Skip navigation

QKR fillon aktivitetin, tashmë, regjistrimi i çdo biznesi, në një ditë dhe vetëm 100 lekë

Nga Ergys Mertiri

Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR) filloi dje aktivitetin e saj për regjistrimin e bizneseve. Kjo qendër do të bëjë të mundur tashmë regjistrimin e të gjitha bizneseve brenda një dite dhe vetëm me një ndalesë. E gjithë kjo është bërë për të lehtësuar bizneset në procedurat administrative, duke shmangur të gjitha burokracitë në marrëdhënie me shtetin për sa i përket regjistrimit, si dhe hedhjes së infromacioneve për bizneset. Qendra do të kryejë disa lloj shërbimesh, duke shkurtuar kohën dhe shpenzimet e biznesit për procedurat e regjistrimit, si dhe për grumbullimin e të dhënave. Gjithashtu, përveç kësaj, qendra do të shërbejë edhe për regjistrimin në të njëjtën kohë për qëllime tatimore, për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe për Inspektoriatin e Punës.

Regjistrimi

Duke vizituar QKR-në në Tiranë, ose në një nga sportelet e shërbimit të saj në rrethe, të cilat do të hapen së shpejti, si edhe në faqen e internetit të saj, qytetarët si edhe bizneset do të mund të marrin të gjithë informacionin dhe formularët e nevojshëm për të regjistruar bizneset e tyre dhe për të përditësuar të dhënat e kompanive. Duke plotësuar saktë formularin e aplikimit pranë QKR-së ose në zyrat e tyre, si dhe me dokumentet e duhura mbështetëse, qytetarët mund ta dorëzojnë kërkesën për të regjistruar biznesin në QKR ose në sportelet e shërbimit në bashki dhe mund të marrin përgjigje brenda një dite.

Regjistrimi, në një ditë dhe vetëm me 100 lekë

Pagesa për secilin nga shërbimet e ofruara nga QKR-ja për regjistrim ose përditësim të dhënash është vetëm 100 lekë. E gjithë kjo përbën një kosto të madhe të shkurtuar për biznesin. Sipas një studimi të Bankës Botërore. kostoja e regjistrimit të një biznesi në Shqipëri shkon në rreth 647 dollarë. Kjo përllogaritje ka dalë në bazë të një sondazhi të bërë nga Banka Botërore: “Të bësh biznes në Shqipëri”, ku kostoja prej 647 dollarësh për regjistrimin e biznesit është nxjerrë pa llogaritur shpenzimet e tjera për licencimin etj. Po kështu, kjo kosto i përket vetëm pengesave finanicare zyrtare që kërkon administrata dhe jo shpenzimeve të noterëve etj. Tashmë, kostoja e regjistrimit të një biznesi do të zbresë në vetëm 1 dollar. Kjo nuk përfshin pagesat për noterët që do të certifikojnë statusin e sh.p.k dhe aktin e themelimit. Në këtë mënyrë, përveç 646 dollarëve që i përkasin shpenzimeve për administratën, QKR-ja do të eliminojë thuajse totalisht edhe shpenzimet e tjera që çdo biznesi i shkojnë për noterët etj., duke e bërë mjaft të madhe eliminimin e kostos së regjistrimit.

Kostoja e kohës shkurtohet nga 47 në 1 ditë

Gjithashtu, në procesin e tanishëm të regjistrimit, përveç pagesave ligjore, një faktor tjetër i rëndësishëm i kostos së lartë të regjistrimit është edhe pengesa kohore. Për sa i përket kostos kohore, sipas studimit të Bankës Botërore, për regjisrimin e një biznesi në Shqipëri duhen mesatarisht rreth 47 ditë, gjë që përbën një pengesë të rëndësishme burokratike për të gjitha bizneset e reja të cilat synojnë të hapin aktivitetet e tyre. Qeveria Shqiptare ka marrë përsipër që të tërë këtë kosto kohore dhe financiare ta eliminojë, duke e çuar në minimumin e mundshëm. Nisma “One stop shop” do të bëjë të mundur pikërisht thjeshtimin e procedurave për të përfunduar çdo regjistrim biznesi në një ditë dhe me një dollar. E gjithë kjo do të synojë që procedurat të shkurtojnë çdo pengesë të mundshme administrative, duke bërë që biznesi të shpenzojë sa më pak energji, kohë dhe para për administratën.

QKR ofron edhe mundësinë e regjistrimit me anë të internetit

Sapo të miratohet ligji për nënshkrimin elektronik, bizneset do të kenë mundësi të regjistrohen plotësisht online. Kalimi në linjat online të çdo lloj dokumentesh të aktiviteteve të ndryshme ligjore, fiskale, etj., të bizneseve dhe të çdo lloj shërbimt, do të mbështetet për herë të parë me një kuadër të plotë ligjor, të cilin Ministria e Ekonomisë është duke e hartuar për rregullimin e këtij sektori. Për këtë, ministria ka ngritur një grup pune, me qëllim hartimin e ligjit të ri “firma elektronike”, që realizohet për herë të parë në Shqipëri. E gjithë kjo shihet si një mundësi që çdo qytetar të mund të realizojë në mënyrë online çdo shkëmbim dokumentacionesh, si pagesa, prokurimet, etj. Në këtë mënyrë, aplikimi i një shërbimi të tillë do të sillte shmangien e një sërë burokracish, të cilat iu kushtojnë mjaft kohë dhe para qytetarëve. Por, ky shërbim do të mund të bëhet i mundur vetëm nëpërmjet informatizimit të administratës, i cili ka filluar tashmë. Ky proces do të sjellë, jo vetëm lehtësi të mëdha për qytetarët, bizneset, ndërmarrjet etj., por do të rrisë efikasitetin e punës së administratës, si dhe do të rrisë shkëmbimin e informacionit, duke prodhuar politika më të mira në funksion të zhvillimit. Procesi i infromatizimit ka filluar në pjesë të rëndësishme të administratës si tatimet, doganat, etj. E gjithë kjo do të bëjë të mundur që, në procesin e regjistrimit, kompanitë që regjistrojnë aktivitetet e tyre të mos kenë nevojë as të paraqiten në zyrat e administratës për këtë gjë, si dhe gjithashtu do të bëjë që shkurtimi i pengesave administrative të sjellë që biznesi të shpenzojë sa më pak energji, kohë dhe para për administratën. Po kështu, miratimi i ligjit pritet të bëhet brenda këtij viti, duke bërë që ky ligj të hyjë në zbatim për vitin e ardhshëm. Një praktikë e tillë është duke u realizuar edhe lidhur me pagesat e taksave nëpërmjet internetit, ku çdo biznes do të mund të kryejë çdo pagesë në organet tatimore, pa pasur nevojë për të shkuar në zyrat e administratës. Deri tani, janë krijuar prototipet për deklarimin dhe pagesën elektronike të disa tatimeve për tatimpaguesit e mëdhenj, për prokurimin elektronik dhe për regjistrimin elektronik të biznesit. Po kështu, sistemi i informatizimit do të shtrihet edhe në sistemin e prokurimeve, ku do të kryhen një sërë shërbimesh në funksion të kompanive, të cilat do të duan të marrin pjesë në tenderat publikë.

QKR: Çdo biznes i ri regjistrohet automatikisht edhe në tatime

QKR-ja nënshkroi dje, në ditën e parë të aktivitetit të saj, një marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila synon shkëmbimin e të dhënave të regjistrit tregtar në procesin e regjistrimit të biznesit dhe regjistrimit fiskal. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i ri i QKR-së, Tomi Kola dhe drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Gerta Picari. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, palët u angazhuan për shkëmbimin e informacionit mes tyre. Nga ana e tyre, tatimet do të vënë në dispozicion të QKR-së, të gjitha të dhënat për regjistrimet fillestare, për ndryshimet për çdo biznes, të cilat tashmë do të kryhen vetëm nga QKR-ja, i cili është organi i vetëm regjistrues. Në bazë të marrëveshjes, me miratimin e një aplikimi për regjistrimin e një biznesi të ri, regjistruesi i QKR-së do të bëjë të mundur që sistemi elektronik i QKR-së të gjenerojë një numër unik identifikimi (NIPT), i cili do të aplikohet për biznesin e regjistruar në fjalë. Me gjenerimin e NIPT-it, QKR-ja duhet t’i sigurojë DPT-së, në mënyrë elektronike, të dhënat e duhura për regjistrimin fiskal të subjektit të saporegjistruar. Drejtoresha e DPT-së, Gerta Picari, e ka konsideruar këtë marrëveshje si një hallkë të rëndësishme të projektit të qeverisë shqiptare, për të shmangur procedurat korruptive që janë shfaqur gjatë gjithë këtyre viteve, të cilat i merrnin frymën biznesit që në lindjen e tij. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ofrojë në këtë proces të ri, të gjithë eksperiencën pozitive të grumbulluar në vite në këtë fushë, duke u bërë partner i qenësishëm i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

10 Comments

    • gene
    • Posted September 4, 2007 at 1:36 PM
    • Permalink

    Nderkohe une nuk arrij te gjej adresen web te qkr.Ndertersa me duket se gjendet tek ish INIMA (prapa piramides, tek instat)

    • gene
    • Posted September 4, 2007 at 1:37 PM
    • Permalink

    REGJISTRIMI I BIZNESIT

    Duke filluar nga muaji shtator 2007, procedura e regjistrimit te bizneseve do te kryhet nga Qendra Kombetare e Rregjistrimit. Për më shumë informacion materiali në vijim:
    Qëndra Kombëtare e Regjistrimit kryen regjistrimin e subjekteve ne Regjistrin Tregtar, në funksion të regjistrimit fiskal, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe inspektimit të marrëdhënieve te punës.

    QKR ofron shërbimin ndaj publikut në mënyrë të drejtpërdrejtë me sportelet e saj në qendër, si dhe nëpërmjet sporteleve të shërbimit, që funksionojnë në bashki dhe komuna.

    Subjektet që detyrohen të regjistrohen në Regjistrin Tregtar janë:

    a. Personat Fizik, që ushtrojnë aktivitet ekonomik tregtar;
    b. Shoqëritë e Thjeshta, sipas dispozitave te Kodit Civil;
    c. Shoqëritë Tregtare;
    d. Degët dhe Zyrat e Përfaqësimit të Shoqërive të huaja;
    e. Shoqëritë dhe Unionet e Kursim Kreditit;
    f. Shoqëritë e Bashkëpunimit Reciprok;
    g. Çdo subjekt tjetër, për të cilin parashikohet detyrimi për regjistrim në bazë të
    legjislacionit shqiptar.

    Subjektet aplikojnë për regjistrim fillestar brenda një afati 15 ditor, përveç kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme.
    Afati llogaritet:
    a. për personat fizik, shoqëritë e thjeshta dhe degët apo zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, nga dita e nisjes së aktivitetit;
    b. për personat juridikë, nga dita e themelimit;

    Aplikimi për regjistrim fillestar dhe regjistrimet e tjera të personave fizik, bëhet nga vetë personi që regjistrohet, apo nga çdo person i autorizuar prej tij.

    Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive të thjeshta bëhet nga të gjithë anëtarët, apo nga çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretet ose çdo person i autorizuar prej tyre.
    Aplikimi për regjistrimin fillestar të shoqërive tregtare bëhet nga të gjithë ortakët e një shoqërie kolektive, të gjithë ortakët e “pakufizuar” të një shoqërie komandite, të gjithë administratorët e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar, të gjithë anëtarët e drejtorisë të një shoqërie anonime apo nga çdo person i autorizuar nga personat e përmendur më sipër. Aplikimi për regjistrimet e tjera bëhet nga personat përgjegjës për përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët ose çdo person i autorizuar prej tyre. Aplikimi për regjistrimin e veprimeve juridike që kanë lidhje me pjesëmarrjet, kuotat apo aksionet, mund të kryhen gjithashtu dhe nga anëtari, ortaku apo aksionari, të cilit i përkasin.
    Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të degëve dhe zyrave të përfaqësimit të shoqërive të huaja bëhet nga përfaqësuesi ligjor i degës apo zyrës së përfaqësimit, nga përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë së huaj, apo nga çdo person i autorizuar nga njeri prej personave të përmendur më sipër.
    Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive dhe unioneve kursim-kredi bëhet nga kryetari i bordit drejtues apo nga çdo person i autorizuar prej tij.
    Aplikimi për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të shoqërive të ndihmës e bashkëpunimit reciprok bëhet nga kryetari i këshillit administrativ ose nga çdo person i autorizuar prej tij;

    Për subjektet e tjera, që regjistrohen në Regjistrin Tregtar sipas ligjeve të veçanta, aplikimi behet nga përfaqësuesit ligjorë, sipas përcaktimit të ligjeve përkatëse, ose nga çdo person i autorizuar prej tyre.

    Aplikimi dhe Forma e dokumenteve shoqëruese

    1. Regjistrimi kryhet me dorëzimin e aplikimit përkatës, të cilit i bashkëngjiten dokumentet shoqëruese që provojnë të dhënat që regjistrohen;
    2. Dokumentet shoqëruese duhet të dorëzohen në origjinal ose në kopje të njësuara me origjinalin dhe të jene hartuar në formën e përcaktuar nga legjislacioni përkatës;
    3. Dokumentet shoqëruese nuk duhet të përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara sipas dispozitave përkatëse ligjore, dhe përmbajtja e tyre duhet të duket qartë, të jetë e lexueshme dhe të lejojë marrjen e imazhit elektronik të dokumentit;
    4. Dokumentet shoqëruese duhet të jenë në gjuhën shqipe. Së bashku me dokumentin shoqërues në shqip, aplikanti mund të depozitojë edhe përkthimin e vërtetuar në gjuhë të huaj. Aktet private dhe dokumentet zyrtare të juridiksioneve të huaja duhet të shoqërohen me përkthimin e vërtetuar në gjuhen shqipe dhe të legalizohen sipas ligjeve në fuqi dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.

    REGJISTRIMI FILLESTAR

    Mënyra e aplikimit për regjistrimin fillestar

    1. Personat Fizikë, regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, si dhe një kopje të dokumentit të identifikimit.
    2. Shoqëritë e Thjeshta, regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, kontratën përkatëse sipas parashikimeve të Kodit Civil dhe kopje të dokumenteve të identifikimit të anëtarëve. Në rast se palët nuk kanë lidhur kontratë me shkrim, regjistrimi i shoqërisë së thjeshte mund të kryhet duke depozituar vetëm aplikimin e plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, kopje të dokumenteve të identifikimit, dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi, në lidhje me organizimin dhe funksionimin e shoqërisë së thjeshtë.
    3. Shoqëritë Tregtare, regjistrohen në Regjistrin Tregtar, duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast së janë hartuar si dy dokumente të veçanta, aktet e emërimit të organeve të shoqërisë, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme, si dhe aktet
    e tjera të nevojshme për themelimin sipas legjislacionit në fuqi.

    4. Shoqëritë kolektive, komandite dhe ato me përgjegjësi te kufizuar, mund te regjistrohen, gjithashtu, duke depozituar vetëm aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, dokumentet e identifikimit të anëtarëve apo ortakëve, dhe duke nënshkruar deklaratën e posaçme për njohjen, pranimin dhe zbatimin e dispozitave ligjore në fuqi në lidhje me organizimin dhe funksionimin e llojit të shoqërisë që regjistrohet. Në këtë rast, aplikimi për regjistrim fillestar dhe deklarata e mësipërme, e nënshkruar sipas rastit nga ortakët, anëtarët ose nga personat e autorizuar të veprojnë në emër e për llogari të tyre, zëvendëson aktin e themelimit dhe statutin e shoqërisë.
    5. Degët dhe Zyrat e përfaqësimit të shoqërive të huaja, regjistrohen duke depozituar aplikimin për regjistrim fillestar, të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme sipas këtij ligji, si dhe:
    a) aktin e themelimit e statutin e shoqërisë se huaj, kur këto janë dy dokumente të veçantë, apo, në mungesë, aktin ekuivalent të krijimit sipas legjislacionit të huaj, si dhe tekstin e plotë të tyre me ndryshimet e mëpasme;
    b) dokumentacionin, që vërteton regjistrimin e shoqërisë së huaj në juridiksionin e huaj;
    c) dokumentacionin, që vërteton gjëndjen aktuale të shoqërisë së huaj, të lëshuar brenda një afati jo më shumë se 90 ditë nga data e aplikimit, me të dhënat e saj të regjistrimit dhe përfaqësimit, duke përfshire edhe informacionin nëse është në proces likuidimi apo falimentimi;
    d) bilancin e shoqërisë së huaj për vitin e fundit financiar, mbajtur sipas standardeve të kërkuara në shtetin e huaj, nëse shoqëria e huaj ka patur aktivitet për më shumë se një vit;
    e) vendimin, ose aktet e tjera të organit kompetent të shoqërisë së huaj, sipas ligjit të juridiksionit të huaj për hapjen e degës ose zyrës së përfaqësimit. Aktet e kësaj pike zëvendësohen nga aplikimi për regjistrim në rastin kur personi që kërkon regjistrimin është njëkohësisht organi kompetent për të vepruar i vetëm në emër të shoqërisë së huaj.
    6. Shoqëritë dhe Unionet e kursim kredisë, si dhe shoqëritë e bashkëpunimit reciprok, regjistrohen duke depozituar në Regjistrin Tregtar aplikimin për regjistrim fillestar të plotësuar me të gjitha të dhënat e detyrueshme, sipas këtij ligji, statutin dhe aktin e themelimit, në rast se janë hartuar si dy dokumente të veçanta, si dhe çdo dokument tjetër
    të kërkuar sipas legjislacionit në fuqi.

    Subjektet e Huaja

    1. Në rastet e regjistrimit të personave juridik ose shoqërive të thjeshta me ortak, aksionar
    ose anëtar një person juridik të huaj, përveç dokumenteve të kërkuara, sipas llojit të subjektit, aplikimit për regjistrim fillestar i bashkëngjiten gjithashtu dokumentet e përcaktuar në pikat “a”, “b”, “c” dhe “e” të pikës 5 (të mësipërme), në lidhje me personin juridik të huaj.

    Subjektet që regjistrohen si persona juridikë, e fitojnë personalitetin e tyre juridik me regjistrimin në Regjistrin Tregtar, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe nga ligje të posaçme.

    Shqyrtimi i aplikimit

    1. QKR asiston aplikantin në plotësimin e aplikimit dhe verifikon:
    a. Identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është person i autorizuar për të bërë regjistrimin;
    b. Plotësimin e të gjitha të dhënave të detyrueshme të kërkuara, si dhe dokumentet shoqëruese;
    c. Paraqitjen në formën e kërkuar të dokumentacionit shoqërues, që vërteton të dhënat që regjistrohen;
    d. Faktin, nëse të dhënat e shprehura në formularin e regjistrimit nuk kundërshtojnë në mënyrë të dukshme të dhënat që përmbajnë dokumentet shoqëruese të formularit;
    e. Faktin, nëse dokumentacioni i paraqitur nuk përmban korrigjime a fshirje të pavërtetuara sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tij nuk duket qartë, është e palexueshme apo pengon marrjen e imazhit elektronik;
    f. Nëse emri i zgjedhur mund të regjistrohet;
    g. Pagesën e tarifës përkatëse për regjistrim;
    h. Faktin nëse aplikanti ka shlyer sanksionet administrative;

    QKR, pasi kryen verifikimet përkatëse dhe konstaton përmbushjen e kushteve për regjistrim, sipas këtij ligji, kryen regjistrimin në Regjistër dhe lëshon çertifikatën e regjistrimit brenda një afati prej 1 dite nga data e paraqitjes së aplikimit.

    Regjistrimi i subjekteve në Regjistrin Tregtar përbën, gjithashtu, regjistrimin e njëkohshëm të tyre pranë autoriteteve tatimore, në skemën e sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe pranë inspektoratit të punës.
    Për qëllimet e regjistrimit dhe të pajisjes me çertifikatën e regjistrimit fillestar, subjektet deklarojnë, gjithashtu, të dhënat e detyrueshme, sipas legjislacionit tatimor të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe atij të statistikave, sipas formularëve përkatës.

    Me regjistrimin në Regjistër, subjekteve u jepet numri i identifikimit, i cili gjenerohet në
    mënyrë elektronike nga QKR dhe është unik për çdo subjekt të regjistruar.
    Numri Unik i Identifikimit të Subjektit është i vlefshëm për identifikimin e subjekteve për qëllimet e regjistrimit në regjistër, për qëllimet e regjistrimit si person i tatueshëm pranë autoriteteve fiskale qendrore dhe vendore, për skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, autoritetet e inspektimit të marrëdhënieve të punës, si dhe për çdo qëllim tjetër statistikor ose identifikues.
    Numri Unik i Identifikimit të Subjektit jepet vetëm një here, në momentin e regjistrimit fillestar, do të jetë i pandryshueshëm, dhe nuk do t’i jepet subjekteve të tjerë, edhe pas çregjistrimit.
    Subjektet e regjistruara janë të detyruar të shënojnë Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit në çdo korrespondencë të tyre.

    Brenda afatit të përcaktuar për regjistrimin fillestar, QKR i lëshon subjektit të regjistruar Çertifikatën e Regjistrimit, e cila përmban emrin, formën, Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit, datën e regjistrimit fillestar dhe selinë ose adresën e vendit kryesor të ushtrimit të aktivitetit.
    Në rast se subjekti i regjistruar ushtron aktivitet në më shume se një vend, QKR lëshon nga një çertifikatë regjistrimi për çdo vend të ushtrimit të aktivitetit. Këto certifikata, përveç adresës përkatëse, përmbajnë gjithashtu emrin, formën, datën e regjistrimit fillestar dhe Numrin Unik të Identifikimit të Subjektit.

    Në rastet kur subjekti ndryshon emrin, formën, selinë apo vendet e ushtrimit te aktivitetit, QKR zëvendëson çertifikatat e lëshuara më parë me një çertifikatë të re, për çdo vend të ushtrimit të aktivitetit.

    Dhoma e tregtise dhe industrise tirane

    • gene
    • Posted September 6, 2007 at 9:42 AM
    • Permalink

    Regjistrohen 26 bizneset e para në One stop Shop

    Në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, që në ditën e parë të aktivitetit të saj, u afruan 26 klientë, bëri të ditur drejtori i QKR-së, Tomi Kola. Por prej tyre, vetëm një pjesë dorëzuan të plotë dokumentacionin, një pjesë erdhën për informacion, ndërsa të tjerët do t’u duhen të plotësojnë dokumentacionin, tha Kola. Ka nisur kështu dita e parë e punës në regjistrimin e biznesit sipas modelit të njohur “one stop shop”.
    Ndërkohë, sipas një marrëveshjeje të lidhur dje mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe QKR, do të dorëzohet i gjithë regjistri tatimor i bizneseve pranë Zyrës së Regjistrimit pranë QKR-së. …

    gazeta ALBANIA

    • gene
    • Posted September 13, 2007 at 11:55 AM
    • Permalink

    Qendra e Regjistrimit të Bizneseve kyçet një ditë pas hapjes

    Vitore Nela
    12-09-2007

    E-mail Print
    Komentet Komenti juaj + –

    Dështon që në lindje projekti “One stop shop”. Qytetarët, ankesa dhe protesta para zyrës

    Qendra mbyllet deri më 21 shtator. Pastaj do të pranohen vetëm 30 aplikime në ditë

    Radhë në njerëz, paqartësi dhe hera-herës nervozizëm e pakënaqësi. Kjo është situata që has në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit fiks një ditë pas inaugurimit. Edhe pse në dyert e saj gjen të afishuar njoftime dhe lista që përcaktojnë dokumentet që nevojiten, të interesuarit shfrytëzojnë çdo moment që hapet dera për të bërë pyetje. Më të shkathëtit ia hedhin dhe arrijnë të futen brenda; hallall, një shans më shumë për t’u sqaruar! Por ka edhe më fatlumë! Këta të fundit, që mund të kenë ndonjë të njohur brenda, arrijnë të hyjnë pa asnjë lloj mundimi dhe pa pritur gjatë. Punë e madhe nëse ata që mbeten përjashta kanë me orë të tëra që presin! Por, që të mos e lëmë pa e përmendur: “Ka dhe më keq!”. E gjithë pritja të shkon dëm nëse që më përpara nuk je pajisur me një numër rendor. që atje e quajnë ekstrakt. Një njoftim i afishuar në derë sqaron se personat që kërkojnë ekstrakt duhet të tërheqin dhe plotësojnë një formular, të cilin më pas e dorëzojnë në zyrën e Informacionit të QKR-së. Kush ishte më i informuar, i sqaronte shokut se në këtë formular duhen përmbledhur vendime dhe ndryshime të shoqërisë tregtare që zotëron. Sipas lajmërimeve të afishuara në hyrjen e zyrës, regjistrimet do të ndalojnë për të rinisur në datën 21 shtator, dhe çdo ditë do të pranohen vetëm 30 aplikime në ditë. Kjo i ka bërë skeptikë biznesmenët, të cilët duke parë se si po procedohet, dyshojnë fort se do të kenë vërtet lehtësira në këtë proces. Iliri, njëri prej tyre, pasi doli nga këto zyra u shpreh për gazetën “Shekulli”: “Erdha për të bërë një ndryshim në skedën e subjektit dhe nuk është e para herë që vij. Përfshi edhe ditët e mëparshme, kam ardhur mbi 5 herë, sepse para se të vendosej marrja e ekstrakteve ishte shumë rrëmujë mënyra e mbajtjes së radhës dhe rregullit. Në media është thënë se mund të mbarohet punë për një ditë, por janë vetëm deklarata dhe nuk vlejnë për ne që na duhet të paraqitemi këtu edhe javës tjetër për të mbaruar plotësisht punë”.

    E pyetur për kaosin e krijuar që ditën e parë të hapjes së zyrës, një punonjëse u përgjigj se këto janë rrethanat kur për gjithë Shqipërinë janë në dispozicion vetëm katër sportele.

    Edhe Mirjeta, një juriste që kishte ardhur për informacion, ishte e mendimit se ky ishte shkaku kryesor i krijimit të rrëmujës dhe vonesave. “Dua të marr një informacion të përgjithshëm për shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar. Po marr informacione sot, me qëllim që herës tjetër të mos na pezullohet procedura, për një arsye ose për një tjetër. Sidoqoftë, kjo nuk duhet të kishte filluar asgjë pa u marrë masat administrative në personel dhe në rrethe. Kjo krijon fluks të madh këtu dhe vonesat mund të krijojnë pasoja në bizneset tona”.

    Nuk mungojnë edhe ata që murmurisin nëpër dhëmbë e thonë kush të siguron që nuk do ketë ndryshim apo zhvendosje radhe, ndër këta 30 kërkesa të ditës. Nuk kanë faj ata që thonë se kot që qahemi nga gjykata.

    Bajrami, që ka ardhur për t’u informuar për dokumentat që i duhen për hapjen e biznesit, thotë se nuk i hyjnë fare në punë ato që QKR-ja ka afishuar. “Nuk gjej një përgjigje duke lexuar këta këtu sepse unë dua të jem aksioner me disa të huaj dhe nuk jam i qartë nëse në këtë rast duhet vetëm kaq, apo edhe të tjera shtesë. Shpresoj të sqarohem më në detaje sot, sepse dje ishte radhë e madhe dhe nuk arrita as të hyj brenda”,- tha ai.

    Një ditë më parë, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Tiranë, Uidhers, inauguroi me një ceremoni spektakolare hapjen e zyrës së financuar nga Programi i Pragut të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit. Sipas Berishës, Qendra Ndërkombëtare e Regjistrimit të Biznesit, me një qëndrim në sportel, është në hap shumë i madh përpara, në përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe burokracinë.

    Por për efikasitetin e kësaj zyre nuk dukeshin shumë të bindur zotërinjtë që prisnin me orë aty, për të marrë ndonjë informacion të saktë. Të joshur nga pamjet festive të inaugurimit të zyrës një ditë më parë nga Kryeministri dhe premtimi se procedurat do të mbaronin brenda një dite, qytetarë të shumtë që duan të hapin një biznes, por edhe biznesmenë të vegjël që duan të kalojnë te biznesi i madh kanë shpejtuar të jenë aty, por jo të gjithë kanë mundur të marrin shpjegimet e nevojshme.

    Inaugurimi

    Projekti “One stop shop”, reduktim korrupsionit dhe burokracisë

    Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Biznesit u hap me një ceremoni pompoze vetëm dy ditë më parë, me përkrahjen e Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit dhe ajo u mundëson bizneseve regjistrimin e tyre brenda një dite të vetme dhe vetëm në një zyrë. Përurimin e bënë kryeministri Berisha, ambasadori amerikan në Tiranë, zoti John L.Withers dhe zonja Maria Longi, drejtore për programet e Pragut të Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit.

    Sipas Berishës, hapja e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit, ku sipërmarrësit regjistrojnë aktivitetin e tyre brenda një dite dhe me një qëndrim në sportel, është një hap shumë i madh përpara, në përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe burokracinë.

    Ai premtoi se “One stop shop” është një lehtësi e madhe për biznesin, por “One stop Shop” për licencat dhe lejet është një lehtësi akoma më e madhe, sepse ajo redukton shumë korrupsionin, redukton shumë kohën e marrjes së tyre”.

    Krijimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit është pjesë e reformave të administratës publike në Shqipëri, mbështetur nga marrëveshja Pragu i Sfidës së Mijëvjeçarit për Shqipërinë ndërmjet qeverisë së SHBA-ve dhe qeverisë së Shqipërisë, administruar nga USAID. Marrëveshja dyvjeçare prej 13.85 milionë dollarësh mes qeverisë së Shqipërisë dhe Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit synon të reduktojë praktikat korruptive, të reduktojë informalitetin dhe të përmirësojë mjedisin për biznesin në Shqipëri, përmes një programi të bazuar në zgjidhje TI dhe të ndihmës ligjore e teknike.

    shekulli

    • gene
    • Posted September 24, 2007 at 10:33 AM
    • Permalink

    nderkohe ne web jane zhdukur instruksionet e plotesimit te formulareve te aplikimit.

    • gene
    • Posted October 11, 2007 at 12:46 PM
    • Permalink

    10/5/2007 11:42:21 AM REGJISTRIMI I BIZNESVE ELBASAN

    PAS TIRANES, QENDRA E RREGJISTRIMIT TE BIZNESIT HAPET EDHE NE ELBASAN. NE KETE QYTET BZINESI NGA DITA E SOTME MUND TE RREGJISTROHET BRENDA DITES. ZYRA E CILA NDODHET BRENDA QENDRES SE SHERBIMIT TE BIZNESIT NE KETE QYTET KA DY SPORTELE PER KLIENTET. SHERBIMI QE DO TE OFROHET ESHTE I NJEJTE ME SHERBIMIN QE OFRON QENDRA E TIRNES. VETEM PERGJATE MUAJIT SHTATORE NE QENDREN E TIRANES JANE RREGJISTRUAR RRETH 500 BIZNESE TE REJA. PROBLEMATIKA QE PO SHOQERON QENDREN E TIRNAES ESHTE FLUSKI I APLIMIMEVE, AQ SA JANE KRIJUAR RADHE TE GJATA PER TE RREGJISTRUARA BIZNESIN.

    • gene
    • Posted October 11, 2007 at 12:47 PM
    • Permalink

    10/8/2007 10:18:55 AM BIZNESI I VOGEL

    PER TE LEHTESUAR RREGJISTRIMIN E BIZNESIT TUAJ BASHKIA E TIRANES SHTONE DY SPORTELE TE REJA, PRANE QENDRES SE INFORMACIONIT NE TIRANE . TASHME KRYEQYTETASIT DO TE RREGJISTROJNE NE KOHE REALE BIZNESIN E TYRE. PER TIU PERGJIGJUR SA ME SHPEJT KERKESAVE TE BANOREVE TE TIRANES BASHKIA KA VENDOSUR QE BRENDA PAK JAVESH TE VE NE DISPOZICION TE BIZNESMENEVE TE VEGJEL EDHE DY SPORETELE TE TJERA.

    • gene
    • Posted February 12, 2009 at 4:33 PM
    • Permalink

    se shpejti do te aplikohet i njejti parim edhe ne qendren e re te licensimit.
    Licensat do te ndahen ne 3 kategori dhe per sejcilen do te aplikohen rregulla te vecanta duke filluar nga ajo me lehtesi me te medha tek ajo me procedura me te renduara.

  1. suksese te me tejshme per faqen tuaj te internetit. eshte shume interesante. a mund te me sillni listen e avokateve dhe zyrave avokatore te republikes se shqiperise te regjistruar prane jush, si dhe cdo hollesi te regjistrimit.(adrese, nr.cel. adrese emaili.etj). duke ju uruar pune te mbare jam ne pritje te kontaktimit nga ana juaj.

    • Anonymous
    • Posted May 12, 2009 at 10:24 AM
    • Permalink

    me duket se ka nje keqkuptim

    qendren kombetare te rregjistrimit e gjen tek

    http://www.qkr.gov.al

    ministrine e drejtesise tek
    http://www.justice.gov.al

    dhoma kombetare e avokatise
    http://www.dhkash.org
    (vetem link me mail per momentin)


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: