Skip navigation

http://www.balkanweb.com/sitev4/newsadmin/video1.php?id=8607

http://www.balkanweb.com/sitev4/index.php?id=8607

5 Comments

    • gene
    • Posted September 12, 2007 at 4:52 PM
    • Permalink

    Furtunë te Tatimet, “priten kokat” e shefave kryesorë
    Ja skema e ndryshimeve. Largohet drejtori i Përgjithshëm i Policisë Tatimore, Besnik Xhidra, për t’u zëvendësuar nga Besnik Çobo. Për Adem Rrengën e shumëlakuar në media vjen gradimi. Emërohet zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë Tatimore. Ndrys

    Shaban Sulçe

    Sërish një tjetër “furtunë” në administratën tatimore. Bëhet fjalë për ndryshime në radhët e krerëve dhe funksionarëve të lartë të tatimorëve. Në shënjestër ka qenë përsëri Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Tatimore, e cila nuk i ka shpëtuar as kësaj radhe “dorës së hekurt” të largimeve dhe shkarkimeve në masë. Veçse ndryshe nga disa muaj më parë, kur këto shkarkime prekën punonjësit dhe nëpunësit e thjeshtë, dje ka qenë radha e ish-eprorëve dhe shefave të tyre për t’i dhënë lamtumirën vendeve të tyre të punës. Ishin pikërisht këta eprorë dhe shefa, të cilët disa muaj më parë pranuan largimin e 316 punonjësve të policisë tatimore, të cilët dje janë larguar me motivacionin e mospërmbushjes së planit dhe dështimit të reformave në këtë sektor. Një mbledhje urgjente, e urdhëruar nga lart, ka përfunduar me largimin e shtatë funksionarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tatimore. Lajmi është pohuar nga burime të sigurta dhe konfidencale pranë kësaj drejtorie, të cilat kanë zbuluar për gazetën “Albania” skemën e ndryshimeve të reja në kupolën e Policisë Tatimore. Largimi më i bujshëm ka qenë ai i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Tatimore, Besnik Xhidra, i cili është zëvendësuar në këtë funksion nga Besnik Çobo. Largimi i Xhidrës nga posti i kreut të policisë tatimore vjen në prag të dyvjetorit të emërimit të tij në këtë post. I emëruar nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Alfred Prifti, në tetor të vitit 2005, Besnik Xhidra do të vinte në krye të policisë tatimore duke zëvendësuar Fadil Canajn. Ish-kandidati për deputet i Partisë Republikane në zgjedhjet e 3 korrikut 2005 dhe ish-kryetar i SHIK-ut në rrethin e Gjirokastrës, Besnik Xhidra, pas dy vjetësh qëndrimi në detyrën e tij, dje është detyruar të dorëzojë çelësat dhe zyrën e tij si drejtor i Përgjithshëm i Policisë Tatimore për t’u zëvendësuar nga Besnik Çobo.

    Rikthimi i Adem Rrengës

    Një tjetër lëvizje e urdhëruar nga lart për ndryshimin e drejtuesve të policisë tatimore ka qenë ajo e zëvendësimit të nëndrejtorit të kësaj drejtorie me Adem Rrengën. Ky i fundit rikthehet sërish në administratë, pas largimit të tij si shef i sektorit të bizneseve VIP në drejtorinë tatimore, për të marrë sërish një post të rëndësishëm në administratën tatimore. Emri i Rrengës është jo pak i njohur për median dhe opinionin, për shkak të implikimit të tij në disa skandale të bëra publike nga ana e medias. Adem Rrenga është njëri prej zyrtarëve të tatimeve, i cili është marrë në pyetje nga prokuroria pasi dyshohet se urdhëroi fillimin e kontrolleve tatimore në kundërshtim me ligjin për kompaninë “Top Media”. Gjithsesi, një fakt i tillë nuk i ka penguar drejtuesit e qeverisë dhe të Ministrisë së Financave për ta graduar Rrengën në një pozicion edhe më komod, siç është ai i zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Tatimore.

    Ndryshime edhe në Drejtorinë e Tiranës

    Ndryshimet në Policinë Tatimore të Tiranës kanë prekur sërish postin e drejtorit të kësaj policie. Dëshir Tuda, i emëruar në këtë detyrë në muajin maj të këtij viti, do të largohet nga ky post për t’u zëvendësuar nga Jovan Cane, ish-shef i sektorit të biznesve VIP në Drejtorinë Tatimore përpara 3 korrikut 2005. Tudës i është komunikuar dje largimi në një detyrë, në të cilën ai nuk qëndroi më shumë se katër muaj. Ai zëvendësoi në maj të vitit 2007 ish-drejtorin e Policisë Tatimore Tiranë, Sami Muka, i cili dha dorëheqjen për shkak se nuk u pajtua me reformën e thellë që pritej të ndodhte në institucionin që drejtonte, në të cilin u larguan më shumë se gjysma e punonjësve. Ish-drejtori i Policisë Tatimore Tiranë, Sami Muka, nuk e ka kapërdirë lehtë faktin se si administrata e drejtuar prej tij po reduktohej dita-ditës me specialistët dhe profesionistët e kësaj drejtorie. Duke mos u pajtuar me këto largime të pabaza, të cilat arritën kulmin me shkarkimin në masë të 50 punonjësve, Muka do të jepte dorëheqjen e tij të parevokueshme nga ky post edhe pse kishte vetëm një muaj që ishte emëruar në krye të Policisë Tatimore Tiranë. Shkarkimi i Mukës në fakt lidhej edhe me arsye të tjera, megjithatë në motivacionin zyrtar të dorëheqjes së tij pohohej se Muka nuk mund të pajtohej me largimin në masë të vartësve të tij dhe se e kishte të pamundur përballimin me sukses të punës, në mungesë të specialistëve dhe ekspertëve të kësaj fushe. Muka u zëvendësua në këtë detyrë nga drejtori i ri, Dëshir Tuda, i cili u emërua nga drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Gerta Picari, por Tuda do të largohet për t’u zëvendësuar nga Jovan Cane.

    Largime të tjera

    Largimet e ndodhura dje në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tatimore kanë prekur edhe postet drejtuese të rëndësishme që kanë të bëjnë me Task-Forcën, kontrollin e brendshëm dhe drejtorinë e apelimit në këtë drejtori. Kështu, Ardi Fejzo është larguar nga posti i shefit të “Task Force” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Tatimore. Largimi i tij është pasuar edhe me largimet e tjera të drejtorit të kontrollit të brendshëm Adhurim Miloti, nga drejtori i apelimit Hazmi Xhelili, i cili do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Faslli Gogo.

    “Masakra” në Drejtorinë e Policisë Tatimore të Tiranës

    Deri në shtator të vitit 2005, kohë në të cilën u krijua dhe u zyrtarizua qeveria e kryeministrit Berisha, Drejtoria e Policisë Tatimore përbëhej nga 140 punonjës, të gjithë në nivel specialistësh dhe profesionistë në punën e tyre. Shumica prej tyre gjendeshin në këtë detyrë për një kohë të gjatë dhe gëzonin eksperiencën e duhur si dhe kishin kryer mjaft kualifikime dhe trajnime edhe nga institucione të ndryshme ndërkombëtare. Por menjëherë pas ardhjes në pushtet të të djathtëve dhe ndryshimeve të bëra në radhët e krerëve të administratës tatimore, Drejtoria e Policisë Tatimore Tiranë iu nënshtrua masakrës së shkarkimeve nga puna. Në shënjestrën e largimeve u vendosën të gjithë këta punonjës, “mëkati” kryesor i të cilëve ishte vetëm sepse ishin punësuar në këtë drejtori në kohën kur qeverinë e drejtonin të majtët. Ish-punonjës të kësaj drejtorie, tashmë të larguar, tregojnë se shkarkimet nisën në shtator të vitit 2005. Ato kryheshin në periudha dy-tremujore dhe realizoheshin me largimet nga puna të 10-15 punonjësve. “Që në shtator të vitit 2005 u kryen shkarkimet e para, ku u hoqën rreth 15 veta. Shkarkimet e kolegëve tanë vijuan edhe në muajt në vazhdim, ku çdo urdhër i dhënë kërkonte largime punonjësish në grupe midis 10-15 vetash. Në qershor të këtij viti u larguan brenda një dite 50 punonjës të Drejtorisë Tatimore. Me largimin e pritshëm të 10 punonjësve të tjerë, shumë shpejt në Drejtorinë e Policisë Tatimore të Tiranës nuk do të gjendet i punësuar asnjë prej 140 kolegëve tanë, me të cilët kemi punuar deri në vitin 2005”, – tregojnë ish-punonjës të Policisë Tatimore të Tiranës.
    Motivacionet e shkarkimeve nga puna të 140 punonjësve të Policisë Tatimore Tiranë kanë qenë të paqarta dhe kanë lënë hapësira të mëdha për të kuptuar se bëhej fjalë thjesht dhe vetëm për arsye politike. Edhe pse titullarët dhe drejtuesit e qeverisë janë përpjekur ta justifikojnë këtë reformë me flamurin antikorrupsion, në të vërtetë ajo çka fshihet pas këtyre shkarkimeve është zëvendësimi i ekspertëve dhe specialistëve me militantë partiakë dhe anëtarë të Partisë Demokratike. Ky qëllim u zbulua hapur më 5 qershor të vitit 2007. Qeveria vendosi shkurtimin e 316 punonjësve të administratës tatimore, 50 prej të cilëve ishin të Policisë Tatimore të Tiranës. Kjo reformë, sipas qeverisë, bëhej për të reduktuar shpenzimet në administratë, ndërkohë që Gerta Picari, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, i justifikonte këto shkarkime me largimin nga puna të të korruptuarve të kësaj drejtorie. Por, në shkresën e firmosur nga vetë Picari, për largimin e 50 policëve tatimorë nuk u gjend asnjë motivacion konkret për largimin nga puna, aq më tepër motivacion që lidhej me akuza për korrupsion dhe mitmarrje. Për më tepër, ish-drejtorit të kë
    Ndryshimet në administratën tatimore

    Posti Ikën Vjen
    Drejtori i Përgjithshëm Besnik Xhidra Besnik Çoba
    i Policisë Tatimore

    Nëndrejtori i Përgjithshëm Adem Rrenga
    i Policisë Tatimore

    Drejtori i Policisë Tatimore Dëshir Tuda Jovan Cane
    Tiranë

    Shefi i Taskë Forcës së Ardi Fejzo
    Drejtorisë së Përgjithshme

    Drejtori i Kontrollit të Brendshëm Adhurim Miloti
    Në Drejtorinë e Përgjithshme

    Drejtori i Apelimit në Drejtorinë Hazmi Xhelili Faslli Gogo
    e Përgjithshme të Tatimeve
    saj drejtorie, Sami Mukaj, në këtë shkresë nuk i ishte komunikuar thjesht numri i punonjësve që duhet të largoheshin, por në të ishin shënuar emrat, gjë që la shumë dyshime për shkarkime të organizuara.

    12 Shtator 2007

    • gene
    • Posted September 15, 2007 at 8:07 PM
    • Permalink

    Lufta e klaneve brenda Tatimeve, antikrimi çon në pranga gjashte zyrtarë

    Tiranë – Klanet kanë ngrënë njëri-tjetrin brenda Tatimeve. Dy rrymat e forta që ekzistojnë atje kanë finalizuar në mënyrë dramatike luftën që deri dje kishte qenë e ftohtë. Përplasjet për dominim kanë çuar në pranga gjashtw zyrtarë, ndërmjet tyre edhe drejtorin e Tatimeve të Tiranës. Hetuesit e kanë kopsitur dosjen pasi dokumentacioni u është lënë i plotë atyre nga një ish-zyrtar i shkarkuar nga detyra vetëm pak kohë më parë. Pikërisht këto të dhëna, që mendohet se i ka dhënë ish-drejtori, kanë çuar drejtorin dhe 4 oficerët tatimorë në pranga.
    Zyrtarët e Tatimeve janë prangosur nën akuzën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe mitmarrjes. Aksioni është kryer nga Sektori i Antikrimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë mbrëmjen e djeshme.
    Arrestimi
    Agjentët antikrim kishin marrë informacione për aktivitetin e personave të arrestuar. Gjatë hetimeve kishte rezultuar se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kishin vënë disa gjoba të padrejta subjekteve dhe në këmbim të tyre u kërkonin para. Pas verifikimit të informacioneve, uniformat blu kanë prangosur drejtorin e Tatimeve të Tiranës, Flamur Malkuçin, si dhe katër vartës të tij, oficerë të Policisë Tatimore: Genc Murthin, Dritan Metanin, Migen Katroshin, Aurel Cenollin. Në pranga përfundoi edhe Klodian Myftari, pronar i një subjekti privat. Zyrtarët e arrestuar akuzohen për mitmarrje dhe shpërdorim detyre.
    Furtuna
    Gazeta “Albania” kishte paralajmëruar furtunën te Tatimet nga informacionet për largimet nga puna. Gjatë kësaj jave, reforma goditi administratën tatimore. Bëhej fjalë për ndryshime në radhët e krerëve dhe funksionarëve të lartë të tatimorëve. Në shënjestër ka qenë përsëri Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila nuk i ka shpëtuar as kësaj radhe “dorës së hekurt” të largimeve dhe shkarkimeve në masë. Një mbledhje urgjente, e urdhëruar nga lart, ka përfunduar me largimin e shtatë funksionarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Largimi më i bujshëm ka qenë ai i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Tatimore, Besnik Xhidra, i cili është zëvendësuar në këtë funksion nga Besnik Çobo. Një tjetër lëvizje e urdhëruar nga lart për ndryshimin e drejtuesve tatimorë ka qenë ajo e zëvendësimit të nëndrejtorit të kësaj drejtorie me Adem Rrengën. Ky i fundit rikthehet sërish në administratë, pas largimit të tij si shef i sektorit të bizneseve VIP në Drejtorinë Tatimore, për të marrë sërish një post të rëndësishëm në administratën tatimore. Ndryshimet në Degën e Tatimeve të Tiranës kanë prekur sërish postin e drejtorit të kësaj policie, ku shefi i ri është emëruar Jovan Cane, ish-shef i sektorit të bizneseve VIP në Drejtorinë Tatimore. Largimet e ndodhura në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve kanë prekur edhe postet drejtuese të rëndësishme që kanë të bëjnë me Task-Forcën, kontrollin e brendshëm dhe Drejtorinë e Apelimit në këtë drejtori. Kështu, Ardi Fejzo u largua nga posti i shefit të Task-Force. Largimi i tij është pasuar edhe me largimin e drejtorit të kontrollit të brendshëm, Adhurim Miloti, nga drejtori i apelimit Hazmi Xhelili, i cili do të zëvendësohet në këtë detyrë nga Faslli Gogo.

    15 Shtator 2007

    • gene
    • Posted October 13, 2007 at 10:07 AM
    • Permalink

    Shkarkimet ne Tatime, te gjitha emerimet e drejtuesve te rinj

    Ervin Koçi

    Pas valëve të shkarkimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në të gjitha drejtoritë që varen prej saj, janë emëruar individë të rinj, një pjesë e të cilëve pa eksperiencë në këtë fushë, ose pa arsimin përkatës. Në një kohë që shumë punonjës të shkarkuar nga Tatimet janë në gjyq me shtetin për të rifituar vendet e punës, që sipas tyre u janë hequr pa të drejtë, emërimet e reja janë bërë në kohë rekord. Sipas një raporti që është hartuar duke iu referuar pjesës së parë të vitit 2007, në Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve është emëruar në pozicionin e zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm Sabah Jemishta. Në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë së Personelit është emëruar Selaudin Shabani. Në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë së Administratës Arif Spaho. Në pozicionin e drejtorit të Drejtorisë së Investigimit Tatimor Adhurim Mileti. Në pozicionin e përgjegjëses së Sektorit të Burimeve Njerëzore Enkelejda Pirushi, e cila është rekrutuar në muajin mars të vitit 2006 si inspektore dhe pa përfunduar periudhën e provës në muajin gusht të po këtij viti, ka konkurruar dhe është emëruar si përgjegjëse sektori. Në pozicionin e përgjegjëses së Sektorit të Prokurimit është emëruar Brunilda Hasani. Në pozicionin e përgjegjësit të Sektorit të Administratës është emëruar Sabri Spahiu. Në pozicionin e përgjegjëses së Sektorit Tatimor Ndërkombëtar është emëruar Marjeta Karapanço. Në pozicionin e përgjegjësit të Sektorit të Planifikimit Strategjik është emëruar Blodi Brati.

    Emërimet te VIP-at në Degën e Tiranës

    Dega e Tatimpaguesve të Mëdhenj në Tiranë ka qenë drejtoria e radhës ku janë kryer emërime të shpejta dhe gjithsesi politike. Këtë e konfirmojnë për gazetën burime brenda DPT-së, të cilët kanë thënë se, “një pjesë e mirë e drejtuesve nuk kanë mbaruar Fakultetin Ekonomik, ose janë studentë që sapo kanë mbaruar ndonjë fakultet çfarëdo”. Kështu, janë emëruar në pozicionin e përgjegjëses së zyrës në këtë degë Mimoza Kalia. Në pozicionin e përgjegjësit të Sektorit të Kontrollit Tatimor është emëruar Adem Renga.

    Dega e Tatimeve Tiranë

    Edhe në degën e Tatimeve të Tiranës janë emëruar në pozicione të ndryshme individë njësoj si në drejtoritë e tjera. Kryetari i Degës së Tatimeve të Tiranës është emëruar Sami Muka. Në 2 pozicionet e zëvendëskryetarit të degës të punonjësve është emëruar Dëshir Tuda dhe Hiqmet Shalja. Në pozicionin e përgjegjëses së zyrës së masave shtrënguese është emëruar Tefta Duro. Si përgjegjës të Sektorit të Regjistrimit është emëruar Azem Kola. Si përgjegjës i zyrës së Regjistrimit të kësaj drejtorie është emëruar Irvelin Gjonaj, i cili në muajin mars të vitit 2006 ka konkurruar dhe është emëruar si inspektor dhe në muajin dhjetor të po këtij viti, konkurron për pozicionin e përgjegjësit të zyrës ku dhe emërohet. Si përgjegjës i zyrës së kontrollit është emëruar Agim Xhemo, i cili në muajin mars të 2006 ka konkurruar dhe është emëruar si inspektor dhe në muajin shkurt të 2007-s konkurron për pozicionin e përgjegjësit të zyrës ku dhe emërohet. Si përgjegjëse e zyrës së regjistrimit është emëruar Leonora Ndreu, e cila në muajin mars të 2006 ka konkurruar dhe është emëruar si inspektore dhe në muajin dhjetor të 2006-s, konkurron për pozicionin e përgjegjësit të zyrës ku dhe emërohet. Si përgjegjës i zyrës së regjistrimit është emëruar Shpend Goci, i cili në muajin mars të 2006 ka konkurruar dhe është emëruar si inspektor dhe në muajin gusht të 2006-s konkurron për pozicionin e përgjegjësit të zyrës ku edhe emërohet. Si përgjegjës i sektorit të financës dhe administratës emërohet Diana Fishka. Si përgjegjëse e zyrës së menaxhimit të të ardhurave është emëruar Laura Beli. Përgjegjës i zyrës së vlerësim mbledhjes është emëruar Pëllumb Shukja.

    Emërimet në Tatime, të gjitha në shkelje me ligjin

    Për periudhën e kontrolluar, deri në muajin qershor të vitit 2007, KSHC-ja ka marrë 133 vendime në favor të punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për ankesat e bëra ndaj akteve administrative që kanë dalë nga ky institucion. Por në një kohë që gjyqet ishin në proces, drejtuesit më të lartë të Tatimeve dhe shpesh jo me urdhër të tyre, kanë marrë në punë punonjës të rinj, që shpesh as që e kishin arsimin përkatës për të punuar në Tatime. Nga verifikimi i zbatimit të vendimeve të KSHC-së rezulton se ato jo vetëm nuk janë ekzekutuar vullnetarisht prej institucionit në përputhje me detyrimet që përcakton neni 8 pika 3 e Ligjit Nr. 8549 dt. 11.11.1999 “Statusi i Nëpunësit Civil”, por kjo gjendje ka vazhduar edhe pasi këto vendime të ankimuara në Gjykatën e Apelit, janë kthyer në titull ekzekutiv, pasi janë lënë në fuqi prej saj. Moszbatimi i detyrimit ligjor për të ekzekutuar këto vendime, ka rënduar padrejtësisht edhe buxhetin e institucionit e për pasojë buxhetin e shtetit për një vlerë rreth 63.220.835 lekë, pasi për një pozicion pune paguhen paralelisht dy persona. Kjo vlerë është llogaritur për 80 raste, kur ka përfunduar procedura gjyqësore dhe vendimi i KSHC-së ka marrë formë të prerë, pasi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Kjo llogaritje është bërë për periudhën deri në qershor 2007, vlerë e cila shtohet çdo muaj me rreth 5.000.000 lekë, detyrime për mosekzekutim të këtyre vendimeve. Këto ishin problemet kryesore të konstatuara nga grupi i punës i KSHC-së, në ushtrimin e funksionit të tij të mbikëqyrjes në DPT, lidhur me zbatimin e ligjit “Statusi Nëpunësit Civil” dhe akteve normative të dala në bazë e për zbatim të tij. Lidhur me observacionet e paraqitura nga DPT-ja ndaj projektit të raportit, janë dhënë argumentet dhe shpjegimet në relacionin bashkëlidhur këtij raporti.

    11 Tetor 2007

    • gene
    • Posted October 13, 2007 at 10:43 AM
    • Permalink

    Gjykata e Lartë: Ja pse doganierët nuk e meritojnë statusin e nëpunësit civil

    Shaban Sulçe

    Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i marrë një muaj më parë, për mosnjohjen e statusit civil për punonjësit e doganave, është bërë në bazë të interpertimit që këto kolegje i kanë bërë bazës ligjore të mëposhtme: Neni 14.2 e vijues i Kodit Doganor, VKM Nr.205 datë 13.4.1999, VKM Nr.360 datë 14.07.2000,
    Ligji Nr. 8549, datë 11.11.1999, nenet 21, 22, 23 e vijues, nenet 117, 108, 109 e vijues të K.Pr.Administrative, neni 324 i Kodit të Procedurës Civile si dhe Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 172, datë 29.03.2006. Gazeta “Albania” zbardh sot pjesë të interpretimit ligjor që Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë marrë në lidhje me mosnjohjen e statusit të nëpunësit civil gjatë shqyrtimit.
    Pjesë të këtij interpretimi vijojnë si më poshtë:
    Kolegjet e Bashkuara vërejnë se nuk ka një ligj të posaçëm që të rregullojë marrëdhëniet e punës të punonjësve të administratës doganore në të gjithë elementët që përfshijnë këto marrëdhënie. Në Kodin Doganor, i cili është ligji që rregullon veprimtarinë doganore në Republikën e Shqipërisë, është vendosur një seksion i veçantë i titulluar “Organikat, punësimi dhe marrëveshjet e punës së personelit të administratës doganore”. Vetëm në një dispozitë të këtij seksioni, konkretisht në nenin 14/2, parashikohet qartë se konkurrimi publik do të ishte mënyra e punësimit, ndërsa procedurat si do të bëhej ky konkurrim do të ishin ato që ishin parashikuar për punonjësit që do të përfshiheshin në shërbimin civil me Ligjin Nr. 8449 të vitit 1996 ‘Për shërbimin civil”. Por është një fakt tashmë i pranuar se ky ligj asnjëherë nuk funksionoi në praktikë. Ishte kjo arsyeja që ai u shfuqizua në pjesën më të madhe të tij dhe vetëm pak muaj pas daljes së Kodit Doganor u miratua ligji i lirë, ai me Nr. 8549, datë 11.11.1999. Vlen të theksohet se dispozita e Kodit Doganor cituar më lart, e cila referon këtë ligj, nuk ndryshoi as me daljen e ligjit të ri “Statusi i Nëpunësit Civil” dhe asnjëherë më vonë. Ajo vazhdon të jetë në fuqi edhe sot. Por edhe nëse do të ndodhë e kundërta e atyre që trajtohen më sipër, përsëri nuk mund të arrihet në përfundimin se punonjësit e administratës doganore do të konsideroheshin nëpunës civilë në kuptimin që parashikonte ai ligj. Kjo për faktin se Kodi Doganor i referohej ligjit “Për shërbimin civil” vetëm lidhur me një aspekt të tij, me procedurat e punësimit. Duhet theksuar se koncepti “Statusi i nëpunësit civil” është më i gjerë dhe përfshin rregulla të njëjta për kushtet dhe procedurat e pranimit në shërbimin civil, mënyrën e fillimit dhe të mbarimit të marrëdhënieve të punës, zhvillimin e karrierës, për garantimin e të drejtave dhe përcaktimit të detyrimeve.
    Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë interpretuar gjithashtu paragrafin 1 të nenit 2 të “Statusit të Nëpunësit Civil” ku në kuptim të këtij ligji janë ata nëpunës të institucioneve të administratës publike të nivelit qendror apo vendor, të cilët ushtrojnë autoritetin publik, me detyra të natyrës drejtuese, organizuese, mbikëqyrëse apo ekzekutuese, përcaktuar sipas nenit 11 të këtij ligji”. Ky ligj ka përcaktuar qartë, në mënyrë eksplicite dhe pa lënë vend për interpretim të zgjeruar, rreth institucioneve punonjësit e të cilëve do të përfshihen në Shërbimin civil. Punonjësit e administratës doganore nuk përfshihen në të.
    Në ndryshim nga kjo situatë ligjore, në aktet nënligjore në fushën e doganeve, që janë kryesisht vendime të Këshillit të Ministrave, gjenden referime në dispozita konkrete si të ligjit të mëparshëm “Për shërbimin civil” apo të ligjit “Statusi i nëpunësit civil” që lidhen qoftë me mënyrën e rekrutimit, sistemin e karrierës, masat disiplinore apo edhe me mënyrën e ankimimit kundër tyre. Shpesh këto përcaktime janë të drejtpërdrejta, të qarta dhe të tilla që të krijojnë përshtypjen se punonjësit e doganave e gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Por vërehet se aktet e nxjerra nga Këshilli i Ministrave i kanë kaluar kufijtë e autorizimit të dhënë nga ligji, pasi janë shtrirë për çështje që ligji nuk i ka parashikuar dhe tej parimeve që vetë ligji ka pranuar.
    Prandaj, përfshirja dhe rregullimi me akte nënligjore i problemeve të tjera, siç do të ishte edhe statusi i punonjësve të doganave, i bën këto akte nënligjore, për këtë pjesë që të dalin mbi ligjin, gjë që do të ishte antikushtetuese.
    Sikundër rezulton më lart, Kolegjet e Bashkuara të konkludojnë se si statusi i një kategorie të caktuar punonjësish, ashtu edhe juridiksioni i organeve që i shqyrtojnë dhe zgjidhin ankimet ndaj vendimeve të lidhura me këtë kategori, janë çështje që nga natyra e tyre përcaktohen me ligj dhe jo me akte nënligjore.
    Ndërsa me VKM Nr. 172 u shkua edhe më larg, me shfuqizimin e nenit 19, i cili për ankimet kundër masave disiplinore referonte në Ligjin 8549 dhe u parashikua si rrugë ankimi ajo gjyqësore. Pra, siç shihet vetë, aktet nënligjore të mëvonshme shfuqizuan ato dispozita të akteve të mëparshme, me të cilat synohej përafrimi me ligjin “Statusi i Nëpunësit Civil”. Nisur nga argumentet e mësipërme, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë arrijnë në përfundimin se Ligji Nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i Nëpunësit Civil” nuk shtrihet mbi punonjësit e administratës doganore. Këta të fundit nuk e kanë fituar ndonjëherë këtë status me ligjin e mëparshëm dhe nuk e gëzojnë as me këtë ligj.

    11 Tetor 2007

    • gene
    • Posted October 13, 2007 at 7:06 PM
    • Permalink

    Banka Botërore: Të zhbllokohet urgjentisht Komisioni i Shërbimit Civil!

    Shaban Sulçe

    Banka Botërore shpreh shqetësimin e saj për situatën aktuale bllokuese të Komisionit të Shërbimit Civil. Përfaqësia e Bankës Botërore në Tiranë ka organizuar tri ditë më parë një takim me tre anëtarë të këtij Komisioni, ku, pasi është informuar për situatën, ka kërkuar ndërhyrjen dhe zhbllokimin e menjëhershëm të KSHC-së dhe si rrjedhojë funksionimin normal të këtij institucioni.
    Takimi
    Tri ditë më parë, me kërkesën e Misionit të Bankës Botërore, tre anëtarë të Komisionit të Shërbimit Civil, Mimoza Hysenaj, zëvendëskryetare e këtij Komisioni, njëherazi me cilësinë e përfaqësueses së këtij institucioni, si dhe anëtarët Shahin Bistri dhe Vera Shtjefni, patën një takim pune me përfaqësuesit e Bankës Botërore. Takimi u zhvillua në ambientet e përfaqësisë së Bankës Botërore në Tiranë. Sipas njoftimit zyrtar të KSHC-së, në takim të dyja palët shprehën mendime për ecurinë e punës së KSHC-së në këto vite dhe shkëmbyen ide në lidhje me mënyrën e përmirësimit të punës, rritjes së eficiencës dhe të efektshmërisë së këtij institucioni në trajtimin e çështjeve që janë fushë e veprimit të ligjit të “Statusit të Nëpunësit Civil”, për nevojën e përmirësimit të këtij ligji, bashkëpunimi me DAP dhe institucionet e ndryshme ndërkombëtare që punojnë në vendin tonë, për zbatimin e reformave në fushat përkatëse të veprimtarisë së tij, ndërsa mendimi i përgjithshëm ishte që KSHC nga viti në vit e ka përmirësuar punën e tij si me zgjidhjen objektive të ankesave të nëpunësve civilë, ashtu edhe në mbikëqyrjen e menaxhimit të shërbimit civil në institucionet përkatëse. U vlerësua në veçanti puna cilësore e KSHC-së, pasi mbi 90% e vendimeve të tij kur janë ankimuar në gjykatë janë lënë në fuqi.
    Deklarata
    Tre anëtarët e këtij institucioni të rëndësishëm, pas interesimit të shprehur nga ana e përfaqësuesve të misionit të Bankës Botërore, shpjeguan situatën e krijuar në këtë institucion, pas dorëheqjes nga ana e ish-kryetarit të KSHC-së.
    Njëherazi me informimin rreth situatës së krijuar, përfaqësuesit e KSHC-së shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me pasojat negative që po reflektonte një situatë e tillë në përmbushjen e detyrimeve që ka ky institucion në trajtimin e ankesave të nëpunësve civilë të depozituara në KSHC, duke shprehur gatishmërinë e tyre që institucioni të vazhdojë në përmbushjen e të gjitha detyrave të tij funksionale.
    Përfaqësuesit e KSHC-së shprehën bindjen se dalja nga kjo situatë paligjshmërie duhet të bëhet vetëm në rrugë ligjore dhe në respektim të kërkesave të Ligjit Nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i Nëpunësit Civil”, Rregullores së funksionimit të këtij Komisioni si dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi.
    Bllokimi i KSHC-së
    Aktualisht, Komisioni i Shërbimit Civil figuron i bllokuar si rezultat i ndryshimeve të ndodhura në kreun e këtij institucioni. Pas dorëheqjes së ish-kryetarit Roland Përmeti, në votimin në të cilin morën pjesë vetëm tre anëtarë të këtij komisioni, kryetar u zgjodh Saimir Mani. Por zgjedhja e Manit u konsiderua e paligjshme nga pjesa tjetër e anëtarëve të KSHC-së, të cilët pretendojnë se, sipas ligjit, kompetencat e kryetarit të KSHC-së duhet t’i kalojnë zëvendëskryetarit, post i cili mbahet aktualisht nga Mimoza Hysenaj. Gjithsesi, kjo situatë vazhdon të mbetet ende e pazgjidhur dhe si rrjedhim puna në Komisionin e Shërbimit Civil vazhdon të jetë e bllokuar dhe ende nuk dihet se kur do të ndodhë zhbllokimi i saj. Por ajo që dihet me siguri është se si rezultat i bllokimit të KSHC-së, pranë këtij institucioni janë grumbulluar 200 ankesa të pashqyrtuara të punonjësve të administratës shqiptare, të cilët pretendojnë të jenë shkarkuar në mënyrë të paligjshme nga puna.

    12 Tetor 2007


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: