Skip navigation

Edison Ypi
Panorama

Koka t’u çaftë mbi ndonjë shkëmb në Shkopet! Sytë të dalçin! Goja t’u thaftë! Qaf’ e këmb’ e duar e brinj’ e kocka thefsh kur një makinë do t’vij’ përballë, ndërkohë që sapo ke zbritur nga makina drejt një restoranti andej nga Klosi për t’u takuar me disa mafiozë lokalë për të bërë hesapet e hajdutllëkut të minierës së Bulqizës, duke pirë raki’ e duke qeshur si kafshë. Lëkura t’u djegt’, gjaku të vërshoftë, trupi t’u shkërmoqtë duke ta hequr zvarrë po ajo makinë nga fërkimi me anën e rrugës shkëmbore, dhe tym e hi, dhe nishan mos të mbesi….
O turi qen, o hajdut i ndyrë, o gjakpirës, o vdekjembjellës, o plehër, o trumpirë, o shpirttharë; ti o pis, ti o bastard, ti o rrugaç që shqiptarëve minatorë të Bulqizës, të cilëve u ke vjedhur deri edhe frymën dhe zërin të flasin, deri edhe guximin të ta përmendin emrin, ti që bijtë e tyre i ke katandisur si të përhumbur, dhe bijave shpresën u ke vrarë, përderisa atje askush s’mundet, ka Bulqiza dy llafe për të t’i thënë:
Dëgjo o legen: Ato më lart i ke pak. Tingëllojnë si kompliment. Sepse për ty vështirë të gjindet mallkim. Sipas rastit, në varësi sa ke vjedhur, të tjera të presin.
Katër minatorë të vdekur për dy muaj o katil?! Ku janë paratë për sigurimin teknik të minierës o zorraxhi?! Sa vite ka që ato para vidhen?! Sa bëjnë të gjitha ato vjedhje o ndyrësirë ?!
Ke bërë vilë në bregdet?!
O pika ty o zagar! Edhe në Kuran është e shkruar se kur njerëzimi të jetë katandisur deri aty sa zagarët si ti të bëhen ndërtuesa, fundi i botës ka nisur. O u rrëzofshin trarët e tavanit të vilës, gjoksin ta çafshin ganxhat e ndryshkura! Dhe iksh përgjithmonë nga vila. Në vilë buburrecat mbetshin. Vilën e pushimit hijet e shpagimit ta popullofshin!
Ke ndërtuar pallat shumëkatësh në Tiranë, duke dhënë një ndihmesë të shquar për ndërtimin dhe begatimin e Shqipërisë?! Me ashensor pallati, me të gjitha?
Bukur! E gëzofsh! Ndonjë ditë ngjitu lart diku në ndonjë kat të ndonjë mik bashkëpunëtor në hajdutllëk për të bërë ndonjë dallavere. Ndërkohë që do bëni dallaveren ashensori do jet’ prishur, do ketë mbetur në katin e epërm. Pasi ta keni qepur mirë e mir’ dallaveren, dil, hap derën e ashensorit, bëj një hap në boshllëk, bjer në rënie të lirë me nxitim gravitacional, bëhu shuk në bodrum. Atje në fund, atje në terr, do humbësh ndjenjat. Pastaj, para se atje poshtë nga tmerri të të vijnë ndjenjat e larta që s’i ke pasur kurrë, do zbresë ashensori i ndrequr do të të bëjë dydimensional.
Ke blerë makinë 60 mijë euro për bijën a birin?! Apo i ke dërguar kalamajtë jashtë për studime në universitete të shtrenjta?!
“Mëkatet e prindërve, fëmijët mundojnë! “Eshtë në Bibël o plehër! Prandaj, në të gjitha rastet, me makinë pa studime, me studime pa makinë, me të dyja e të gjitha bashkë, megjithëse duket sikur ata, kalamajtë pra, s’kanë faj, por nga virusi ngjitës i pakurueshëm vdekjeprurës i hajdutllëkut, ndërkohë do jenë prekur, edhe ata natyrisht vdekja i pret. Prandaj ishallah kalofshin ndonjëherë këtej nga liqeni i Shkopetit me 100 në orë kalamajtë e tu shoferë të mbaruar a universitarë të mangët. U mbytshin në lumë. Aq thellë sa asnjë palombarë të mos i gjejë! Por meqenëse pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në krim nuk janë, me një lehtësim! Pa dhimbje, pa adhap! Me vetëm ca flluska fryme në sipërfaqe.
Ke ngritur një supermarket?! I pastër plot drita supermarketi?! Me shitëse të bukura, me kasa elektronike që tingëllojnë si muzika?!
Uau! E gëzofsh! Veç bëj një eksperiment! Tregohu i mëshirshëm. Thirri një ditë të psonisin “me sconto” në supermaketin tënd një mijë gra bulqizake me të zeza. Ato të funeraleve të minatorëve të vdekur. Do vinë të zezat do rrafshojnë gjithçka që do t’u duket se hahet. Xhelat e flokëve, bojërat e këpucëve, pastat e rrojeve, sprajtat me ngjyra. Lere-lere ç’do vejë! Kompjuterët do t’i marrin për televizorë, televizorët e mëdhenj për kinemara, çizmet e lëkurta të shëtitjeve të mbasditeve të grave të VIP-ave për çizme llastiku minatori galerie! S’do jet’ ndonjë ububu! S’ka problem për ty. Ke pare ti. Një qime pridhi të sat’ shoqeje i ke të tëra këto. Se mos ishin të tuat paratë. Të tyret ishin, të gjakut të burrave të vdekur pra.
Ke zënë të dashur të shtrenjtë?!
U pika që s’të ra! Dashnore ti?! Ti që s’ia del dot as me gruan! Nuk ka të dashur minatori të cilit s’i del, jo gruaja e vet, por as të tre bashkë; gruaja e vet’ plus gruan tënde plus ty, na paske të dashur ti! Nisu, që mos arrifsh kurrë, me gjithë të dashurën në Dhërmi! M’u në majë të Llogorasë t’u çafshin veshët nga rënkimet e varrit të Medi Janit në pyllin e Topojanit! Dhe t’u marrshin mentë që s’i ke. U rrëzofsh nga Llogoraja me gjith’ dashnoren, atë që i kushton tre milionë të reja vetëm një qime pylli pridhi. Ju hëngshin peshqit, kockat nën Karaburun të dyve ju mbetshin. Do të ngelet pak merak që s’vajte ta bëje një bamirësi’, t’ija ndreqje pakëz varrin Mediut, e me këtë rast të kishe zënë ndonjë miqësi në katund në formë kapitali human për të ardhmen tënde të ndritur të ndyrë. Por s’ka gjë. Ka plot meraqe që mbeten pa u realizuar në këtë jetë. Për më tepër që në këtë rast ti dhe ajo plotësuat merakun kryesor: Atë kur i thoshit njëri-tjetrit për ndonjë sekret të këndshëm “M’shtifsh në dhe po s’ma the’”, pavarësisht se me ujë e me dhe’ u bëtë një.
Ore, është e vërtetë që me paratë e vjedhura ke sajuar një nyje të prodhimit të materialeve të ndërtimit?! Se ashtu po thonë, prandaj po t’them. Po të jetë e vërtetë, e di ç’të bësh? Eshtë pakëz makabër por e lezetshme ama, dhe sidomos produktive. Vepro kështu; fto nga anembanë Shqipërisë shokët dhe shoqet e tua. Bëj kujdes të mos harrosh asnjë nga kryevampirët, kryevampireshat, kryehajdutët, kryehajdutet, kryekodoshët, kryekodoshet. Gënjeji! Thuaju se me rastin e përurimit të gurthyeseve dhe mullinjve të pluhurit të gurit, do t’u shtrosh një drekë të bollshme. Drekën ujdise në stilin e Masakrës së Manastirit. Ndizi mullinjtë e pluhurit. Mirësemëerdhët o pashallarë, përshëndeti hajdutët. Dhe aty për aty hidhi të tërë një nga një brenda në mulli’. I fundit hidhu vet. Pas pak bluajtja e imët dhe përzierja e mishit me gjakun dhe kockat e zgjyrës së shqiptarisë do bëjë që nga grykat e mullinjve të dali një pelte e zezë shumë e çmuar. Lër amanet pelten ta hedhin, një pjesë në Drinin e Zi tek ura e Topojanit, një pjesë mbi tokat përreth rrëzë kufirit. Peltja e rrallë në formë lëngu dhe lubrifikanti do hyjë në turbina, do na shtojë dritën. Plehu mbi ara, do na rrisë begatinë. Për ty dhe shokët e tu o llum do jetë një larje mëkatesh që do çudisin të vogël e të mesëm, dhe që gjithashtu do sjelli deri diku në vete spiunët e atyre anëve, të cilët vite më parë plot zell revolucionar denonconin dhe fusnin në burg të ardhurit nga viset e tjera shqiptare që donin të hidheshin matanë sepse më kët’ anë u ishte nxirë jeta, atëherë më zi se minatorëve të Bulqizës sot.
O lojtsh mendsh marrsh malet. O t’hyft dreqi n’bark. O mos të zëntë akshami! O Zoti ta shpërbleftë me xhehnem!

2 Comments

    • gene
    • Posted September 3, 2007 at 6:57 AM
    • Permalink

    Bulqiza, historiku i minierës “vrasëse”

    Kromi, si lindi miniera që na rendiste të tretët në botë

    Miniera e Bulqizës, thënë ndryshe gjigandi i industrisë nxjerrëse të kromit në vendin tonë dhe më gjerë, aktualisht po shkon drejt “asfiksimit” të plotë të saj. Në kujtesën e historisë shqiptare, kjo minierë e ka renditur Shqipërinë në vendin e parë në Evropë dhe të tretin në botë, për nga sasia e nxjerrjes së mineralit të kromit me cilësi e veti tepër të larta. Në rreth 60 vite jetë të saj ajo dha shumë për vendin, afro 14 milionë tonë krom, por mori fare pak për vete, për të mos thënë asgjë.

    Për vërtetësi të kësaj mjafton të kujtojmë deklarimet e PPSH-së në kongreset e saj, ku deklarohej se Miniera e Kromit në Bulqizë jep 32-37 për qind të të ardhurave kombëtare në shkallë vendi. Megjithatë, Bulqiza, qyteza e minatorëve në verilindje të vendit, mbeti asgjë më tepër se një geto për banorët e saj dhe kamp përqendrimi për të burgosurit politikë të regjimit komunist.

    Si lindi miniera

    Zbulimi i kromit në territorin e Bulqizës u bë rastësisht gjatë pushtimit italian, ndërsa shfrytëzimi i minierës nisi pak vite pas çlirimit. Në vitin 1940, Hamit Duriçi, banor i fshatit Vajkal të Bulqizës, tek po kulloste bagëtinë gjen një gur të zi dhe me shkëlqim gjysmëmetalik, më i rëndë nga gurët e tjerë, të cilin ia dorëzon një oficeri italian, që vepronte në atë zonë. Italianët kërkuan nga banorët që të mblidheshin këta gurë të veçantë. Banorët filluan të mbledhin gurin e rrallë, të cilin e transportuan me mushka në Qafën e Buallit. U grumbulluan kështu 2000 tonë krom, por italianët nuk mundën ta tërhiqnin kromin në vendin e tyre. Mirëpo mbeti një dokument historik se në Bulqizë ka një tufë daljesh kromi, të cilat janë mjaft premtuese. Ka qenë 14 shkurti i vitit 1948, kur një ekip inxhiniero-teknik, i ardhur nga Tirana, ka bërë të mundur që më 18 shkurt të po këtij viti në Bulqizë të dëgjohen shpërthimet e para të minave. Pikërisht këto shpërthime shënuan edhe datëlindjen e kësaj miniere. Puna ka nisur me 30 punëtorë të ardhur nga rrethet e Dibrës, Matit dhe Mirditës. Minerali nxirrej në sipërfaqe me karroca dore. Vetëm pas 10 vitesh, pra në 1958, u vendos shfrytëzimi i minierës me galeri nënkati. Në vitet ‘60-‘70 u vu në shfrytëzim pusi nr.1, me thellësi 150 metra. Dhe pas viteve ‘72-‘74 filloi prodhimin pusi nr.2, me tri nivele. U arrit që miniera të shfrytëzohet deri në nivelin e 16 ose 6 metra nën nivelin e detit.

    Shfrytëzimi

    Në vitet ‘70, interesimi qeveritar për këtë minierë ishte jashtëzakonisht i madh, pasi eksporti i kromit ishte e vetmja mundësi për të çarë “bllokadën” imperialisto-revizioniste. Duke u punuar me ritme të jashtëzakonshme, në minierë pati edhe humbje jetësh. Edhe pse nuk ka ndonjë shifër të saktë zyrtare, mendohet se deri më tani, mbi 260 minatorë, duke përfshirë edhe të burgosurit politikë që kanë punuar aty, kanë humbur jetën në galeritë e thella dhe të ftohta të kësaj miniere, duke punuar si heronj të vërtetë. Vetëm gjatë këtij viti në minierë kanë vdekur katër minatorë, mes të cilëve edhe një anëtar i fisit të Duriçëve, pasardhës i Hamitit që zbuloi i pari gurët e shtrenjtë të nëntokës së Bulqizës.

    Pothuajse gjatë gjithë kohës në minierë punohej me moton: “Kromi çan bllokadën”. Kështu, vetëm gjatë vitit 1984 u prodhuan nga kjo minierë, 485000 tonë krom, ku numri i punëtorëve arriti në rreth 12000 veta. Përveç minatorëve, këtu kanë derdhur djersën e tyre edhe një plejadë e tërë e personelit inxhiniero-teknik, nga më të mirët e vendit tonë.

    Miniera e Bulqizës, leksion për mendimin gjeologjik

    Përveç të ardhurave të mëdha që i siguronte shtetit, miniera e Bulqizës u shndërrua në një shkollë të madhe të gjeologjisë. Aty u punësuan disa nga specialistët më të mirë të minierave në vend, të cilët me studimet e tyre pasuruan më tej shkencën e gjeologjisë.

    Duke iu kërkuar ndjesë atyre inxhinierëve që nuk kemi mundësi t‘jua përmendim emrin, pasi ata janë të shumtë dhe jo objekt i këtij shkrimi, po përmendim disa prej tyre si: prof. dok. Andrea Xega, i pari inxhinier gjeolog shqiptar (mbaruar studimet në Vjenë), inxhinierët e talentuar, Todo Manço, Dhori Pano, Ligor Gurra, Jorgo Kola, Engjëll Hoxha, Bujar Pata, Jashar Dema etj.

    Me zhvillimin e punimeve minerare dhe përvojën që u fitua nga puna në minierën e Kromit në Bulqizë, u pasurua edhe mendimi gjeologjik shqiptar, por u pasurua gjithashtu edhe mendimi gjeologjik botëror. Kështu, në vitin 1968 u botua në revistën “Përmbledhje të studimeve gjeologjike”, studimi shkencor i inxhinierit të talentuar gjeolog të kësaj miniere, Jorgo Kola, sot për çudi në pension edhe pse gëzon aftësitë për të punuar akoma, “Për karakterin unikal dhe të rrudhosur të krommbajtjes së Bulqizës”. Gjë kjo që deri në këtë kohë nuk pranohej nga shkenca botërore e gjeologjisë, pasi pranohej rrudhosje vetëm për shkëmbinjtë sedimentarë metamorfikë, por jo për shkëmbinjtë magmatikë të kromit në Bulqizë. Kjo bëri që në aspektin praktik të rriteshin rezervat neto të vendburimit në mbi 40% vetëm nga punimet minerare, ndërsa në aspektin teorik gjeologjia shqiptare u pasurua, por u pasurua gjithashtu edhe ajo botërore. Të çudit fakti se në librin “Gjeologjia shqiptare” kjo gjë përmendet si kontribut i shquar i specialistëve tanë, por nuk përmendet autori i saj, inxhinieri i Bulqizës, Jorgo Kola, që realizoi në këtë minierë me mjaft sukses këtë studim shkencor me mjaft vlerë teorike dhe praktike. Ndërkohë, inxhinieri Kola thotë se me privatizimin e minierës janë zhdukur një pjesë e mirë e arkivave të saj, ku ruheshin studime të kryera ndër vite nga specialistët e minierës.

    Miniera vrau pesë minatorë në më pak se një vit

    Miniera nuk vdes vetëm. Agonia e saj merr jetë njerëzish dhe agonia e minierës së Bulqizës ka filluar. Në tetor të vitit të shkuar, galeritë e lëna në harresë vranë një minator, duke dhënë në këtë mënyrë alarmin për ndërhyrje. Por autoritetet e etura për para, në një moment që çmimi i kromit kishte nisur të rritej në tregjet ndërkombëtare, i bënë sytë qorr e veshët të shurdhër. Faji iu ngarkua viktimës dhe asnjë masë nuk u morr për armatimin e galerive. Nuk u shpenzua asnjë lek. Në qershor të këtij viti, kur çmimi i kromit ishte rritur në maksimum, por minatorët ishin në grevë, administratorët arritën të bindnin një tufë hallexhinjsh të vazhdonin të gërryenin nëntokën. Dy prej tyre vdiqën nga shpërthimi i minave. Shokët thanë se shkak i aksidentit ishte cilësia e dobët e fitilit të përdorur, por drejtësia e mori punën shtruar, duke e lënë përgjigjen pezull. Më 10 gusht, një nga minatorët që kishte ngritur zërin fort për rrezikun që sillte mungesa e investimeve në galeritë e thella vdiq në nivelin e 14-të të pusit nr. 2, pikërisht aty ku ai kishte frikë se ndonjë masiv shkëmbi do të shkëputej nga tavani i papërforcuar i galerisë. Një tjetër minator vdiq këtë javë, për të njëjtin shkak: galeria nuk kishte armaturë ahu, edhe pse rreziku i shembjeve ishte i lartë. Vetëm kur viktima e pestë u kall në dhe, autoritetet shtetërore pranuan ta dëgjojnë rënkimin e minierës dhe urdhëruan boshatisjen e tuneleve të vdekjes.

    Privatizimi i vuri vulën degradimit të nisur më 1990

    Pas viteve ‘90 u pa qartë se miniera që kishte dhënë deri në këtë kohë plot 13 milionë tonë krom, po shkonte drejt degradimit të plotë të saj. Pamundësia e shtetit për të financuar, solli si rezultat shfrytëzimin vetëm të polit verior të kësaj miniere. Gjithashtu shfrytëzimi në thellësi, krijoi ndërlikime për nxjerrjen e kromit dhe prodhimi ra në mënyrë të ndjeshme. Kjo bëri që numri i punëtorëve të bjerë në mënyrë të ndjeshme. Kështu nga 12.000 që ishte para viteve ‘90, ai ra fillimisht në 7000 dhe pastaj në 2500 e deri në 1200 minatorë në prag të privatizimit të saj, në vitin 2001.

    Privatizimi

    Në korrik të vitit 2001, miniera u privatizua, duke u marrë me koncesion për 30 vjet nga firma italiane “Darfo Albania”. Nën administrimin e “Darfos”, numri i punëtorëve ra në rreth 660, duke shkaktuar kështu probleme të mëdha sociale për 12000 banorët e Bulqizës, pasi puna në minierë është i vetmi burim jetese për ta. Mosmarrëveshjet midis minatorëve dhe “Darfos”, shpesh janë acaruar deri në protesta e manifestime të fuqishme, nga ana e minatorëve. Veç kësaj, shpesh herë pagat e minatorëve janë dhënë me 3-4 muaj vonesë, sigurimet shoqërore nuk janë derdhur rregullisht dhe raportet mjekësore shpesh herë nuk njiheshin. Si pasojë, në pranverën e viti 2002, minatorët e dalë në protesta bllokuan rrugën nacionale Tiranë-Peshkopi. Me ndërrimet e herëpashershme të stafit drejtues të kësaj miniere, firma e huaj përpiqej të mbulonte me mjegull problemet e shumta në mbarëvajtjen e punëve në minierë. Por dukej qartë, se nga dita në ditë, minierës po i merrej “fryma”, pasi mungonin financimet për kërkim-zbulimin e mineralit. Gjeologjia e madhe që kërkonte kromin humbi, numri i punëtorëve në këtë ndërmarrje ra nga 12000 vetë që ishin para viteve ‘90, në zero tani. Sondat gjeologjike të kërkimit të mineralit, u shitën për hekur, si dhe u rrënua ndërmarrja e ndërtim-minierës etj. Të gjitha këto çuan në mbylljen e perspektivës së minierës, pasi mbaroi hapja e saj në thellësi. Shkurt, miniera nën administrimin e “Darfos”, vetëm interesohej për shfrytëzimin e mineralit, pa kryer asnjë lloj investimi, ndërkohë që sipas marrëveshjes koncesionare të nënshkruar me shtetin shqiptar, duhej të investonte 22 milionë dollarë.

    Beteja e fundit

    Muaji qershor i këtij viti ishte tepër i rëndësishëm për minatorët e kromit në Bulqizë dhe jo vetëm për ta, por për të gjithë banorët e qytezës së harruar në verilindje të vendit. Durimit të minatorëve i erdhi fundi. Kështu më 1 qershor, nis greva e përgjithshme me kërkesa për rritje page dhe kushtesh të sigurisë në punë. Pikërisht në këto ditë protestash, dy minatorë, Avni Duriç dhe Hysen Lezi humbën jetën gjatë shpërthimit të minave, në nivelin e 14-të të pusit nr. 2. Kjo e acaroi situatën dhe rriti protestën. 21 minatorë hynë në grevë urie. Minatorët nisën të protestonin edhe në Tiranë, përpara Kuvendit dhe ministrive. Pas tri ditësh në kryeqytet, u arrit një takim midis përfaqësuesve të protestës dhe presidentit të firmës koncesionare DECA-METAL. Ky takim u mbyll me një marrëveshje midis palëve, sipas së cilës që nga 1 korriku paga do të rritej me 30 për qind dhe do të nisnin investimet për përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë. Por edhe pse marrëveshja u arrit në letër, ajo nuk u zbatua në realitet. Zaim Hysa, sekretari i sindikatës së minierës, që kërkonte plotësimin e kushteve të sigurisë në punë, vdiq më 10 gusht nga shembja e tavanit të galerisë. Ajo që i vuri kapak mungesës së kushteve të sigurisë në punë, ishte vdekja tragjike e një tjetër minatori, Mehdi Jani, më 27 gusht, i cili u copëtua nga shembja e mineralit steril nga tavani i galerisë, në nivelin e 13-të të pusit nr. 2 rreth 700 metra në tokë.

    Minatorët kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Ekonomisë

    “Mbyllja e minierës do të sjellë shkatërrimin e saj”

    Specialistët e minierave janë shprehur kundër vendimit të ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, për ndërprerjen e punës në minierën e Bulqizës. Ata janë kategorikisht kundër ndërprerjes së punës në minierën e kromit, pasi ajo do ta rrënonte përfundimisht atë. Kundër ndërprerjes së punës, janë shprehur edhe 660 minatorët e kësaj miniere. Menjëherë pasi ministri Ruli, vendosi që miniera të mbyllet, deri në plotësimin e kushteve të punës, ndërkohë që minatorëve do t‘u paguhen ditët e punës, ata u shprehën se ky është një veprim i vonuar i ministrit të Ekonomisë, Ruli. “Ne nuk jemi për mbylljen e minierës, por për plotësimin e kushteve të sigurisë në punë”, thonë minatorët. Inxhinieri gjeolog Jorgo Kola, tha për “Shqip”, se mbyllja e minierës është shkatërrim i plotë i saj. Kjo, vijoi më tej ai, është njëlloj sikur në një shtëpi të mos banojë njeri, ajo pas disa viteve, është e destinuar të shkatërrohet. Kështu ngjet edhe me minierën, madje këtu shkatërrimi ndodh më shpejt. Kjo i ka detyruar minatorët që të reagojnë kundër vendimit për mbylljen e minierës. “Ne duam të punojmë, sepse mbyllje e minierës, qoftë edhe për pak ditë, do të thotë “vdekje” e saj”, thotë Dilaver Përkoxha, kryetar i Konfederatës së Sindikatës së Minatorëve. Ai thotë gjithashtu se “po të interesohet shteti seriozisht, problemet në minierën e Bulqizës, zgjidhen menjëherë dhe nuk ka nevojë për ndërprerje pune”. Kadri Disha, që ka punuar mbi 17 vjet në këtë minierë, thotë se për vënien në eficencë të minierës, nuk nevojitet ndërprerja e punës në të, por realizimi i investimeve nga firma e huaj ruso-austriake, DECO-METAL, që administron aktualisht këtë minierë.

    http://www.gazeta-shqip.com.al

    • gene
    • Posted September 6, 2007 at 10:01 AM
    • Permalink

    Firma ruso-austriake DARFO
    shkarkonngadetyradrejtorin
    e minierës së Bulqizës. Pas
    katër vitesh drejtimi, dje ka humbur
    postin që mbante Eduart
    Keta, kreu i galerive të qytetit verior,
    ku brenda dy muajve janë
    shënuar tre tragjedi me 4 minatorë
    të vdekur. Lajmi bëhet i ditur
    nga burime brenda firmës,
    ndërkohë që pritet të zgjidhet
    emri i ri në krye të minierës. Mësohet
    se shkak është bërë vdekja e
    minatorit të fundit, Medi Janit disa
    ditë më parë, që nxiti kolegët në
    protesta, të mbështetur edhe nga
    organizata joqeveritare.
    Tre të akuzuarit si përgjegjës
    përvdekjenekatërminatorëvenë
    minierën e Bulqizës u lanë të lirë
    për mungesë provash mëngjesin e
    djeshëm. Burime pranë Prokurorisë
    së Dibrës konfirmuar se tre drejtuesit
    e DARFO-s janë mbajtur disa
    orë në pyetje dhe më pas është vendosur
    lirimi i tyre. Sipas prokurorit
    tëçështjes, ArbenNika, për asnjë nga
    drejtuesit e thirrur në pyetje nuk
    është vendosur ndalimi i tyre. Ata
    janë pyetur për detaje të ndryshme
    rreth ngjarjes, por më pas janë lënë
    të lirë.
    Dy ditë më parë, Prokuroria
    e Qarkut të Dibrës thirri disa prej
    drejtuesve teknikë në këtë minierë.
    Ata janë: Sabah Hasani,
    Bardhyl Rama, Shpëtim Farku, të
    akuzuar nga organi i akuzës si
    përgjegjës për ngjarjen e fundit,
    ku mbeti i vdekur minatori Medi
    Jani, në rrugën kryesore të nivelit
    14. Pas pesë aksidentesh me
    humbje jete në këtë minierë,
    edhe grupi i inspektimit pranoi
    se kushtet e sigurimit teknik në
    minierë kishin munguar në rastin
    e aksidentit të fundit. Ndërkohë,
    ishin të shumtë familjarët
    dhe minatorët, që kërkonin prej
    ditësh ndëshkimin e autorëve,
    që nuk zbatuan dhe nuk plotësuan
    kushtet e sigurimit të jetës
    dhe shëndetit të minatorëve.
    Ishte prokuroria ajo që
    mori përsipër zbardhjen e
    shkaqeve të aksidentit të
    fundit, ku mbeti i vdekur
    Medi Jani. Për këtë arsye nisi
    hetimi për Sabah Hasanin,
    shefin e zonës ku ndodhi ngjarja
    e rëndë, Bardhyl Ramën,
    drejtues i sigurimit teknik në
    minierë dhe Shpëtim Farkun,
    shef i sigurimit teknik në
    minierën e Bulqizës. Ata do të
    gjykohen në gjendje të lirë për
    shkelje të rregullave të sigurimit
    teknik në minierë.

    Koha Jone


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: