Skip navigation

Pas luftes ideologjike idioteske …

http://www.gazeta-albania.net/news.php?id=17336

Kooperativizimi, për 2007-n do të bashkohen 1000 ha tokë

Silvana Sinaj

Ka qenë vetë ministri Gjana që gjatë lançimit të programit për vitin 2007 nga kjo ministri. Brenda vitit ministria pritet të bëjë gati projekligjin për rikthimin e kooperativave të moderura, me qëllim që të krijohet e para kooperativë josocialiste, por kooperativë e standardeve bujqësore europiane në këtë zonë të njohur të prodhimit të perimeve.

Synimi, sipas Jemin Gjanës, ministër i Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, “do të jetë për ta bërë këtë kooperativë me 1000 ha tokë si një shembull që duhet të paraprijë erën e re në kooperativizimin e bujqësisë”.
Me krijimin e kooperativave, këto të fundit mund të kenë më shumë lehtësi në marrjen e granteve dhe do të mund të përfitojnë edhe në shumë drejtime. Për krijimin e tyre, nuk është e domosdoshme ndihma financiare, mjafton vullneti mes fermerëve dhe qartësia e asaj çfarë duan të bëjnë.
Krijimi i kooperativave, aq i përfolur nga ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë kohët e fundit, është i mundur, por problemet që mund të hasen gjatë rrugës janë të shumta.
Problemet
Specialistët e kësaj ministrie thonë se kooperimi mes fermerëve është rrugëzgjidhja e vetme për të ngjallur bujqësinë shqiptare dhe për të nxjerrë në treg 80 për qind të fermerëve aktualisht të pamundur. Ndërsa ekspertët e bujqësisë jashtë ministrisë shohin me skepticizëm shumë aspekte që lidhen me kooperativat. Megjithë opinionet e veçanta për problemet dhe pengesat ku mund të haset ky proces, ata janë të një mendimi të përbashkët: krijimi i kooperativave nuk duhet udhëhequr nga strukturat shtetërore. Kjo, si për eksperiencën e hidhur nga e kaluara, edhe për mosfunksionimin me imponim të tyre.
Për këtë theksojnë vazhdimisht se kooperativat e sotme konsistojnë në bashkimin e tokave e pajisjeve me të cilat mund të punohet, me qëllim që të ulet kostoja e punës për të njëjtin rendiment.
Që një dynym tokë nuk mund të prodhojë për të tregtuar por as për të përmbushur nevojat familjare, këtë fermeri shqiptar duket se e ka kuptuar. Disa prej tyre i janë vënë punës dhe tashmë po mbledhin rezultatet.
Shembulli
Një minikooperativë prej 150 ha tokë të mbjella me perime në Divjakë të Lushnjës furnizon grosistët e kryeqytetit. Në Zejmen të Lezhës familjet kanë bashkuar vullnetarisht 80 hektarë tokë, gjysma e së cilës është vreshtë, nga e cila prodhojnë verën “Kallmet”, e cila gjendet sot në treg. Megjithë këto raste të pakëta suksesi në 220 shoqata të bashkëpunimit reciprok (ose kooperativa të vogla), panorama e tokës bujqësore shqiptare është ajo e copëzimit ë tejskajshëm. Rreth 400 mijë hektarë tokë bujqësore janë të ndara në ferma mesatare të përmasave 1.2 hektarë. Në shumë raste, një fermë është e ndarë në 3 – 4 parcela. Një copëzim i tillë mban në nivele të ulëta prodhimin, megjithëse bujqësia shqiptare ( ndihmuar nga niveli i ulët i prodhimit në fushën e industrisë ) jep më shumë se një të pestën e Prodhimit të Përgjithshëm në Vend (GDP). Krahasuar me fusha të tjera të ekonomisë, në bujqësi investimet publike vazhdojnë të jenë të pakta, me vetëm 6.5 euro për dynym tokë.

“Ideja e mirë po varet nga menaxhimi i financimeve”

Ismail Beka, drejtor i Programit të Zhvillimit Ekonomik, GTZ

Nga kush duhet të merren iniciativat dhe çfarë duhet bërë konkretisht për të patur sukses?

Iniciativat duhen marrë nga fermerët dhe vetëm nga ata që e ndiejnë nevojën për një bashkim të tillë kur kanë besim te njëri-tjetri. Në asnjë rast nuk mund të flitet për bashkëpunime të grupeve të mëdha. Problemi më i madh është transparenca financiare, veçanërisht për të financuar së bashku apo për të patur marrëdhënie financiare në grup.
Shumë mirë që politika duket aktive në trajtimin e çështjes së kooperimit, por duhet të jemi të kujdesshëm deri në çfarë mase politika e ndihmon procesin. Asnjë gjë që duket me aksion nuk mund të funksionojë. Në çdo rast, duhet të ruhemi nga vendimet dhe përpjekjet politike për ta udhëhequr nga struktura shtetërore një proces të tillë.

Si duhet krijuar raporti mes ngritjes së një kooperative dhe ndihmës ekonomike, apo asistencës?

Përvoja edhe shqiptare na ka mësuar që duhet të jemi shumë të kujdesshëm nga kondicionimet, pasi është vërejtur një problem i tillë. Në disa projekte, veçanërisht në bujqësi, si rehabilitimi i ujitje-kullim, pyjet etj. është financuar asistencë teknike, që lidhet me krijimin dhe mbështetjen e shoqatave të fermerëve. Kjo është një gjë e mirë dhe e rëndësishme, por fakti që financimi i investimeve u kondicionua me krijimin paraprak të shoqatave çoi në krijimin e më shumë se 200 shoqatave të tilla, shumica prej të cilave kanë vetëm anën formale të regjistruar dhe jo një veprimtari të suksesshme e të qëndrueshme ekonomike të saj.
Kjo do të thotë se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse nëse dikush do të prezantojë një projekt ku investimi ose grantet e mundshme qofshin këto edhe nga buxheti i shtetit do të kërkonte ekzistencën patjetër të cooperatives, atëherë do të kishim regjistrime fiktive që sapo të mbaronte projekti do të shpërbëheshin ose do të ndërprisnim veprimtarinë kooperativë.

6 Shtator 2007

2 Comments

    • gene
    • Posted September 7, 2007 at 2:37 PM
    • Permalink

    L I G J

    Nr.8088, datë 21.3.1996

    PëR SHOQERITë E BASHKëPUNIMIT RECIPROK

    Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore Kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave

    KUVENDI POPULLOR

    I REPUBLIKëS Së SHQIPëRISë

    V E N D O S I:

    KREU I

    DISPOZITA Të PëRGJITHSHME

    Neni 1

    Përkufizim

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok janë bashkime vullnetare të personave fizikë ose juridikë, për kryerjen e veprimeve ekonomike në fusha të ndryshme.

    Neni 2

    Ligjet e referimit

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok rregullohen nga dispozitat e këtij ligji. Shoqëri të bashkëpunimit reciprok për fusha veprimtarie të caktuara mund të rregullohen me ligje të veçanta.

    Neni 3

    Pavarësia në marrjen e vendimeve

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok janë të lira të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe të marrin vendime përkatëse, brenda kuadrit të akteve ligjore e nënligjore.

    Neni 4

    Personaliteti juridik

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok janë persona juridikë. Çdo shoqëri e bashkëpunimit reciprok ka vulën e saj.

    Neni 5

    Afati i veprimtarisë

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre me një afat maksimal deri në 99 vjet. Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok duhet të caktojnë afatin e veprimtarisë në statutet e tyre. Shoqëria mund të vendosë zgjatjen ose përsëritjen e afatit të caktuar.

    Neni 6

    Territori

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok kanë territorin e tyre përkatës, shtrirja e të cilit përcaktohet në statutin e shoqërisë.

    Neni 7

    Selia

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok kanë selinë e tyre, e cila përcaktohet në statutin e shoqërisë.

    Neni 8

    Emërtimi

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok kanë emërtimin e tyre që caktohet në statut. Në shkresat, publikimet dhe të gjitha dokumentet e shoqërisë emërtimi i saj duhet të paraprihet nga fjalët “shoqëritë e bashkëpunimit reciprok”, pas të cilave shënohet emri i saj dhe numri i regjistrimit të shoqërisë në gjykatë.

    Neni 9

    Objekti

    Objekti i veprimtarisë së shoqërisë së bashkëpunimit reciprok është realizimi i veprimtarisë ekonomike bashkërisht nga anëtarët e saj. Veprimtaritë ekonomike mund të jenë të ndryshme, si në fushën e prodhimit, të shitblerjes së mallrave, në fushën e shërbimeve, të kreditit, në fushën e ndërtimeve, si dhe në të gjitha fushat e tjera. Qëllimi i veprimarisë së shoqërisë së bashkëpunimit reciprok është ndihma e ndërsjellë e anëtarëve që bëjnë pjesë në to.

    Neni 10

    Kryerja e veprimeve

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të kryejnë vetëm veprime që përfshihen në objektin e veprimtarisë së përcaktuar në statutin e tyre, si dhe çdo veprim tjetër të nevojshëm për plotësimin e këtij objekti.

    Neni 11

    Bashkimi i shoqërive

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të formojnë ndërmjet tyre bashkime, të cilat rregullohen nga ky ligj. Llojet e bashkimeve të shoqërive të bashkëpunimit reciprok, emërtimet, qëllimet dhe objekti i veprimtarisë përcaktohet në statutet e tyre.

    Neni 12

    Pjesëmarrja

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok mund të marrin pjesë e të jenë anëtarë në bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok a në çdo shoqëri tjetër, ose të krijojnë edhe shoqëri të reja në përputhje me kërkesat e ligjit përkatës.

    Neni 13

    Veprimet me të tretët

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok i kryejnë veprimet me anëtarët e shoqërisë, ose edhe me persona të tretë, që nuk janë anëtarë të shoqërisë, sipas përcaktimeve të parashikuara në statutet e tyre.

    Shoqëritë e bashkëpunimit reciprok lejohet të kryejnë veprime me persona të tretë që nuk janë anëtarë të shoqërisë vetëm në kushtet që vijojnë:

    – Veprimet me të tretët duhet të përputhen me veprimet që figurojnë në objektin e veprimtarisë së shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    – Veprimet me të tretët nuk mund të kryhen në kushte më të favorshme për të tretët në raport me anëtarët e shoqësisë.

    – Xhiroja e secilës veprimtari, që përcaktohet në statutin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, duhet të realizohet jo më pak se gjysma me anëtarët e shoqërisë dhe vetëm pjesa tjetër me persona të tretë.

    – Veprimet e realizuara me personat e tretë duhet të kontabilizohen në veçanti e qartë.

    KREU II

    ANëTARëT E SHOQëRISë

    Neni 14

    Anëtarët

    Anëtarë të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok janë persona fizikë ose juridikë, të cilët dëshirojnë të realizojnë bashkërisht veprime ekonomike në gjirin e shoqërisë dhe që pranojnë statutin e miratuar nga shoqëria e bashkëpunimit reciprok.

    Neni 15

    Numri i anëtarëve

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok, për t’u themeluar, duhet të ketë jo më pak se 7 anëtarë. Numri i anëtarëve të shoqërisë gjatë qenies së saj mund të rritet pa asnjë kufizim. Ky numër mund edhe të pakësohet, por gjithmonë me kusht që të mbeten jo më pak se 7 anëtarë të shoqërisë. Kur shoqërisë i mbeten jo më pak se 7 anëtarë dhe numri i tyre nuk plotësohet gjatë një viti, shoqëria prishet.

    Bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok, për t’u themeluar, duhet të kenë jo më pak se dy shoqëri të tilla.

    Neni 16

    Kushtet e pranimit

    Anëtar i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të bëhet çdo person fizik ose juridik që plotëson kushtet për pranim, të përcaktuara në statutin e shoqërisë. Kërkesa për pranim bëhet me shkrim dhe i paraqitet për shqyrtim këshillit administrativ të shoqërisë, i cili është organi kompetent që vendos pranimin ose jo të kërkesës.

    Neni 17

    Humbja e cilësisë së anëtarit

    Anëtarësimi në shoqërinë e bashkëpunimit reciprok humbet kur anëtari heq dorë a përjashtohet nga shoqëria ose vdes. Çdo anëtar i shoqërisë mund të japë dorëheqjen nga shoqëria, kur mbaron angazhimi individual i veprimtarisë së tij ose në kushtet e përcaktuara në statutin e saj. Përjashtimi nga shoqëria bëhet me vendim të këshillit administrativ të shoqërisë.

    Anëtari i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok që jep dorëheqjen ose përjashtohet, mbetet i detyruar ndaj detyrimeve të shoqërisë për një periudhë prej 5 vjetësh në raport me pjesët që ai ka në kapitalin e shoqërisë.

    Neni 18

    Regjistrimi i pranimeve

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok mban një regjistër, i cili përmban datën e pranimit të çdo anëtari, si dhe datën në të cilën ai humbet cilësinë e anëtarit.

    Neni 19

    Të drejtat dhe detyrimet

    Anëtarët e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok kanë të drejta dhe detyra të barabarta, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të shoqërisë parashikohen në statutin e saj.

    Neni 20

    Masat disiplinore

    Llojet e masave disiplinore që merren ndaj anëtarëve të shoqërisë përcaktohen në statutin e saj. Masa më e rëndë disiplinore është përjashtimi nga shoqëria e bashkëpunimit reciprok.

    Masat disiplinore jepen për shkeljet e parashikuara në statutin e shoqërisë.

    KREU III

    ORGANET E SHOQëRISë

    Neni 21

    Organet drejtuese

    Organet e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok janë asambleja e përgjithshme, këshilli administrativ dhe këshilli mbikëqyrës. Në rastin e një shoqërie me shtrirje territoriale të madhe, statuti mund të parashikojë si organe edhe asamblenë rajonale.

    Neni 22

    Asambleja e përgjithshme

    Asambleja e përgjithshmne përbëhet nga gjithë anëtarët e shoqërisë dhe është organi vendimor i shoqërisë. Vendimet e asamblesë janë të detyrueshme për çdo anëtar të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    Mbledhja e asamblesë së përgjithshme është e vlefshme, kur në të marrin pjesë më shumë se tre të katërtat e numrit të anëtarëve. Vendimet e mbledhjes së asamblesë së përgjithshme janë të vlefshme, kur miratohen nga shumica e anëtarëve të pranishëm. Asambleja e përgjithshme është e zakonshme ose e jashtëzakonshme. Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore thirret një herë në vit nga këshilli administrativ. Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme thirret nga këshilli administrativ ose nga këshilli mbikëqyrës ose kur atë e kërkon të paktën 1/3 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok. Asambleja e përgjithshme e zakonshme thirret nga këshilli administrativ ose nga këshilli mbikëqyrës, ose kur kërkohet nga 1/10 e numri të përgjithshëm të anëtarëve.

    Neni 23

    E drejta e votës

    Çdo anëtar i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, në kohën e ushtrimit të veprimtarisë së asamblesë së përgjithshme, ka të drejtën e një vote. Në bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok e drejta për numrin e votave që do të ketë çdo anëtar, caktohet në statutet e tyre.

    Neni 24

    Shpërblimi i funksioneve

    Funksionet e anëtarëve të shoqërisë në organet e ndryshme të saj ushtrohen, si rregull, pa pagesë. Shpenzimet që anëtarët bëjnë gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve, paguhen. Në statutet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok, kur është e nevojshme, caktohen funksionet e pagueshme.

    Neni 25

    Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore

    Asambleja e përgjithshme e zakonshme vjetore mblidhet brenda katër muajve pas mbarimit të veprimtarisë së vitit kalendarik. Ajo shqyrton raportin e gjendjes financiare të shoqërisë, raportin e veprimtarisë së këshillit administrativ, si dhe të gjitha çështjet e tjera të veprimtarisë ekonomike e të drejtimit, që çmohen të rëndësishme prej saj. Për çështjet që shqyrton, asambleja merr vendimet përkatëse.

    Anëtarët e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të mblidhen në çdo kohë në një asamble të përgjithshme të zakonshme, për të marrë vendime për çështje të tjera nga ato që janë kompetencë e asamblesë së përgjithshme të jashtëzakonshme.

    Neni 26

    Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme

    Asambleja e përgjithshme e jashtëzakonshme mblidhet në çdo kohë, si në rastet kur paraqitet nevoja që të vendosë për ndryshimin e statutit të shoqërisë, për prishjen e shoqërisë, për transformimin e shoqërisë në një formë tjetër, ose për pjesëmarrjen në bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok.

    Neni 27

    Asambleja rajonale

    Asambleja rajonale mblidhet në çdo rajon para asamblesë së përgjithshme, për të debatuar në lidhje me çështjet e rendit të ditës të asamblesë së përgjithshme, por nuk merr vendim për to. Asambletë rajonale caktojnë të deleguarit që përfaqësojnë anëtarët e shoqërisë në asamblenë e përgjithshme. Numri i të deleguarve të çdo rajoni caktohet nga këshilli administrativ i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    Neni 28

    Këshilli administrativ

    Këshilli administrativ përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, që zgjidhen nga asambleja e përgjithshme ndër anëtarët e shoqërisë, për një periudhë të caktuar në statut dhe që mund të hiqen në çdo kohë prej saj. Këshilli administrativ zgjedh nga gjiri i tij kryetarin dhe zëvendësin e tij.

    Për bashkimet e shoqërive të bashkëpunimit reciprok rregullat për përbërjen e këshillit administrativ, periudhën e veprimtarisë dhe për shkarkimin e anëtarëve të këshillit administrativ caktohen në statut.

    Këshilli administrativ është organi administrativ i shoqërisë, i cili administron shoqërinë sipas orientimeve të vendosura nga asambleja e përgjithshme dhe jep llogari para saj. Këshilli administrativ thirret në mbledhje nga kryetari ose zëvendëskryetari jo më pak se një herë në muaj.

    Kryetari i këshillit administrativ përfaqëson shoqërinë në marrëdhëniet me të tretët.

    Neni 29

    Këshilli mbikëqyrës

    Këshilli mbikëqyrës është organi i kontrollit të shoqërisë mbi veprimtarinë administrative dhe financiare të saj. Këshilli mbikëqyrës përbëhet nga tre anëtarë që zgjidhen prej asamblesë së përgjithshme nga radhët e anëtarëve të shoqërisë. Anëtarët e këshillit mbikëqyrës nuk lejohen që në të njëjtën kohë të jenë anëtarë të këshillit administrativ. Këshilli mbikëqyrës nuk merr asnjë vendim dhe nuk mund të japë asnjë sanksion. Çdo vit ai i paraqet asamblesë së përgjithshme vjetore një raport për drejtimin e veprimtarisë ekonomike e financiare të shoqërisë. Këshilli mbikëqyrës mund t’i paraqesë një raport të tillë çdo asambleje të përgjithshme, ose mund të thërrasë një asamble të zakonshme a të jashtëzakonshme, për çdo problem të rëndësishëm që çmon se duhet diskutuar.

    KREU IV

    KAPITALI I SHOQëRISë

    Neni 30

    Kapitali

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok ka kapitalin e saj, i cili përbëhet nga shuma e përgjithshme e pjesëve (kontributeve) që derdhin anëtarët e shoqërisë. Vlera e pjesëve të kapitalit caktohet në statutin e shoqërisë.

    Neni 31

    Përbërja e kapitalit

    Kapitali i një shoqërie të bashkëpunimit reciprok është i përbërë nga një numër pjesësh (kontributesh) që janë nominative dhe që kanë secila të njëjtën vlerë.

    Vlera e pjesëve të kapitalit, e caktuar në statutin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, në asnjë rast nuk mund të rivlerësohet, duke përfshirë në to fondet e rezervave të krijuara ose në çdo pasuri tjetër të krijuar nga shoqëria gjatë veprimtarisë së saj.

    Neni 32

    Ndryshimi i kapitalit

    Kapitali i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të ndryshojë në rritje a në zbritje, në bazë të numrit të anëtarëve të shoqërisë dhe të pjesëve të kapitalit që ka çdo anëtar në kapitalin e shoqërisë.

    Neni 33

    Kufiri i uljes së kapitalit

    Gjendja neto e kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok përbëhet nga kapitali i saj dhe nga fondet e rezervave ose pasuritë e tjera që rezultojnë pas zbritjes së humbjeve të veprimtarisë së shoqërisë. Gjendja neto e kapitalit të shoqërisë nuk mund të ulet nën 3/4 e gjendjes neto maksimale të kapitalit të konstatuar nga një asamble e përgjithshme.

    Neni 34

    Nënshkrimi i pjesëve të kapitalit për pranim

    Anëtari i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok duhet të nënshkruajë një ose disa pjesë të kapitalit. Pjesët e kapitalit të shoqërisë kanë vlerë të njëjtë. Numri i pjesëve për të qenë anëtar i shoqërisë caktohet në statutin e çdo shoqërie dhe nuk varet nga veprimtaritë që anëtari i shoqërisë kryen me shoqërinë. Ky numër është i njëjtë për çdo person që kërkon të pranohet anëtar i shoqërisë ose për çdo anëtar të pranuar.

    Pjesët e kapitalit të nevojshëm për pranimin e çdo anëtari në shoqërinë e bashkëpunimit reciprok nuk shpërblehen.

    Pjesët e tjera të kapitalit që nuk janë të nevojshme për pranimin e anëtarit në shoqërinë e bashkëpunimit reciprok, shpërblehen dhe janë të kthyeshme.

    Neni 35

    Pagimi i pjesëve të kapitalit

    Në statutin e shoqërisë mund të parashikohen kushtet e nënshkrimit dhe të pagimit të pjesëve të kapitalit, për garanci të veprimeve që anëtarët kryejnë me shoqërinë e bashkëpunimit reciprok.

    Neni 36

    Shpërblimi i pjesëve të kapitalit

    Asnjë e ardhur nga veprimtaria e shoqërisë nuk u shtohet pjesëve të kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    Neni 37

    Kontributi në natyrë

    Pjesët e kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të jepen në lekë ose në natyrë. Ato shlyhen plotësisht, kur paguhen lekët ose kur kontributi në natyrë vlerësohet nga ekspertët përkatës dhe vihet në dispozicion të shoqërisë.

    Neni 38

    Transferimi i pjesëve të kapitalit

    Pjesët e kapitalit të shoqërisë trashëgohen. Ato mund të blihen nga persona të tretë ose nga anëtarë të shoqërisë. Në këto raste transferimet e pjesëve të kapitalit duhet të autorizohen paraprakisht nga këshilli administrativ i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    Neni 39

    Kushtet e kthimit të pjesëve të kapitalit

    Pjesët e kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, në rast largimi, u kthehen anëtarëve vetëm në vlerën e tyre nominale, me vendim të mbledhjes vjetore të asamblesë së përgjithshme dhe pasi ajo të ketë konstatuar që gjithë borxhet e shoqërisë, të cilave u ka arritur afati i skadimit, janë shlyer dhe që pagimi i pjesëve nuk sjell zvogëlimin e gjendjes neto të kapitalit më poshtë se 3/4 e shumës maksimale të konstatuar gjatë një asambleje të përgjithshme.

    Neni 40

    Regjistri i pjesëve të kapitalit

    Çdo shoqëri e bashkëpunimit reciprok mban një regjistër me emrat e anëtarëve pronarë të pjesëve të kapitalit të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok. Në këtë regjistër shënohen datat e dhënies e të pagesës së pjesëve, si dhe ndryshimet e pronarit të tyre.

    KREU V

    DISPOZITAT FINANCIARE

    Neni 41

    Veprimtaria financiare

    Veprimtaria financiare vjetore e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok fillon më 1 janar dhe mbaron më 31 dhjetor të çdo viti.

    Neni 42

    Analiza e veprimtarisë

    Këshilli administrativ i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok harton raportin e administrimit, përpilon inventarët dhe llogaritë vjetore në përputhje me dispozitat përkatëse të ligjit për kontabilitetin dhe ia paraqet për miratim asamblesë së përgjithshme, brenda një afati prej tre muaj, duke filluar nga data e mbylljes së veprimtarisë financiare vjetore.

    Neni 43

    Fondi i rezervës për mbulimin e rreziqeve

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok gjatë çdo veprimtarie fitimprurëse detyrohet të mbajë një shumë të hollash që përcaktohet në statut për krijimin e fondit për mbulimin e rreziqeve të veprimtarisë.

    Neni 44

    Fondi i rezervës ligjore

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok për krijimin e fondit të rezervës ligjore depoziton për çdo vit 1/10 (një të dhjetën) e fitimit neto të shoqërisë, derisa fondi i rezervës ligjore të barazohet me vlerën maksimale të kapitalit të konstatuar gjatë një asambleje të përgjithshme vjetore të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    Neni 45

    Fondi i rezervës së detyrueshme

    Të ardhurat që realizohen nga veprimtari të tjera të shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, si nga shitja e pasurisë, nga veprimet me të tretët, nga shërbimet, nuk lejohet në asnjë rast t’u ndahen anëtarëve të shoqërisë në çfarëdo forme qoftë. Këto të ardhura detyrimisht futen në një fond, që quhet fondi i rezervës së detyrueshme.

    Neni 46

    Fondi i rezervës fakultative

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok, me vendim të Asamblesë së Përgjithshme vjetore, mund të krijojë fondin e rezervës fakultative, duke derdhur në të një pjesë nga fitimi neto, i cili përdoret për të përballuar detyrimet ose nevojat e shoqërisë për raste të paparashikuara.

    Neni 47

    Fondi i rezervës për interesin e pjesëve të kapitalit

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok, gjatë veprimtarisë së saj, mund të krijojë një fond për shpërblimin e interesit vjetor për pjesët e kapitalit që shpërblehen. Përqindja e interesit caktohet çdo vit nga asambleja e përgjithshme e shoqërisë. Ajo nuk mund të jetë më e madhe se përqindja e depozitave afatgjatë që jep banka e shtetit.

    Neni 48

    Mosprekja e rezervave financiare

    Rezervat e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, ciladoqoftë natyra e tyre, nuk mund t’u shpërndahen anëtarëve të shoqërisë. Ato nuk u shpërndahen anëtarëve edhe në rastin e largimit të tyre nga shoqëria, si dhe në rastin e likuidimit të saj.

    Neni 49

    Përdorimi i fitimit neto

    Asambleja e përgjithshme vjetore, pasi verifikon shlyerjen e detyrimeve të shoqërisë, që u ka arritur afati i skadimit, vendos për përdorimin e fitimit neto, i cili deri në shfrytëzimin e tij të plotë, do të përdoret vetëm për:

    1. krijimin e rezervës ligjore,

    2. krijimin e rezervës së detyrueshme,

    3. krijimin e rezervës fakultative,

    4. caktimin e shpërblimeve për veprimet që anëtarët kanë kryer me shoqërinë e bashkëpunimit reciprok,

    5. krijimin e rezervës për rreziqet e veprimtarisë,

    6. krijimin e rezervës për interesin e pjesëve të kapitalit,

    7. caktimin e shumave për të paguar prodhimet e shërbimet të realizuara nga anëtarët e shoqërisë, ose për të ulur kostot e blerjes së pasurisë, shërbimeve, si dhe për shlyerjen e kredive.

    Neni 50

    Shpërblimet sipas veprimtarisë

    Pjesa e fitimit e caktuar për shpërblimet e anëtarëve të shoqërisë mund t’u ndahet atyre vetëm në mënyrë përpjesëtimore me veprimet që ata kanë realizuar me shoqërinë e bashkëpunimit reciprok.

    Neni 51

    Mbulimi i humbjeve

    Në rast se veprimtaria e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok del me humbje, ato mbulohen me fondet e krijuara posaçërisht për këtë qëllim. Në rast se këto fonde mbarohen, atëherë humbjet mbulohen përkatësisht nga rezerva për rreziqet, nga rezerva fakultative, nga rezerva e detyrueshme dhe në fund nga rezerva ligjore. Në rast të mbarimit të rezervave, humbjet mbulohen nga kapitali i shoqërisë. Nëse ky kapital do të ulet, për këtë shkak më poshtë se tre të katërtat e shumës maksimale të kapitalit të konstatuar gjatë një asambleje të përgjithshme vjetore, prishja e shoqërisë do të shpallet nga asambleja e përgjithshme që konstaton këtë ulje, por vetëm nëse anëtarët e shoqërisë nuk do të vendosin të nënshkruajnë pjesë të reja të kapitalit, ose të rritin vlerën nominale të pjesëve a të japin brenda një muaji shumat përkatëse për të mbuluar humbjen. Pas këtij afati, nëse nuk veprohet për mbulimin e humbjeve, asambleja e përgjithshme njofton prishjen e shoqërisë.

    KREU VI

    REGJISTRIMI E MIRATIMI

    Neni 52

    Kërkesat për regjistrim

    Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë së bashkëpunimitreciprok duhet të bëhet nga kryetari i këshillit administrativ të shoqërisë dhe depozitohen në gjykatën e rrethit ku shoqëria ka selinë. Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë duhet të paraqitet së bashku me statutin e saj.

    Firmat që figurojnë në kërkesën për regjistrimin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok dhe firmat që figurojnë në statutin e saj, duhet të vërtetohen si autentike nga noteri.

    Neni 53

    Plotësimi i regjistrit

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok regjistrohet në një regjistër të veçantë, që mbahet në gjykatën e rrethit ku ka selinë shoqëria.

    Deklarohen dhe regjistrohen lloji, kohëzgjatja, nëse kjo është përcaktuar, emërtimi, selia, objekti i veprimtarisë, vlera e pjesëve të kapitalit dhe emrat, mbiemrat, datëlindjet dhe vendlindjet e anëtarëve të këshillit administrativ.

    Depozitohen në aneksin e regjistrit kërkesa dhe statuti i shoqërisë së bashkëpunimit reciprok.

    Neni 54

    Miratimi

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok miratohet nga gjykata e rrethit ku ndodhet selia e shoqërisë. Kërkesa për regjistrim duhet të depozitohet brenda një muaji nga data e themelimit të shoqërisë.

    Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë miratohet kur statuti i saj është në përputhje me ligjin dhe kur të gjitha dokumentet e kërkuara nga ligji janë të plotësuara.

    Gjykata e rrethit detyrohet të njoftojë vendimin e saj brenda dy muajve nga data e depozitimit të kërkesës. Miratimi konsiderohet si i marrë, në rast se shoqërisë nuk i jepet asnjë lloj njoftimi brenda dy muajve nga data e depozitimit të kërkesës. Gjykata e rrethit detyrohet t’i njoftojë shoqërisë së miratuar vendimin e miratimit dhe numrin e regjistrimit të saj në regjistrin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, që mbahet në gjykatë.

    Kundër vendimit të gjykatës së rrethit që refuzon miratimin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, shoqëria ka të drejtë të ankohet në gjykatën e apelit, brenda 5 ditëve nga data e shpalljes ose komunikimit të vendimit.

    KREU VII

    DISPOZITA E FUNDIT

    Neni 55

    Përjashtimi nga tatimet

    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok përjashtohet nga tatimet, sepse ajo gjatë veprimtarisë së saj ekonomike, nuk u shpërndan anëtarëve të saj fitimin që realizon dhe sepse fitimin që i mbetet pas likuidimit të saj, e shpërbën për qëllime humane.

    Neni 56

    Shpërndarja

    Shpërndarja e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok mund të bëhet me vendim të një asambleje të përgjithshme të jashtëzakonshme ose mund të shpallet nga një asamble vjetore, e cila konstaton uljen e kapitalit social më poshtë se tre të katërtat e shumës maksimale të kapitalit të konstatuar nga një asamble e përgjithshme vjetore. Likuidimi kryhet nga një likuidues i caktuar nga asambleja që ka vendosur shpërndarjen.

    Shpërndarja e shoqërisë mund të bëhet edhe me mbarimin e afatit të saj, me realizimin e objektit të shoqërisë, me vullnetin e gjithë anëtarëve ose për shkaqe të parashikuara në statutin e saj.

    Neni 57

    Likuidimi

    Likuidimi i shoqërisë bëhet nga një ose disa likuidues të emëruar nga asambleja e përgjithshme që ka vendosur shpërndarjen e shoqërisë. Detyrimet dhe përgjegjësitë e likuiduesve rregullohen në bazë të rregullave të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme.

    Neni 58

    Përdorimi i kapitalit për kthimin e borxheve

    Kapitali i shoqërisë dhe fondet e saj gjatë likuidimit të shoqërisë përdoren përparësisht për të paguar detyrimet e shoqërisë. Pjesët sociale të kapitalit të shoqërisë paguhen pjesërisht ose tërësisht, vetëm pasi të jenë paguar të gjitha detyrimet e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok ndaj të tretëve.

    Neni 59

    Përgjegjësia financiare e anëtarëve të shoqërisë

    Në rastin kur detyrimet e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok nuk mund të shlyhen me pasurinë e saj që rrjedh nga likuidimi, anëtarët e shoqërisë përgjigjen për detyrimet e pashlyera deri në dyfishimin e vlerës nominale të pjesëve të tyre që kanë në kapitalin e shoqërisë të përcaktuara në statut.

    Neni 60

    Mbetjet pas likuidimit

    Pas likuidimit të të gjitha detyrimeve dhe pagesës së pjesëve të kapitalit, në rast se rezulton një mbetje, ajo nuk mund të ndahet në asnjë rast ndërmjet anëtarëve të shoqërisë. Kjo mbetje duhet t’i derdhet detyrimisht në mënyrë humane, në favor të një vepre me interes të përgjithshëm, një shoqërie tjetër të bashkëpunimit reciprok, ose një bashkimi të shoqërive të bashkëpunimit reciprok.

    Neni 61

    Hyrja në fuqi

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

    Shpallur me dekretin nr.1442, datë 5.4.1996 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

    • gene
    • Posted September 7, 2007 at 2:41 PM
    • Permalink

    LIGJ
    Nr.9747, datë 31.5.2007
    PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8088, DATË 21.3.1996
    “PËR SHOQËRITË E BASHKËPUNIMIT RECIPROK”, TË NDRYSHUAR
    Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të
    Ministrave,
    K U V E N D I
    I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
    V E N D O S I:
    Në ligjin nr.8088, datë 21.3.1996 “Për shoqëritë e bashkëpunimit reciprok”, të ndryshuar,
    bëhen këto ndryshime:
    Neni 1
    Në nenin 8 fjalia e dytë ndryshohet si më poshtë:
    “Emërtimi i shoqërisë në shkresat, publikimet dhe të gjitha dokumentet e saj duhet të
    paraprihet nga fjalët “shoqëritë e bashkëpunimit reciprok”, pas të cilave shënohet emri i saj dhe
    numri i regjistrimit, i marrë nga organi i ngarkuar me ligj të veçantë për regjistrimin e tyre.”.
    Neni 2
    Në nenin 52 paragrafi i parë ndryshohet si më poshtë:
    “Kërkesa për regjistrimin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok duhet të bëhet nga
    kryetari i këshillit administrativ të shoqërisë dhe depozitohet pranë organit të ngarkuar me ligj të
    veçantë për regjistrimin. Aplikimi për regjistrimin e shoqërisë duhet të paraqitet së bashku me
    statutin e saj.”.
    Neni 3
    Në nenin 53 paragrafi i parë shfuqizohet.
    Neni 4
    Neni 54 ndryshohet si më poshtë:
    “Neni 54
    Shoqëria e bashkëpunimit reciprok regjistrohet pranë organit të ngarkuar me ligj të
    veçantë për regjistrimin e tyre.
    Procedurat, afatet e regjistrimit dhe procedura ankimore kundër vendimit, që refuzon
    regjistrimin e shoqërisë së bashkëpunimit reciprok, rregullohen sipas procedurave të parashikuara
    me ligj të veçantë.”.
    Neni 5
    Ky ligj hyn në fuqi më 1 shtator 2007.
    Shpallur me dekretin nr.5353, datë 14.6.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
    Alfred Moisiu


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: