtetuese, që nuk janë zbatuar asnjëherë në këta nëntë vjet, përkatësisht nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës, që flasin për mocionin e besimit dhe mosbesimit, të reduktohen derisa të mos gjejnë më zbatim në ecurinë politike dhe demokracinë në vijim? Para se t’u përgjigjem këtyre pyetjeve, të cilat do të përbëjnë një analizë timen konstitucionale dhe politike njëherësh për këtë çështje, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj dy ngjarje tiranike, që i kanë ndodhur botës shqiptare dhe shtetit shqiptar në këta 50 vjet pas gjëmës komuniste, e cila, natyrisht që është konstante. Zotërinj, heqja e autonomisë së Kosovës nga parlamenti kukull i Kuvendit të Kosovës dhe referendumi i Kushtetutës i vitit 1994, që nuk u lejua të kalonte në këtë Parlament, sepse Kushtetuta do të rrëzohej, janë dy pika të errëta që historia jonë kombëtare do t’i njollosë si tiranike. Amendamentet kushtetuese, të paraqitura për diskutim në këtë seancë, përbëjnë pikën e tretë të errët, në rast se do të miratohen nga ky Kuvend. Diktaturat dhe tiranët, tiranët si rregull, kanë gjetur mbështetjen për diktatorë dhe tiranë te dy tipa parlamentarësh: të korruptuarit dhe të tremburit. Nuk dua të bëj analiza, gjejeni vetë veten ku ndodheni. Koha do të tregojë qartë atë që thashë. Më lejoni t’u përgjigjem pyetjeve për analizën time konstitucionale. E para, që është më e rëndësishmja (se është paraqitur edhe një amendament me tridhjetë firma që nuk kalon në sallë. Guxoni të mos e kaloni!), si paraqitet aplikimi i Kushtetutës në nëntë vitet e funksionimit të saj? Nuk kemi asnjë analizë korrekte dhe asgjë nuk thuhet në relacion për këtë çështje. Kushtetuta ka pasur shumë kontradiksione, ka pasur konflikte të brendshme deri atje sa mund të na çonin në përplasje të mëdha. Por asnjë nga këto nene nuk ka qenë problem. Megjithatë, më gjeni platformën e kriticizmit ku mbështetet hartimi i amendamenteve që kemi para. E dyta, pse duhet të ndryshohet neni 87 i Kushtetutës, që parashikon modalitetet e zgjedhjes së Presidentit? Zotërinj, jua them unë se pse. Nuk kam fakte, por kam thirrur në ndihmë dy njerëz të mëdhenj për të dhënë konkluzionin tim: Aristotelin për silogjizmin e tij dhe Bertrand Rasëllin për inferencën e tij. Më lejoni të arsyetoj logjikisht. Ç’është kjo ngutje kur kemi ende edhe katër vjet për të diskutuar për procedurën e zgjedhjes së Presidentit? Jua them unë pse. Sepse kërkohet të rrëzohet Presidenti aktual. Ju do të pyesni: pse? Kërkohet të rrëzohet Presidenti aktual sepse vjedhjet, Gërdeci, shumë gjëra, kërkojnë bunker presidencial. Nuk do t’i gjejnë dot. Le ta rrëzojnë Presidentin po të duan. Do ta shikoni se si do të vijë procedura. Sepse përsëri silogjizmat dhe logjikat moderne na thonë se pse nuk prisni tre vjet. Madje nuk prisni dot as tri ditë. Ç’është kjo ngutje, zotërinj? Mos keni bërë pazare? Jua them më poshtë se cilat janë pazaret. Prapë me logjikë. Mua më ka dalë logjika e Aristotelit, do ta dëgjoni që do të më dalë edhe kjo. E treta, a e koncepton dot ky Parlament se cila ka qenë arsyeja pse Presidenti duhej të zgjidhej me tri të pestat? Jua them unë: sepse s’kemi senat. Sepse po të kishte senat, do të kishim konsensus permanent. Sepse këtu palët nuk pranuan të kishte senat. Atëherë ne nxorëm një President të fortë. Gaboheni që mendoni se kemi President të dobët. Kemi një President shumë të fortë, që është më i fortë nga të tërë ata që keni shkruar në atë letër dhe ku mendoni se mund t’i imitoni. Dhe e kemi të fortë Presidentin sepse nuk shkarkohet dot. Akuza kundër tij duhet të bëhet në Gjykatën Kushtetuese. E kemi të fortë Presidentin, sepse ai ka në dorë gjithë pushtetin gjyqësor, sepse ia kemi dhënë me koshiencë edhe prokurorinë, në kontrollin e saj dhe në emërimet. Pse? Se nuk kemi senat. Atëherë, pse duheshin tri të pestat? Që ky President të mos dilte politik, por me konsensus. Tani duan ta bëjnë politik, me 70 plus 1. Pra, që këto kompetenca t’i ketë një njeri, i cili nuk ka arritur konsensusin. Ndërsa këtu ka një amendament që ia kërkon popullit, kështu ka qenë diskutimi, ose me tri të pestat dhe në zgjedhje, ose direkt te populli. Pse trembeni nga populli dhe keni hequr amendamentin? Turp! Ç’është ky Parlament që trembet nga populli i tij? Ç’është kjo? Kjo është një gjëmë. Unë nuk di pse e duroni! Si mund të hiqet amendamenti kushtetues që i drejtohet popullit për zgjedhjen e Presidentit? Dhe s’e kanë fajin ata që e kanë nënshkruar, por ata që nuk presin tre vjet të diskutojnë një nen, por na e bien sot. Pse? Sepse duan të bëjnë pazare për nene të tjera, për të cilët kanë interesa me njëri-tjetrin. Mos vallë Kushtetuta është monedhë tregu? Ajo është vullneti i popullit dhe nuk duhet cenuar. Është kontrata shoqërore e shqiptarëve dhe konstitucionalizmi, që ju e përmendni shpesh këtu, jua shpjegoj qartë se ç’është: është mbrojtja e interesave të pakicës, deri tek individi. Maxhoranca ka mbrojtje demokracinë, minoranca ka mbrojtje konstitucionalizmin, dhe këtu po goditet minoranca. Dhe e fundit, si ka mundësi që dy nene, që nuk janë aplikuar asnjëherë, nenet 104 dhe 105 për mocion mosbesimi, të ndryshojnë? Gjejeni vetë përgjigjen! Unë nuk mund ta gjej derisa bien kambanat e mungesës së kohës. Falemnderit! Jozefina Topalli – Falemnderit, zoti Ngjela! Zoti Ceka. Neritan Ceka – Të nderuar kolegë, Fjala ime do të jetë e shkurtër, sepse shumë pika u prekën nga zoti Ngjela, me të cilin ndaj po ato mendime. Besoj se dita e sotme është një reflektim jo vetëm në këtë sallë, por edhe për tërë qytetarët që na ndjekin. Është me gjithë mend një përfaqësim i mendimeve, i nevojave që kanë ata që na kanë sjellë në këtë sallë. Mendoj se mënyra sesi po veprojmë, procedurat, janë larg asaj që presin zgjedhësit tanë. Demokracia, në radhë të parë, është procedurë. I njëjti vendim, i marrë me shpejtësi, diskreditohet dhe nuk bëhet demokratik; po ai vendim, i marrë me procedura të rregullta, fiton legjitimitetin demokratik. Sot jemi në nxitim. Do të thosha që sot do të ishte mirë të merrnim edhe një vendim tjetër, të shkruanim në hyrjen e këtij Parlamenti: “ Nxito me ngadalë”. Pra, në punën tonë nuk do të rrimë në vend, por edhe për të nxituar në këtë mënyrë nuk mund ta bëjmë. Natyrisht, procedurat (nuk ka nevojë të argumentoj edhe një herë atë që është thënë, në media është konstatuar që këtu procedurat nuk janë respektuar), të krijuara nga vetë ndërtimi i Kushtetutës, pasi ka kaluar një vit diskutime, janë ftuar edhe faktorët e interesit, është ftuar edhe Komisioni i Venecias, që është partner, bashkautor i kësaj Kushtetute, duhej patjetër që të kishin kohën e nevojshme për diskutim. Unë nuk e kuptoj pse nuk e kemi bërë këtë. E dyta, më bën përshtypje mungesa e profesionalizmit. Për disa propozime që hidhen duhej të ishin përjashtuar disa deputetë nga kjo sallë. Besoj se ai deputet, që ka propozuar që të kundërfirmosen dekretet e Presidentit, duhet të ikë nga kjo sallë, sepse kjo është një gafë që do të linte në klasë edhe studentin e vitit të dytë. Në vitin e parë mbase do ta kalonin për mëshirë. Mendoj se këtu janë parashikuar disa situata virtuale. E tha edhe zoti Ngjela, ne nuk kemi pasur as mocione mosbesimi, as votëbesimi, s’kemi pasur kurrë zgjedhje të parakohshme, të provokuara nga ky Parlament dhe unë nuk e di pse ne duhet të mblidhemi sot, të hyjmë në sherr me njëri-tjetrin, për të miratuar një gjë që s’ka ngjarë dhe ka shumë pak gjasa të ngjajë. Kjo është një Kushtetutë shumë e mirë, mund t’jua them nga përvoja ime, është e balancuar, është ndërtuar mbi parimin demokratik “kontrollo dhe balanco”, një parim amerikan. Pra, çdo prekje në një pikë të institucioneve, reflektohet negativisht në balancën ose kontrollin. Besoj se ky është dëmi më i madh që do të bëjmë nëse do ta prekim Kushtetutën me mënyrën që po bëhet, me duar të pastërvitura. Nuk po flas për një situatë kur do të na qeshin nesër. Thuhet se mocioni i mosbesimit paraqitet vetëm atëherë kur kemi gati kryeministrin e ri, votohet edhe kryeministri që është në detyrë dhe pastaj ky mund të ikë dhe vjen i riu. Por unë po ju pyes: ja, i siguroi 71 vota ky grup dhe e zgjodhi kryeministrin e ri me një procedurë që nuk figuron në Kushtetutë (Kushtetuta e ka të saktësuar mënyrën sesi zgjidhet kryeministri, por e zëmë se e bëmë dhe kryeministri i vjetër, ai që pret të largohet, siç ndodh këtu, blen një deputet, mund të blejë edhe dy, edhe tre), si do ta zgjidhim këtë situatë, e keni parashikuar? Do të kemi dy kryeministra? Dhe këtë situatë qesharake do ta ketë vetëm Shqipëria. E kemi virtuale, e di që s’ka për të ndodhur. Unë po ju them edhe një gjë: kam qenë vazhdimisht i angazhuar në kohën që është bërë Kushtetuta dhe e di se sa nene janë bërë me qëllim që të mos na ndodhë ndonjë e papritur, duke pasur parasysh Kryeministrin e sotëm Berisha. E zëmë se Berisha do të jetë President. Po sikur të mos e thërrasë Parlamentin e ri? Sepse ishte edhe ky rrezik. Atëherë është vënë që Parlamenti mund të mblidhet edhe vetë. Pra, kjo ka qenë, kjo është e vërteta dhe e kanë bërë miqtë e tu andej matanë. Por, unë po ju them, që në këto drafte, në këto amendamente, nuk lexoj vetëm zotin Berisha. Duket qartë që është dhe zoti Rama brenda. Jeni të dy bashkë. Së dyti, do të them se në qoftë se do të shkruanim një gjë tjetër, në dyert e Parlamentit tonë, në këtë rast do të ishte: “Lufto për lirinë e të tjerëve!”. E gjeni kund në këto amendamente lirinë e të tjerëve? Shikohet gjëkundi që këtu të zbulohet e vërteta e Gërdecit, për shembull? Dy grupet e mëdha parlamentare do t’i bënin nder vetes të uleshin, dhe unë jam shumë dakord që jeni në kohezion të plotë, dhe të zgjidhnin Gërdecin. Pastaj jepni pushtete! Sepse unë besoj që dikush nuk është i lirë nga krahu tjetër, kur Kryeministri ka thënë se të kam dhe ty ca letra. Jam shumë kurioz të di se si do të votojë ky person sonte, se ç’pushtete do të japë ai, nga ç’fuqi shpirtërore do të japë ai votën për këto amendamente. Unë do të isha shumë dakord që të mblidhen të dy grupet tuaja parlamentare e të vendosin se ç’do të jetë Shqipëria në 15 vjet, se ç’do jetë rinia që sot është 10 vjeç, ose ata që janë nga 20 vjeç, ç’do jenë pas 10 vjetëve në këtë vend. Apo shpresoni që po të hyjmë në BE do të ikin të gjithë e të na lënë vetëm në këtu në Parlament. Nuk i lexoj gjëkundi këto preokupime në “kushtetuesen” tuaj. Nuk e shoh ku është rinia. Nuk e shoh ku janë pensionistët. Unë po ju them që nuk është ndonjë llogari e madhe dhe këtë e dinë farë mirë këtu, edhe ministri i Financave, në qoftë se do të jetë edhe ai prapë, që pas pesë ose dhjetë vjetëve do të kemi nja dyqind mijë njerëz pa pensione se nuk paguajnë sot sigurimet shoqërore. Unë do të isha dakord me ju në qoftë se do ishte këtu reforma që duhet të bëjmë në arsim dhe në shëndetësi, qoftë edhe me një mbledhje të përbashkët të dy grupeve të mëdha parlamentare. Atëherë do të thosha me të vërtetë: këta burra kanë ardhur sot për të bërë një gjë të madhe për Shqipërinë. Do të isha sikur ju të bashkoheshit e të merrnit një vendim për pronën, të fiksonit përfundimisht se kujt i takon prona, ashtu siç e ka Kushtetuta. Akoma nuk keni zgjidhur detyrimin tuaj kushtetues për pronën. Lexojeni, e keni parë që nuk e keni zgjidhur akoma! Kjo nuk është luftë për popullin, kjo është luftë për nja dhjetë vetë, që e lexojnë veten këtu dhe për nja njëzet të tjerë që kujtojnë se do të jenë numrat 1 dhe 2 të listave rajonale. Nuk kanë për të qenë. Këtë jua siguroj qind për qind. Dhe e fundit që do të them: Dua t’ju pyes, kolegë, nëse me të vërtetë do të votoni ashtu siç keni hyrë, si ditën e parë kur keni bërë betimin në këtë sallë? Si opozitar i parë që kam hyrë në këtë sallë këtu e 18 vjet të shkuar, do të kërkoja të shkruhej edhe një gjë tjetër në dyert e këtij Parlamenti: “Ti që hyn këtu, dil njeri!” Falemnderit! Jozefina Topalli – Falemnderit, zoti Ceka! Zoti Milo, 5 minuta. Paskal Milo – E nderuara zonja Kryetare, Të nderuar kolegë deputetë, Unë e kam të vështirë sot në këtë seancë shumë të rëndësishme të Parlamentit tonë që të flas pa letër, ashtu siç folën kolegët e mi, jo se nuk jam në gjendje të flas pa letër, por në respekt të kësaj çështjeje madhore që jemi duke diskutuar, por dhe të vendimeve shumë të rëndësishme që do të marrim sot dhe që nuk kanë të bëjnë vetëm me të sotmen, por dhe me të ardhmen e demokracisë në Shqipëri, mendoj se kam reflektuar gjatë dhe jam përpjekur që disa mendime që kam dashur t’i shpreh këtu para jush t’i kem në letër. Më lejoni që t’i lexoj ashtu siç i kam shkruar. Ndryshimet në Kushtetutën e Shqipërisë që janë sjellë për t’u diskutuar e miratuar në Kuvend janë të gabuara në metodën e përdorur, në synimet e përcaktuara dhe në mjetet e rrugët për të çuar në realizimin e tyre. Metoda është ajo e blic-krikut, e befasisë, për të kapur e vënë përpara faktit të kryer segmentet më të ndërgjegjshme të politikës, të grupeve të interesit, të shoqërisë civile dhe të opinionit publik shqiptar. Nuk është hera e parë që një metodë e tillë përdoret këtu në Kuvend. Ne jemi nga deputetët më të vjetër të kësaj salle. Është përdorur që nga dita e parë e seancës së parë parlamentare këtu, në prill të vitit 1992, pas zgjedhjeve të marsit, për ndryshimin e dispozitave kushtetuese, për t’i dhënë më shumë pushtete presidenciale kandidatit të atëhershëm dhe Kryeministrit të sotshëm, e deri në seancën e sotme që po ndodh e kundërta, që ish-Presidenti i djeshëm, i ngjeshur me pushtete ekzekutive, sot kërkon të zhveshë nga disa të drejta kushtetuese që janë prerogativa të rëndësishme për ekuilibrin e pushteteve, Presidentin aktual. Me zotin Berisha ndodh, të më falë për krahasimin që po bëj, si me punën e breshkës, e cila kudo që vete e merr samarin me vete. Edhe ai kur ishte President mori shumë kompetenca ekzekutive dhe bënte edhe punën e Kryeministrit, si dhe shumë punë të tjera. Tani që është në detyrën e Kryeministrit nuk i mjaftojnë pushtetet që ka, por do të marrë dhe ca të tjera për t’u rehatuar në ambicien e tij të vjetër dhe të pandryshueshme të njeriut të gjithëpushtetshëm në Shqipëri. Realizimi i këtyre synimeve të vjetra tani bëhet në rrethana të reja, shumë të favorshme. Në qoftë se në vitin 1992 ai u ndihmua nga një votë renegate socialdemokrate, këtu në rreshtin e katërt apo të pestë të qendrës, në referendumin e 4 nëntorit 1994 u pengua nga një opozitë e bashkuar, që, pak a shumë, është ajo që është sot. Ajo që ka ndryshuar tani në krahasim me vitet 1992 dhe 1994 nuk është pozita dhe synimet e zotit Berisha, për këtë bravo i qoftë për këmbënguljen që ka, por qëndrimet e një segmenti të opozitës së atëhershme dhe të sotme të Partisë Socialiste, që nga kundërshtuese e vendosur e tyre dikur, sot bëhet bashkëpunuese për realizimin e synimeve me zotin Sali Berisha. Sigurisht që në këtë ndryshim të pozicionit të Partisë Socialiste mund të mos ketë interesa thjesht banale apo të kronikave të zeza mafioze, çka flitet poshtë e lart, por është jashtë çdo dyshimi që ka interesa dhe synime politike të çastit dhe të perspektivës, të veçanta dhe të përbashkëta me Partinë Demokratike dhe që, gjithashtu, nuk janë të panjohura. Gjoja në emër të reformimit te sistemit politik dhe të vendosjes së stabilitetit politik apo të zhdukjes së vulës së zezë të “Dushkut”, siç tha dje zoti Kryeministër, të dy partitë kanë rënë dakord që të ndryshojnë disa nene të Kushtetutës. Por për minutat e kufizuara që kam në dispozicion nuk e kam të mundur të sjell këtu të gjitha faktet dhe argumentet, por dua t’ju them se cilat janë këto synime. Së pari, krijimi i një sistemi politik bipolar për alternimin e dy partive në pushtet dhe pengimin e garës së ndershme politike dhe elektorale, si dhe krijimin e një alternative tjetër politike konkurruese në të ardhmen. Së dyti, prishja e parimit themelor të ekuilibrit të pushteteve në një republikë demokratike parlamentare. Dobësimi i institucioneve të përfaqësimit direkt të vullnetit të popullit, siç është Kuvendi, përmes shpërndarjes së tij në rast të një Kryeministri të dështuar. Zhvlerësimi i postit të Presidentit të Republikës si përfaqësues i popullit dhe shndërrimi i tij në një shtojcë të partisë politike që ka pushtetin e radhës. Marrja e shumë pushteteve nga ana e Kryeministrit, që e bën atë jo një shef ekzekutivi të një republike normale parlamentare, por një Kryeministër President të një republike de facto presidenciale, që do të jenë sipas radhë kryetarët e dy partive që do të alternohen me sistemin zgjedhor që propozohet. Së treti, zhdukja ose atrofizimi i pluralizmit demokratik dhe hapja e rrugës që tendencat e njohura e të manifestuara paranojake në ushtrimin e funksioneve publike të zgjedhura ose të emëruara, të degjenerojnë e të përfundojnë në pushtete dhe institucione monokratike, diktatoriale. Së katërti, krijimi i oborreve servile provinciale, partiake e parlamentare, që do të përsërisnin shumë herë më tepër e në mënyrë më frekuente, më keq se në kohën e komunizmit, çalltisjet frazeologjike me sloganin trendy të integrimit në NATO dhe në Bashkimin Europian. Atëherë, ka 18 vjet që Shqipërinë e kanë qeverisur këto dy parti, gati në mënyrë të barabartë, që nuk janë të njohura vetëm për meritat që kanë, por edhe për gabimet që kanë bërë. Atëherë, pse u duhet besuar sot e tutje këtyre dy partive për të sjellë në jetë ato premtime që nuk i realizuan për pak kohë. Madje, si mund të sinkronizohen këto dy parti në veprime të ndershme e në mirëbesim reciprok, kur ato nuk kanë lënë akuzë pa bërë për njëra-tjetrën dhe për liderët e tyre, deri në epitete nga më të rëndat dhe nga më skandalozet? Nuk i kemi thënë ne, ia keni thënë njëri-tjetrit. Si mundet tani të gjenden së bashku në një front, në një unitet mendimi e veprimi, për të sjellë atë që nuk kanë bërë për 18 vjet? Liderët e këtyre partive kanë përqasje të ndryshme në vlerësimin e qeverisjeve respektive të tyre në të kaluarën. Për njërin dielli ka shkëlqyer gjithnjë në vitet e qeverisjes së tij, ndërsa për tjetrin, gjatë qeverisjes socialiste, çdo gjë ka qenë e zezë, më e zezë se dhe vitet 1996-97, më e zezë se synimet e referendumit në vitin 1994 apo të ngjarjeve të 14 shtatorit 1998. Atëherë, si është e mundur që këto parti dhe lidershipët e tyre, që kanë përfaqësuar dy filozofi të kundërta politike qeverisëse, aq të dukshme e të njohura për shqiptarët, vjen një ditë dhe bashkohen, jo për aspiratat europiane të shqiptarëve, siç duan të justifikohen, por për reforma antidemokratike, në kundërshtim me standardet evropiane të kërkuara, jo për të zhdukur “Dushkun” e zi dhe të vjetër, por për të krijuar neo-“Dushkun” blozë e më të zi se ai i mëparshmi. Si është e mundur t’u ndërtojnë e t’u garantojnë shqiptarëve të ardhmen, kur ua kanë nxirë të kaluarën, jo të largët, dhe kur politika e Gërdecit e Qeverisë aktuale i riktheu në vëmendje të gjitha tmerret biblike të përjetuara në këta 17 vjetët e fundit. Shqiptarët sot janë në një dilemë të madhe, përveç qarqeve të veçanta militante. Me siguri do të bëhen përpjekje që t’u ndalohet mundësia që të shprehen vetë në rrugë referendare për ndryshimet në ligjin kryesor të shtetit, pavarësisht se klauzolat ekzistojnë. Atëherë u takon deputetëve të ndërgjegjshëm dhe me integritet të këtij Kuvendi, atyre që vërtet janë kundër një shfaqjeje servile ndaj shefave të tyre politikë apo të një numri në listat e ardhshme të mbyllura për kandidat për deputet, të bëjnë aktin historik të kundërshtimit të këtij puçi kushtetues. Falemnderit! Jozefina Topalli – Falemnderit! Zoti Lesi, urdhëroni! Nikollë Lesi – Të nderuar kolegë deputetë, I nderuar zoti Kryeministër, Berisha, Të qeverisësh do të thotë të bësh reformë dhe reformat nganjëherë janë të dhimbshme, qoftë për maxhorancën, qoftë për Kryeministrin që e drejton, qoftë edhe për shumicën e njerëzve. Por, me keqardhje, zoti Kryeministër, konstatoj se ju, personalisht, si asnjëherë tjetër në jetën tuaj politike, jeni peng, peng i disa kryetarëve, ministrave dhe deputetëve tuaj të maxhorancës, të cilët përfaqësojnë interesa jo të pastra politike dhe ligjore; jeni peng, zoti Kryeministër dhe e them me keqardhje si pjesëtar i kësaj maxhorance, megjithëse paketën që kanë sjellë sot Partia Socialiste dhe Partia Demokratike në parim e votoj, nenin 84/4 nuk do ta votoj. I nderuar zoti Kryeministër, ju jeni nën presion. Nëse ju vazhdoni të jeni nën presionin e ministrave apo të ish-ministrave të Gërdecit, që të sollën Gërdec nëpër këmbë dhe në Qeveri, e ministrave që do të plasin “Gërdecë” të tjerë, të cilët, nëse do të ketë drejtësi të pavarur në këtë vend, do të përfundojnë në pranga, nuk besoj se do të votoj pro jush pas natës së sotme. Zoti Kryeministër, Kam qenë dhe mbetem një nga mbështetësit tuaj; ndonjëherë, jua kam thënë, jam mbështetësi juaj edhe me sy mbyllur, por kam përshtypjen se unë dhe disa deputetë të PD-së, duke qenë pjesëtarë të kësaj maxhorance, nganjëherë kemi bërë edhe gabime. Ju në trupin e Partisë Demokratike po pranoni që disa kryetarë të partive të vogla dhe disa ministra të ngulin gozhdën e deputetit pas vitit 2009. Pikërisht këta ju bëjnë presion, i gjithë ky presion ishte edhe para një ore. Nuk ishte e moralshme që Kryeministri të ngrihet, në faqe të të gjithë Parlamentit, e të shkojë në sallë nën presionin e disa kryetarëve të partive. Ai kryetar partie apo ministër që nuk është dakord me këtë reformë, të dalë nga koalicioni, madje të dalë edhe nga Qeveria. Kryetar partie është ai që thotë: “Zoti Kryeministër, dal nga Qeveria dhe nga koalicioni i djathtë, sepse janë shkelur programi dhe parimet e partisë sime”. Por të gjithë, për të marrë xhaketën e deputetit në vitin 2009, kërkojnë të ngulin gozhdë në trupin e PD-së. Zoti Kryeministër, Nuk e dua atë gozhdë as në trupin tuaj, as në trupin e PD-së. Unë e siguroj vetë, por po ju them që nganjëherë në rrugën e gabuar shkoni nga presioni i një grupi mafiozësh; ju jeni nën presionin e disa ministrave që të sollën Gërdecin dhe ta lanë këtu, nëpër këmbë e ke ende. I nderuar zoti Kryeministër, Personalisht kam firmosur për nenin 87/4 të projektit që është sjellë. Megjithëse ju nuk keni qenë në sallë, e kam firmosur këtë nen me një kusht, ja ku e keni Astrit Patozin, ta mohojë ose ta pohojë një gjë të tillë, se është thënë me dy lista. Kam firmosur te lista e parë, me mirëbesim dhe me kusht që neni për Presidentin të ishte: Presidenti të votohet nga populli. Kryetari i Shtetit nuk mund të zgjidhet me votim të thjeshtë, zoti Kryeministër. Ju dhe një deputet i nderuar nga e majta në sallën e Kuvendit, kur diskutohej kandidatura e Bamir Topit dhe e disa të tjerëve, keni thënë që Presidentin ne do ta zgjedhim nga populli. Populli është autoriteti dhe numri një i shtetit. Këtë bindje keni pasur, këtë bindje besoj se do ta kesh, dhe këtë nen, me keqardhje të madhe, nuk e votoj. Nuk mund të votohet Presidenti i Republikës si një anëtar bordi me votim të thjeshtë. Zonja Kryetare, Ne deputetët që jemi të pavarur dhe të përjashtuar nga partia, që na solli në Parlament, kemi edhe disa minuta shtesë me mik. Zoti Kryeministër, Ja ku e keni Pashk Ujkën, kryetarin e grupit demokristian, ja ku e keni Tom Doshin, ja ku i keni edhe dy zëvendësministrat tuaj, Gurakuqin e zotin Bushati dhe plot demokristianë që ju kanë sjellë 55 mijë vota më 3 korrik dhe të dhanë edhe votën në maxhorancë, i keni pro teje në reforma, por mos rrini nën presion. Po qëndrove nën presion, nën pazare, i bie të dorëzohesh vetë dhe në anijen tënde që e kam thënë në Parlament, e kemi thënë më 3 korrik në Sarandë, kur së bashku ishim përballë ish-Kryeministrit Nano, e mbani mend… Jozefina Topalli – (E ndërpret.) Zoti Lesi, ka mbaruar koha. Nikollë Lesi – (Vazhdon.) Zonja Kryetare, ju lutem, të mos prishim seancën, se ju e dini që shquhem për prishje seance, prandaj ma lini ta mbaroj diskutimin tim. Kemi thënë, zoti Kryeministër, që anija e Nanos po fut ujë, se kapiteni nuk ishte në rregull. Ti je kapiteni i një anijeje që anëtarët e ekuipazhit po të shpojnë anijen e do ta mbysin. Vetë ata do të ikin me gomone dhe me anije të tjera. Prandaj largoji nga anija juaj! Falemnderit! Jozefina Topalli – Falemnderit! Fjalën e ka zoti Meta. Ilir Meta – Zonja Kryetare, Nuk do t‘ju marr shumë kohë, sepse sot nuk duhen shumë argumente, pasi gjithçka është e paravendosur në mënyrën më antidemokratike dhe më të turpshme, sepse bëhet fjalë për të ndryshuar në thelb Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kushtetutë kjo e votuar me referendum nga populli shqiptar. Pikërisht sot Sali Berisha merr të gjitha ato që kërkoi nga populli shqiptar 14 vjet më parë në referendumin kur ai hodhi projektkushtetutën e tij, pra arrin sot të gjitha pushtetet që donte atëherë, por këtë po e arrin pa referendum; po e arrin këtë këtu në Parlament, i merr të gjitha në një tavolinë ku është diskutuar dhe ne nuk kemi qenë, pikërisht nga Kryetari aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama. Janë ndryshime që në thelb dhe në zemër godasin Kushtetutën dhe parlamentarizmin në Shqipëri; janë ndryshime që godasin në zemër pluralizmin politik në vend. Pas këtyre ndryshimeve kushtetuese, Shqipëria nuk mund të jetë më republikë parlamentare. Ajo mund të quhet një republikë berishiane, sepse ndryshimet që bëhen sot në Kushtetutë, bëhen në funksion të forcimit të jashtëzakonshëm të pozitave të Kryeministrit dhe në kurriz të parlamentarizmit, në kurriz të të gjitha institucioneve kushtetuese që janë garante për të drejtat themelore të qytetarëve të këtij vendi. Sot, përmes zhvlerësimit që i bëhet institucionit të Presidentit, i cili, tashmë, mund të zgjidhet ose mund të ndërrohet, sikurse ndodh rëndom me anëtarë bordesh, që i përmendi një parafolës apo me një ministër të thjeshtë, në fakt, kemi goditjen më të madhe që u jepet gjithë institucioneve kushtetuese në vend, që janë garante për mbrojtjen e të drejtave themelore të çdo qytetari shqiptar, sepse pozicioni mbipartiak i deritanishëm i Presidentit, për shkak të mënyrës së zgjedhjes së caktuar në Kushtetutën e deritanishme, ka qenë garancia për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve në këtë vend. Ku shkuan premtimet e drejtuesve të dy partive të vjetra përpara se të uleshin në tryezën për zgjedhjen e Presidentit, kur shpreheshin se e mira është që Presidenti të zgjidhet nga populli, por, meqenëse ne nuk kemi kohë, atëherë këtë herë do bëjmë si do bëjmë, e do ta zgjedhim në tavolinë, por herën tjetër do ta zgjedhim në popull? Përse i shmangen këtij premtimi dhe këtij angazhimi? Përgjigjja është e thjeshtë: ndryshimet kushtetuese, që e kthejnë Republikën e Shqipërisë në republikë berishiane, sepse Berisha është sot Kryeministër dhe nuk është President si në vitin 1994, forcojnë në mënyrë të jashtëzakonshme karakterin partiak të shtetit dhe godasin në zemër karakterin demokratik të shtetit të së drejtës. Mburren me të madhe se do të bëjnë një reformë të hatashme zgjedhore për të eliminuar “Dushkun”. Këtë e thonë pikërisht ata që pollën “Dushkun”, duke shkelur Kushtetutën; ata që po bëjnë këto ndryshime duke blerë 30 deputetët e “Dushkut”, që janë këtu sot në Parlament. Më këta po ndryshohet Kushtetuta dhe po hidhet poshtë vullneti i një populli të tërë i shprehur përpara 9 vjetësh. Nuk jemi kundër proporcionalit rajonal, meqenëse e kërkoni; nuk kemi qenë as kundër maxhoritarit, meqenëse keni hallin e maxhorancave të fuqishme, sepse edhe maxhoritari i pastër është një sistem i ndershëm, por sistemi që ju propozoni është një sistem hileqar, i pandershëm, sepse ai përsëri do të pjellë deformime të votës së shqiptarëve, do të godasë barazinë e votës, që është një element thelbësor edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ne do të votonim sistemin proporcional rajonal, në rast se Shqipëria do të ndahej në rajone zgjedhore me numër të barabartë zgjedhësish dhe do të kishte, pak a shumë, të njëjtin prag; ose nëse do të kishte një korrektim nacional, përndryshe sistemi që ju sillni është një deformim, është një tjetër mashtrim për opinionin publik. Jo vetëm kaq, por me këtë sistem dhe me turpin e madh që keni bërë, që keni vendosur edhe në Kushtetutë sesi do të jenë listat e deputetëve të renditura dhe nuk mund të ndryshohet renditja e përcaktuar nga kryetarët e partive, ju keni treguar moralin e vërtetë që i trembeni ballafaqimit me qytetarët shqiptarë; moralin e vërtetë që deputetët nuk duhet të sjellin më shqetësimet dhe problemet e komunitetit, por duhet të jenë ushtarë të kryetarëve të partive. Ju, njëkohësisht, me këtë veprim që po bëni sot, me mënyrën më të pandershme, me një mënyrë jo transparente po tregoni që po bëheni viktima të një afere shumë të madhe dhe të fëlliqur, shumë antishqiptare midis Sali Berishës dhe Edi Ramës; po merrni përgjegjësinë për një Kushtetutë, që, në rast se do të miratohet nga ju, sot do të quhet Kushtetuta e Sali Ramës ose ndryshe Kushtetuta e Gërdecit, ku gjenden peng që të dy, tashmë. Jozefina Topalli – Falemnderit! Zoti Koçi, urdhëroni! Petro Koçi – Të nderuar kolegë, E ritheksoj që sot është një seancë funerali për demokracinë dhe për Kushtetutën. Në fakt, ky projekt që na ka ardhur sot në Kuvend nuk është aspak serioz. Është hera e parë që ndryshimet e Kushtetutës vijnë si një pazar interesash; është një moment kur ne ndryshojmë kartën themelore të shtetit në kundërshtim me mësimet që ka nxjerrë politika shqiptare jo vetëm e 18 vjetëve të fundit, por edhe më parë. Ne kemi menduar se demokracia parlamentare duhet të vijë drejt përmirësimit, ndoshta do të duhej që edhe kjo kartë themelore e shtetit të ndryshojë, por duhet të ndryshojë duke rritur parametrat e një demokracie parlamentare. Në fakt, projekti që ka ardhur sot nga Qeveria apo nga bashkëqeverisja, synon kthimin e demokracisë parlamentare në një republikë kryeministrore. A s’më thoni: a nuk kemi vuajtur ne gjithmonë nga pushtetet e njëshit, jo vetëm gjatë 50 vjetëve të Enver Hoxhës, por edhe më parë, edhe në kohën e Zogut, por edhe në kohën e Saliut të parë? Më thoni: A nuk është ky projekt në kundërshtim me vuajtjet politike të shqiptarëve në dhjetëra vite? Sigurisht që po. Ky është një projekt që synon privatizimin total të politikës. Më në fund edhe qeveritë, edhe listat e deputetëve do të jenë plotësisht private, ndryshe nga deri tani ku diçka edhe ka funksionuar, ka pasur pak balancë midis pushteteve të kryetarëve dhe kërkesave për aspirata të komuniteteve zgjedhore në bazë. A nuk duket sikur “Dushkun” e mëparshëm po e shndërrojmë në një “Dushk” të ri, sepse ky është një sistem që do të eliminojë çdo votim ndryshe? Unë jam dakord që Shqipëria kishte nevojë për rritjen e pragut elektoral, pra të mos mbetej 2,5%, le të shkonte edhe 5%, që të kishim më pak partiçka në Parlament. Por me këtë variant të Qeverisë ose të bashkëqeverisjes, sigurisht që synohet të eliminohet çdo votim ndryshe. Ky projekt është një urrejtje ndaj mendimit dhe votimit ndryshe. Kodi që synohet të përjetësohet në këtë ndryshim kushtetues nuk është një garanci për qytetarët që zgjedhin, është një garanci, sidomos, për nomenklaturat e vjetra, të cilat po shfaqen me sloganin e politikës së re. Po vijnë në politikën e re ata që në vitet ’91-‘92 u futën vrimave, sepse nuk kishin kurajë të dilnin në sheshin publik të politikës. Prandaj ky projekt duhet votuar kundër. Së fundi, mua më vjen keq për disa nga kolegët e mi. Në fakt, i gjithë projekti që ka ardhur bie ndesh me të gjitha mësimet dhe pësimet e politikës në 18 vjet edhe për kolegët e mi, por një pjesë prej tyre i ka gjetur si te filmi “Operacioni i zjarrit”, që ndoshta shpresoj se e keni parë të gjithë. Në fund të filmit është një personazh dytësor, i cili thotë “Për një viç më zu nata jashtë”. Edhe këtu për një vend në listë, disa i ka zënë nata jashtë. Dua t’ju kujtoj edhe një përcaktim që Cvajgu u ka bërë intelektualëve: “Janë dy lloj intelektualësh, janë atë që ulërasin kur e ndiejnë rrezikun, dhe paralajmërojnë me ulërimën e tyre, dhe janë ata që ulërasin kur e pësojnë”. Këtu një pjesë e mirë e deputetëve janë autorë të këtij krimi kushtetues; nesër do të jenë viktima të tij.
    • gene
    • Posted February 12, 2009 at 2:16 PM
    • Permalink

    ndryshimet kaluan
    meta nuk e i mblodhi firmat per referendum sic paralajmeroi dhe nga greva e urise doli pa rezultat.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: