Skip navigation

Që prej 1 janarit të vitit 2008 biznesi i vogël do të realizojë të njëjta procedura si biznesi i madh, në pagimin e taksave. Biznesi i vogël do të detyrohet të mbajë bilanc financiar, për të vërtetuar në fund të vitit të ardhurat dhe shpenzimet. Tatimi do të jetë 10% e fitimit, por shpenzimet e bëra për paga apo pagesa do të njihen vetëm nëpërmjet bankave.

Biznesi i vogël do të vazhdojë që të paguajë taksën mbi xhiron në 1.5% parapagim, si dhe taksat vendore çdo muaj. Në fund të vitit fiskal, pas dorëzimit të bilancit dhe llogaritjes së pagesës që do të jetë 10% mbi fitimin, do të përcaktohet edhe llogaria e tij nëse do të jetë debitore apo kreditore.

Projekti i propozuar ka për qëllim për të vendosur detyrimin që individët kryesisht, por edhe shoqëritë tregtare të vogla, të përfshira në aktivitet tregtar dhe që janë subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe që kanë një qarkullim vjetor mbi 2 milionë leke në vit, deri në 8 milionë lekë në vit, duhet të dorëzojnë një deklaratë vjetore e të llogarisin të ardhurat e tatueshme, të cilat do të tatohen me 10% duke kredituar tatimin e paguar njësive të qeverisjes vendore, bashkive a komunave, si kuotë fikse.

Julian Llupo

Biznesi i vogël do të ketë një skemë të re për të paguar taksat që nga janari i vitit 2008, ndërsa projekti i paraqitur dje nga ana e ministrit të Financave, paraqet detyrimin ligjo për mbajtjen e llogarive financiare. Sipas projektit, që pritet së shpejti të kthehet në ligj, biznesi i vogël do të vazhdojë të paguajë çdo muaj tatimin mbi xhiron në 1.5%, ndërsa në fund të vitit fiskal do të paraqesë pranë tatimeve bilancin vjetor, në bazë të të cilit do tatohet 10% për të ardhurat e realizuara. Në projektligj nuk parashikohet një rritje e xhiros për grupin e sipërmarrësve që përfshihen në kategorinë biznes i vogël. Në biznes të vogël do të vazhdojë që të përfshihet kategoria që realizojnë një qarkullim vjetor jo më shumë se 8.000.000 lekë dhe jo më pak se 2.000.000 lekë. Pas futjes në fuqi të këtij projekti, edhe biznesi i vogël do të detyrohet që të realizojë të gjitha ankimimet në bazë të ligjit të “Procedurave Tatimore”, njësoj si biznesi i madh. I vetmi përjashtim që bëhet për biznesin e vogël tashmë lidhet me përjashtimin e TVSH dhe mbajtjen e një kontabilitetit të detajuar.

***

Projektligji i paraqitur dje nga ana e ministrit të Financave, Ridvan Bode, në një takim me Unionin e Shoqatave të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë për taksimin e biznesit të vogël, është shumë i ngjashëm me ligjin që përdoret për taksimin e biznesit të madh. Sipas projektit, biznesi i vogël do të vazhdojë që të paguajë tatimin mbi xhiron prej 1.5% çdo muaj dhe taksat e tjera vendore që paguan aktualisht. Por në fund të vitit fiskal 2008, pra në mars të vitit 2009 (bilancet e vitit 2008 dorëzohen në mars të 2009) biznesi i vogël do të dorëzojë pranë tatimeve bilancin e vet financiar, ku është e përcaktuar edhe diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve. Kjo diferencë, që do të jetë edhe fitimi vjetor, do të tatohet me 10%, si tatim mbi të ardhurat. Siç veprohet edhe me biznesin e madh, nëse shuma e tatimit mbi xhiron e paguar çdo muaj në harkun kohor të një viti e kalon tatimin 10% mbi të ardhurat, atëherë biznesit i lind e drejta e rimbursimit nga ana e tatimeve. Nëse ndodh e kundërta dhe shuma e paguar nga biznesi në harkun kohor të një viti, në bazë të tatimit xhiron prej 1.5%, është më e vogël se 10% i fitimit, atëherë biznesi duhet të paguajë taksa shtesë. Kjo është edhe skema që është paraqitur nga ana e ministrit Bode dhe që ka si synim kryesor përdorimin e faturave tatimore nga ana e biznesit të vogël. Projekti i propozuar është hallka e fundit e një zinxhir ndryshimesh të ndërmarra për lehtësimin e barrës fiskale ndaj biznesit dhe minimizimin e ekonomisë informale. “Sistemi që vendosim, sjell disa avantazhe. Ul barrën ligjore teorike të biznesit të vogël, i cili do të taksohet me 10% të të ardhurave të siguruara nga aktiviteti që ushtron; çliron biznesin e madh nga problemi i faturave, ku biznesi i vogël për të paguar më pak taksa nuk i merr faturat, bën të interesuar biznesin e vogël, që të marrë të gjithë faturat dhe mundësisht me çmime sa më reale, që diferenca çmimit të blerjes të mallit te biznesi i madh dhe shitjes se tij me pakicë të jetë sa më e vogël dhe ndihmon në zbatimin e ligjit, që biznesi i vogël të mos qarkullojë mall të pafaturuar ”,- tha Bode.

 www.aitv.al

About these ads

8 Comments

    • gene
    • Posted October 13, 2007 at 12:37 pm
    • Permalink

    Si ndryshojnë taksat

    Një biznes i vogël, i cili realizon një xhiro vjetore që luhatet nga 6 deri në 7 milionë lekë, aktualisht paguan gjithsej 128 mijë lekë në vit taksa, në rast se ai është biznes tregtar dhe 115 mijë në rast se është biznes prodhues. Me skemën e re, ky biznes do të vazhdojë të paguajë në bashki të njëjtën taksë përgjatë gjithë vitit, me këste të barabarta prej 32 mijë lekësh. Nga këto, kësti i parë paguhet brenda datës 20 prill. Kësti i dytë jo më vonë se data 20 korrik, kësti i tretë jo më vonë se data 20 tetor dhe kësti i fundit jo më vonë se data 20 janar e vitit të ardhshëm fiskal. Në total, shuma e këtyre kësteve do të rezultojë 128 mijë lekë për rastin kur biznesi është me aktivitet tregtar. Por, pasi ka paguar këstin e fundit të taksës në vitin pasardhës, në datën 31 mars, ai do të paraqitet te tatimet, ku do të bëjë deklarimin e fitimit që ka nxjerrë. Fitimi do të dalë si diferencë e të ardhurave nga shitjet, duke zbritur shpenzimet që ai ka kryer për aktivitetin e biznesit, si blerjet e mallit ose e lëndës së parë, energjia etj. Në rast se ky biznes me xhiro 6-7 milionë lekë ka realizuar një fitim prej 2 milionë lekësh, atëherë në datën 31 mars, kur të bëjë deklarimin ai do të paguajë te tatimet edhe 72 mijë lekë të tjera. Ndërsa në rastin kur ka realizuar një fitim prej 1 milion lekësh, kur të deklarojë të ardhurat në fund të vitit ai do të marrë nga tatimet në formë rimbursimi 28 mijë lekë.

    shqip

    • gene
    • Posted October 13, 2007 at 12:37 pm
    • Permalink

    Projektligji që pritet të jetë në fuqi në janar të vitit 2008, paraqet një sërë penalitetesh për biznesin e vogël. Kështu, në një nga nenet e këtij projektligji, mos pasqyrimi i saktë i të ardhurave dhe shpenzimeve nga veprimtaria me efekt në të ardhurat e tatueshme, dënohet me gjobë aq sa është edhe tatimi vjetor i biznesit të vogël. Pra, nëse një dyqan që vlerësohet nga ana e tatimorëve se ka paraqitur fatura të rreme shitjesh, ku nuk janë paraqitur të ardhurat dhe shpenzimet reale, do të paguajë dyfishin e tatimit vjetor.

    ***

    Projektligji përcakton që çdo tatimpagues subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale sipas përcaktimit të dhënë në nenin 1 të këtij ligji, është i detyruar që, deri më datë 31 mars të vitit që pason periudhën tatimore, të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore ku të jepen hollësisht të ardhurat gjithsej, shpenzimet e zbritshme, e ardhura e tatueshme, tatimi për t’u paguar, taksa vendore e paguar gjatë periudhës tatimore pranë organeve të qeverisjes vendore, çdo shumë për t’u paguar apo për t’u rimbursuar si dhe çdo detaj të kërkuar nga Ministri i Financave, në udhëzimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore. Deklarata dorëzohet në bankat me të cilat Administrata Tatimore ka marrëveshje për pranimin e deklaratave dhe pagesave dhe ajo shoqërohet me çdo kërkesë për rimbursim, apo me çdo shumë për t’u paguar. Tatimi i llogaritur në bazë të deklaratës vjetore tatimore, pakësuar me kreditimin e tatimit, përcaktuar në neni 12/7 të këtij ligji, paguhet nga tatimpaguesi në llogarinë e organeve tatimore, në çastin e paraqitjes së deklaratës vjetore tatimore.

    ***

    Në bazë të këtij projekti biznesit të vogël, tashmë i lind si detyrim që të mbajë regjistra për aktivitetin e tij. Librat dhe regjistrimet që kërkohet të mbahen nga tatimpaguesit janë libri i shitjes (i qarkullimit), libri i blerjeve, libri i shpenzimeve dhe të ardhurave dhe libri i aktiveve të biznesit, të cilat do të përcaktohen me Udhëzim të Ministrit të Financave në zbatim të këtij ligji. Njëkohësisht biznesit të vogël i kërkohet që të mbajë edhe inventar për periudhën e vitit fiskal. Projektligji përcakton që në fund të periudhës tatimore, inventari të vlerësohet sipas njërës nga metodat e përcaktuara në Ligjin 9228, datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare” dhe duhet të zbatohen në mënyrë sistematike.

    • gene
    • Posted October 18, 2007 at 2:13 pm
    • Permalink

    Vuajtje për biznesin e vogël, radhë për pagesën e Tatimeve
    18 Tetor 2007 @ 12:40 pm · në Shtypi, Biznes

    Genc Kondi
    Gazeta Shqiptare

    Tmerr për pagesën e taksave të biznesit të vogël. Drejtoria e Tatimeve ka dhënë urdhër që brenda datës 20, nëse nuk do të paguhen taksat tremujore, subjektet do të paguajnë një gjobë prej 100 mijë lekësh të vjetra. Kjo ka frikësuar bizneset të cilat që prej tre ditësh kanë mbërritur në zyrat e pagesës së taksave dhe mbushjeve të formularëve, por kanë gjetur rradhë të papërballueshme. Ndërkohë që sportelet janë hapur vetëm në mesin e këtij muaji.
    Janë 18.000 subjekte të vogla vetëm në kryeqytet, që duhet të paguajnë rregullisht detyrimet fiskale pranë Degës së Tatim-Taksave. Pavarësisht se këto subjekte kanë afat disamujor për të kryer veprimet fiskale, nga praktika shumëvjeçare dihet tashmë se ata i lenë detyrimet për t’i paguar ditët e fundit të afatit, kur afrohet gjoba. Kjo e fundit parashikon një shtesë prej 10.000 lekësh të reja në shpenzimet e tyre, të cilat janë shtuar së tepërmi kohët e fundit nga kriza energjetike, ndërkohë që fitimet po ulen nga rënia e fuqisë blerëse të klientëve.
    Administrata tatimore e di shumë mirë tashmë se edukata fiskale e shqiptarëve është e tillë, që ata kujtohet gjithnjë në fund të periudhës për të kryer veprimet detyruese ndaj shtetit. Për më tepër, tani, që shteti po shtrëngon gjithnjë e më shumë masat kundër evazionit dhe që përgatitet të ndërmarrë edhe një seri masash shumë të rrepta gjobitëse ndaj atyre që abuzojnë me këto detyrime. Megjithatë, i pyetur dje nga “Gazeta”, drejtori i Degës së Tatim-Taksave Tiranë, Jovan Cano, ka bërë të paditurin. “E kanë fajin vetë, ne këmi bërë atë që ishte detyra jonë për të bërë”, ka thënë ai.
    Gjëja më e paktë që mund të bënte Dega e Tiranës ishte të shtonte numrin e sporteleve në këtë periudhë. Në mënyrë që biznesmenët e vegjël të kishin mundësi të mbaronin shpejt punë dhe të ktheheshin në dyqanet, ofiçinat apo lavazhet e tyre e të mos humbisnin ditën. Ndërkohë, në orën 13.00, si në të gjithë lagjen, pranë këtij institucioni ndërpritet edhe energjia elektrike, duke shtuar konfuzionin dhe duke e ulur praktikisht ritmin e punës në zero. Por, biznesmenëve u duhet që, nga zyrat e Tatimeve, të ushtrojnë durimin e tyre edhe në arkat e Postës Qendrore të Tiranës, ku, gjithashtu, i pret një rradhë e paparë. Pasi edhe këtu nuk funksionojnë më shumë se dy sportele. Ku kryhen veprime me lekë në dorë, në kushtet e një mungese spektakolare vendi. Duke penguar edhe punën e sporteleve të tjera, ku normalisht duhet të kryhen veprime të tilla, si pagesa e faturave të KESH-it, Albtelekomit, etj.
    Në këto kushte, tregtarëve e prodhuesve të vegjël nuk u mbetet gjë tjetër, veçse të zgjedhin midis humbjes së një dite të tërë pune dhe përdorimit të “armës” së vjetër, që në administratën shtetërore ka zenë vend prej shumë kohe: ofrimit të një bakshishi për të shmangur rradhën. “Humb ditën, paguan paratë e fundit për taksa dhe, në fund, jep edhe diçka nën dorë”, mërmërit Osmani, teksa, i mërzitur, vrapon të rihapë minimarketin në rrugicën e lagjes së tij e të vejë në punë gjeneratorin. Por, ai ka shpëtuar nga një konfuzion edhe më i madh, që i pret nesër të vonuarit e rradhës.

    Korrupsioni: 200 lekë për një formular gratis
    Formularët e vetëdeklarimit të të punësuarve, të të vetëpunësuarve, borderove të pagave të tyre dhe llogaritjes së kontributeve, që duhet të paguhen për Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore nga pronarët e punonjësit shiteshin lirisht dje, përpara derës së Drejtorisë së Biznesit të Vogël, nga një numër sekserësh. Ndonëse këto formularë tatimpaguesit nuk janë të detyruar t’i blejnë. Përpara një rradhe të gjatë dhe alternativës së papëlqyeshme të humbjes së ditës së punës, shumë biznesmenë të vegjël parapëlqenin t’i blenin ato me 200 lekë të reja copa. Kjo, në prani të punonjësve të Policisë Tatimore, të cilët bënin sikur nuk dëgjonin thirrjet e forta të sekserëve: “Kush do formularë?”
    Nga e gjithë kjo, të krijohej bindja se çorganizimi nuk ishte aq i pa-organizuar. Pikërisht nga ata, që kishin lejuar shërbimin vetëm me një sportel për 18.000 biznese dhe që ndajnë me sekserët pagën e korrupsionit.

    • gene
    • Posted October 31, 2007 at 7:19 am
    • Permalink

    Fabiola Çela
    Panorama

    Kështu në rast se pas kontrollit, faturat nga biznesi i madh tek i vogli do të kenë ndryshime të mëdha, atëherë biznesi i vogël, në bazë të llogaritjes së xhiros, do të detyrohet të kalojë në biznes të madh. Në një intervistë për gazetën, drejtori i Drejtorisë së Investigimit të Çmimeve në DPT-ë Fredi Meto, tregon skemën e re të tatimeve. Mënyra është shumë e thjeshtë. Biznesi i madh i shmanget tatimeve, duke deklaruar fatura fiktive me çmim të ulët. P.sh, një tregtar i madh pas taksave dhe kostove, e shet produktin e tij te tregtari i pakicës me 90 lekë kilogramin, por në faturën që bën për tatimet, ai e tregton me 70 lekë/kilogramin. Tatimet, pas investigimit, kanë vënë re që një kilogram domate kushton 110 lekë, atëherë, diferenca midis faturës dhe çmimit është 40 lekë. Kjo për efekt dokumentesh, se në të vërtetë diferenca është 20 lekë. Në këtë rast tatimet, do të detyrohen, në bazë të xhiros të kalojnë tregtarin e vogël në biznes të madh, duke e detyruar të paguajë më shumë taksa. Ky lloj presioni, do të bëjë që tregtari i vogël të mos pranojë fatura fiktive dhe të kërkojë nga biznesi i madh fatura me çmimin real. Gjatë intervistës, Meto, tregon edhe reformat e tjera të tatimeve.
    Prej pak kohësh administrata tatimore ka vendosur çmime reference për gati 970 artikuj të shportës, a mund të na thoni pse u ndërmor një hap i tillë?
    Në shumicën e rasteve tregu i shitjes me shumicë dhe ai me pakicë është i deformuar, por ky fenomen dominon më shumë tek ai me shumicë. Pjesa më e madhe e subjekteve të shumicës janë edhe importuesit kryesorë të këtyre mallrave. Ashtu siç është deklaruar edhe më parë është në interes të subjekteve që në rast se në faturë ata e ulin çmimin real, ato fitojnë më shumë dhe rrjedhimisht paguajnë më pak detyrime pranë administratës tatimore. Pikërisht nisur nga ky përfitim është krijuar një informalitet i madh në ekonomi. Për rrjedhojë çmimet ngaqë nuk kishin faturë deformohen në ulje, ndërkohë që lekët merren për shumë të tjera. Për kundërveprim të këtij informaliteti dhe për ta ulur atë është ngritur kjo drejtori, që ka për qëllim të përcaktojë çmimet reale të tregut.
    A mund të shpjegoni skemën që është ndjekur për caktimin e këtyre çmimeve?
    Investigimi nuk mund të kryhet nga rruga dhe të merret çmimi i shitjes me pakicë dhe më pas të gjykohet për çmimin e shitjes me shumicë, por përkundrazi do ndjekur një linjë e caktuar që para së gjithash të përcaktohet kostoja reale e marrjes së çmimit të mallrave nga shumica te blerësit kryesorë dhe pastaj të zbritet në hallkat e tjera të qarkullimit, d.m.th hallkë e dytë, e tretë derisa mbërrin te çmimet e shitjes me pakicë. Pra ne shkojmë verifikojmë dhe dokumentojmë çmimet te subjektet dominante, pra ato të shumicës. Duke qenë fakt se çmimet janë të deformuara, atëherë ne na mbetet për detyrë të dokumentojnë që kostoja kontabël e atyre nuk është reale, në qoftë se arrijmë këto objektiva, atëherë kjo do të thotë se ato shpenzime të pasqyruara në kontabilitet të korrigjojmë me çmimet dhe të ardhurat e atij subjekti. Dhe po të ndjekim të gjitha hallkat që ndjek qarkullimi i mallit do të vëmë re, se çmimet dhe shumë prej këtyre shpenzimeve nuk janë pasqyruar. Meqenëse është deformuar çmimi në faturë, atëherë nuk ka vend për të pasqyruar realisht të gjitha shpenzimet që janë kryer, p.sh në shoqëri karburantesh nuk kemi të pasqyruara në kontabilitet shpenzime të transportit me anije, që sillet karburanti, si dhe shumë shpenzime të tjera. Pra, nëse unë ju kam dhënë me qira një vend shpenzimet e mia janë 10-fish më shumë se qiraja dhe këto janë absurditete. Ndërkohë duke ndjekur të gjithë rrjedhën e shpërndarjes arrijmë që në pikën e shpërndarjes me pakicë të karburantit rezulton, se çmimi është rritur shumëfish deri në katër apo pesë herë, në raport me rritjen e vlerës së çmimit. Kjo do të thotë se nëse ka ardhur 90 lekë me gjithë koston ai e pasqyron me 35 në faturën e shumicës, por nëse vëmë re dhe investigojmë çmimet në pakicë na del që 125 është minimal çmimi i pakicës. Atëherë nga 100 del që fiton 35 lekë, pra marzhi i shtimit të vlerës në pakicë është shumëfish më i lartë se sa i shumicës. Duke ditur që këto hallka janë të të njëjtit subjekt ne bëjmë korrigjimin e tij, rivlerësimin te ky i pakicës dhe i themi nga kaq sa të ngelen, nga ky 35 lekësh, duhet të kalosh si biznes i madh. Duke vlerësuar dhe duke i marrë në të njëjtin kohë çmimin e shitjes me shumicë dhe me pakicë, atëherë ne shmangim deformimin. Ky i pakicës do të kërkojë një faturë sa më reale dhe kjo është një nga metodat se si i krijojmë këto çmime.
    Por a ekziston mundësia që këto subjekte të rrisin përsëri çmimin, në mënyrë që fitimi i tyre të mbetet po prapë i njëjtë?
    Kuptohet që kur tatimi rritet kostoja rritet, fitimi i mallrave bie ashtu siç bie edhe fuqia blerëse e popullatës, ashtu duhet të bjerë edhe fitimi i subjekteve të biznesit të madh, pra i shumicës. Në rast se këta mendojmë që unë nuk do fitoj 20 lekë sa përpara, por 25 lekë, atëherë rritet çmimi dhe kostoja mbi një shtresë shoqërore. Në këto kushte ne kësaj hallke i themi që t’i duhet të kontribuosh në shtet dhe kontributi më i madh në shtet, do të thotë se i mbetet fitim më i vogël subjektit të shitjes me shumicë.

    • gene
    • Posted November 22, 2007 at 1:26 pm
    • Permalink

    Biznesi, skema e re e taksave

    Deklarimi i të ardhurave, i detyrueshëm çdo 31 mars të vitit pasardhës

    Qeveria miraton skemën e re
    të taksave për biznesin e
    vogël, që e llogarit detyrimin
    tatimor si të ardhur personale.
    Në bazë të ligjit të ri, që i shtrin
    efektet nga 1 janari i vitit 2008, të
    gjithë bizneset nuk do të paguajnë
    më një kuotë fikse siç paguajnë aktualisht,
    që ndryshe quhet taksa
    vendore, por do të paguajnë 10 për
    qind të fitimit që ata kanë realizuar.
    Ky projekt ndryshon tërësisht
    skemën aktuale të taksave për biznesin
    e vogël dhe kushtëzon me
    ligj mbajtjen e dokumentimin e të
    gjitha veprimeve financiare që
    bën biznesi i vogël me xhiro vjetore
    nga 2 deri në 8 milionë lekë. Taksa e
    re për këtë kategori biznesi do të
    jetë 10 për qind e fitimeve që ata
    nxjerrin nga aktiviteti i tyre. Sipas
    këtij projekti, biznesi i vogël do të
    vazhdojë t‘i paguajë taksat sipas
    skemës aktuale, por në çdo 31 mars
    të vitit pasardhës do të deklarojë te
    tatimet sa të ardhura ka realizuar
    gjatë vitit. Në rast se shuma që ai ka
    paguar në bashki apo komunë është
    më e vogël se ajo që del nga taksimi
    me 10 për qind të fitimit që ai
    ka realizuar gjatë vitit, atëherë në
    çastin e deklarimit të të ardhurave
    biznesi paguan dhe diferencën e
    mbetur. Në rast se shuma e paguar
    është më e madhe se 10 për qind e
    fitimit që ai ka realizuar gjatë vitit,
    atëherë tatimet rimbursojnë fondet
    që biznesi ka paguar më shumë.
    Skema
    Sipas projektit të propozuar nga
    Ministria e Financave, fitimi mujor i
    biznesit do të tatohet si e ardhur
    personale e sipërmarrësit. Kjo do të
    thotë se detyrimi tatimor i biznesit
    të vogël do të jetë i barabartë me 10
    për qind të fitimit bruto që ai realizon.
    Ky projekt i bën të interesuara
    bizneset e vogla, që të kërkojë faturë
    me çmimet reale për blerjet që bëjnë
    te biznesi i madh, pasi ndryshe nuk
    do të mund t‘i justifikojnë dot të
    ardhurat. Kjo do të bënte që në bilancin
    mujor fitimi të ishte shumë i
    madh, çka do të thotë më shumë
    taksa për t‘u paguar. Por, kjo ngre
    një tjetër problem, që ka të bëjë me
    kufirin e xhiros vjetore, i cili ndan
    biznesin e vogël me atë të madh.
    Duke deklaruar blerjet reale,
    shumë biznese, që aktualisht klasifikohen
    si të vogla, do të kalojnë
    kufirin prej 8 milionë lekësh në vit,
    duke kaluar automatikisht në biznes
    të madh. Për këtë, Ministria e
    Financave është duke shqyrtuar
    mundësinë e rritjes së kufirit të xhiros
    nga 8 në 10 milionë lekë. Skema
    në fjalë konsiderohet nga ministri
    Bode si reforma e fundit që merret
    në fushën e taksave, e cila synon
    rregullimin e një deformimi, që nga
    disa shihet si shkaku kryesor i evazionit
    të lartë.
    Si ndryshojnë taksat
    Një biznes i vogël, që realizon
    një xhiro vjetore që luhatet nga 6
    deri në 7 milionë lekë, aktualisht
    paguan gjithsej 128 mijë lekë në vit
    taksa, në rast se ai është biznes
    tregtar dhe 115 mijë në rast se është
    biznes prodhues. Me skemën e
    re, ky biznes do të vazhdojë të
    paguajë në bashki të njëjtën taksë
    përgjatë gjithë vitit, me këste të
    barabarta prej 32 mijë lekësh. Nga
    këto, kësti i parë paguhet brenda
    datës 20 prill. Kësti i dytë jo më
    vonë se data 20 korrik, kësti i tretë
    jo më vonë se data 20 tetor dhe
    kësti i fundit jo më vonë se data 20
    janar e vitit të ardhshëm fiskal. Në
    total, shuma e këtyre kësteve do të
    rezultojë 128 mijë lekë për rastin
    kur biznesi është me aktivitet tregtar.
    Por, pasi ka paguar këstin e
    fundit të taksës në vitin pasardhës,
    në datën 31 mars ai do të paraqitet
    te tatimet, ku do të bëjë deklarimin
    e fitimit që ka nxjerrë. Fitimi do të
    dalë si diferencë e të ardhurave
    nga shitjet, duke zbritur shpenzimet
    që ai ka kryer për aktivitetin e
    biznesit, si blerjet e mallit apo e
    lëndës së parë, energjia etj. Në rast
    se ky biznes me xhiro 6-7 milionë
    lekë ka realizuar një fitim prej 2
    milionë lekësh, atëherë në datën
    31 mars, kur të bëjë deklarimin, ai
    do të paguajë te tatimet edhe 72
    mijë lekë të tjera. Ndërsa në rastin
    kur ka realizuar një fitim prej 1 milion
    lekësh, kur të deklarojë të
    ardhurat në fund të vitit ai do të
    marrë nga tatimet në formë rimbursimi
    28 mijë lekë.

    shqip

    • gene
    • Posted November 22, 2007 at 6:41 pm
    • Permalink

    V E N D I M

    PËR

    PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN

    MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR”

    Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

    V E N D O S I:

    Propozimin e projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

    K R Y E M I N I S T R I

    SALI BERISHA

    P R O J E K T L I GJ

    PËR

    DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”,

    TË NDRYSHUAR

    Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

    V E N D O S I:

    Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

    Neni 1

    Në fund të nenit 8, “E ardhura e tatueshme”, shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje :

    “gj) Të ardhurat e tatueshme, të realizuara gjatë periudhës tatimore nga ato subjekte të taksës vendore mbi biznesin e vogël, që kanë një qarkullim më të madh se 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë në vit, të cilat llogariten si diferencë, ndërmjet të ardhurave, gjithsej, me shpenzimet e njohura, të specifikuara, në nenin 12/2, të këtij ligji.”.

    Neni 2

    Pas nenit 11 shtohen nenet 12, 12/1, 12/2, 12/3, 12/4, 12/5 dhe 12/6, si më poshtë vijon :

    “Neni 12

    Të ardhurat e tatueshme nga veprimtarita e biznesit të vogël

    1. Personat, fizikë dhe juridikë, subjekte të taksës vendore mbi biznesin e vogël, sipas kuptimit të nenit 10, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të cilët realizojnë një qarkullim vjetor, jo më shumë se 8 000 000 lekë dhe jo më pak se 2 000 000 lekë, janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale.

    2. Të ardhurat, gjithsej, nga veprimtaria e biznesit të vogël nënkuptojnë çdo lloj të ardhure, të realizuar gjatë periudhës tatimore, dhe përfshijnë, pa u kufizuar vetëm në to: të ardhurat e realizuara nga furnizimi i mallrave dhe shërbimeve, të ardhurat nga pjesëmarrjet, të ardhurat nga interesat, të ardhurat nga shfrytëzimi i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, etj.

    Neni 12/1

    Shkalla tatimore

    Shkalla tatimore e aplikueshme mbi të ardhurat e tatueshme të bizneseve të vogla, subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale, është 10 (dhjetë) për qind.

    Neni 12/2

    Shpenzimet e njohura

    Për efekt të përcaktimit të së ardhurës së tatueshme, subjekteve të taksës vendore të biznesit të vogël do t’u njihen si një shpenzim i njohur nga të ardhurat, gjithsej, të gjitha shpenzimet, e kryera ose të lindura, gjatë periudhës tatimore, që janë tërësisht të lidhura me qëllimin e biznesit.

    Neni 12/3

    Shpenzimet e panjohura

    1. Për efekt të përcaktimit të së ardhurës së tatueshme, nuk njihen si shpenzim i njohur shpenzimet e mëposhtme :

    a) Kostoja e blerjes dhe e përmirësimit të tokës dhe të truallit;

    b) Kostoja e blerjes, përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të veprimtarisë, të cilat amortizohen, në përputhje me nenin 22, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar;

    c) Vlera e shpërblimeve në natyrë;

    ç) Kontributet vullnetare të pensioneve;

    d) Interesat e papaguara, të cilat tejkalojnë normën mesatare të interesit 12-mujor të kredisë, për tregun bankar, sipas publikimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë;

    dh) Gjobat, kamatëvonesat dhe kushtet e tjera penale;

    e) Krijimi ose rritja e rezervave dhe e fondeve të tjera, speciale, përveç rasteve të parashikuara në ligj apo në akte nënligjore;

    ë) Tatimi mbi të ardhurat personale dhe ato nga biznesi;

    f) Shpenzimet për përfaqësim dhe për pritje-përcjellje, të cilët e tejkalojnë shumën 0,3 për qind të qarkullimit vjetor;

    g) Shpenzimet e konsumit personal, të përcaktuara me udhëzim të ministrit të Financave;

    gj) Shpenzimet, të cilat tejkalojnë kufijtë e përcaktuar me ligj apo me akte nënligjore. Për kufijtë e përcaktuar për qëllime tatimore në ligjin nr.7892, datë 21.11.1994, “Për sponsorizimet”, nuk njihen si shpenzime të njohura shumat e sponsorizuara, që tejkalojnë masën 3 për qind të fitimit para tatimit dhe shuma e sponsorizuar për botuesit e shtypit, e cila tejkalon masën 5 për qind të fitimit para tatimit;

    h) Shpenzimet për dhurata;

    i) Çdo shpenzim, masa e të cilit nuk vërtetohet me dokumente nga tatimpaguesi;

    j) Shpenzimet për shërbime teknike, konsulence dhe të menaxhimit, të faturave nga persona të tretë, por të palikuiduara brenda periudhës tatimore nga tatimpaguesi;

    k) Humbjet, dëmtimet, firot dhe skarcot, gjatë prodhimit, tranzitimit dhe magazinimit, tej normave të përcaktuara në akte të veçanta, ligjore dhe nënligjore;

    l) Shpenzimet për pagat, shpërblime dhe çdo formë tjetër të të ardhurave personale, të cilat lidhen me të ardhurat me marrëdhëniet me punësimin, që u janë paguar të punësuarve, përfshirë dhe administratorët, pa kaluar nëpërmjet sistemit bankar. Rastet e përjashtimit nga ky rregull janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

    ll) Shumat e paguara në cash, mbi kufijtë e përcaktuar në nenin 36/1, të ligjit nr.8560, datë 22.12.1999, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Rastet e përjashtimit nga ky rregull janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;

    m) Nëse gjatë periudhës tatimore, huaja dhe parapagimi tejkalojnë mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta, interesi i paguar për shumën e tejkaluar nuk njihet si shpenzim i zbritshëm;

    n) Borxhi i keq, nëse nuk plotësohen tri kushtet e përcaktuara në nenin 24, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Një borxh i keq, që është mbledhur, duhet të përfshihet si e ardhur në çastin e mbledhjes;

    nj) Shpenzimet për udhëtime, ushqim, akomodim dhe lëvizje duhet të kufizohen te shumat e specifikuara me udhëzim të ministrit të Financave;

    o) Shpenzimet për asetet kapitale, përveç shpenzimeve për tokën, veprat e artit dhe pasuri të tjera, që nuk amortizohen, në pronësi të taksapaguesit dhe të përdorura për veprimtaritë e biznesit të taksapaguesit, do të mbulohen, gjatë kohës, përmes shpenzimeve të amortizimit, sipas përcaktimeve të mëposhtme.

    i) Kostot e blerjes ose ndërtimit, kostot e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave, të konstruksioneve dhe makinerive e pajisjeve, me afat të gjatë shërbimi, amortizohen veçmas, në mënyrë lineare, me 5 për qind;

    ii) Amortizimi për kostot e blerjes së aktiveve të patrupëzuara llogaritet veç për secilin aktiv, sipas metodës lineare, në masën 15 për qind;

    iii) Kompjuterat, sistemet e informacionit, produktet “software” dhe pajisjet e ruajtjes së të dhënave amortizohen në bazë të vlerës së grupit, me 25 për qind;

    iv) Të gjitha aktivet e tjera të veprimtarisë, me 20 për qind.

    2. Baza e amortizimit të jetë vlera kontabël e kategorisë së regjistruar në bilancin e hapjes së periudhës tatimore, duke i shtuar koston e blerjes apo të krijimit të aktivit dhe koston e përmirësimit, rinovimit dhe rikonstruksionit të aktiveve të kategorisë, gjatë periudhës tatimore, dhe duke i zbritur çmimin e shitjes së aktiveve dhe kompensimet e marra për humbjen e aktiveve, për shkak të forcave të tjera madhore ose të shndërrimeve të tjera, të pavullnetshme, gjatë periudhës tatimore. Në rastin kur baza e amortizimit është një shumë negative, kjo shumë i shtohet të ardhurës së tatueshme dhe baza e amortizimit merret zero. Në rastin kur baza e amortizimit nuk kalon 5 000 lekë, e gjithë baza e amortizimit të jetë një shpenzim i zbritshëm i veprimtarisë. Në rastin kur bëhet rivlerësim i aktiveve të veprimtarisë nuk lejohet të llogaritet amortizimi për shumën e rivlerësuar.

    Neni 12/4

    Mbajtja regjistrimeve

    Librat dhe regjistrimet, që kërkohet të mbahen nga tatimpaguesit, janë : libri i shitjes (i qarkullimit), libri i blerjeve, libri i shpenzimeve dhe i të ardhurave dhe libri i aktiveve të biznesit, të cilat do të përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji.

    Neni 12/5

    Kreditimi i tatimit

    Taksa vendore mbi biznesin e vogël, e paguar gjatë vitit, pranë organeve të qeverisjes vendore, është e kreditueshme (e zbritshme) përkundrejt tatimit për t’u paguar, të llogaritur si shumëzim i të ardhurës së tatueshme, në deklaratën tatimore, vjetore, me shkallën tatimore.

    Neni 12/6

    Deklarimi

    1. Çdo tatimpagues, subjekt i tatimit mbi të adhurat personale, sipas përcaktimit të dhënë në nenin 1, të këtij ligji, është i detyruar që, deri më 31 mars të vitit, që pason periudhën tatimore, të dorëzojë një deklaratë vjetore tatimore, ku të jepen hollësisht të ardhurat, gjithsej, shpenzimet e zbritshme, e ardhura e tatueshme, tatimi për t’u paguar, taksa vendore, e paguar gjatë periudhës tatimore pranë organeve të qeverisjes vendore, çdo shumë për t’u paguar apo për t’u rimbursuar, si dhe çdo hollësi tjetër e kërkuar nga ministri i Financave në udhëzimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës tatimore vjetore. Deklarata dorëzohet në bankat me të cilat administrata tatimore ka marrëveshje për pranimin e deklaratave dhe të pagesave, dhe ajo shoqërohet me çdo kërkesë për rimbursim apo me çdo shumë për t’u paguar.

    2. Tatimi, i llogaritur në bazë të deklaratës vjetore tatimore, pakësuar me kreditimin e tatimit, përcaktuar në nenin 12/5, të këtij ligji, paguhet nga taimpaguesi në llogarinë e organeve tatimore, në çastin e paraqitjes së deklaratës vjetore tatimore.”.

    Neni 3

    Në pikën 1, të nenit 21, shkronja “o” shfuqizohet.

    Neni 4

    Bartja e humbjeve, inventari, çështjet, që lidhen me kundërvajtjet administrative, penalitetet dhe ankimimin, bëhen sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar.

    Neni 5

    Hyrja në fuqi

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2008.

    K R Y E T A R I

    • gene
    • Posted November 22, 2007 at 6:42 pm
    • Permalink

    dmth, nje shpk biznes i vogel

    parapaguan tek bashkia sipas ligjit aktual. (3-400 mije minimale vjetore, rreth 1.8mln mesatare sipas kategorise )
    ne fund (mars te vitit te ardhshem) paguan apo pretendon kusurin tek “tatimet”
    paguan tek “tatimet” edhe ate qe i takon per te punesuarit dhe per dividentin (ne rast se eshte marre vendim per shperndarje).

    Nga biznesi i madh i bie te ndryshoje niveli i parapagimit (4.5 mln), TVSH (kjo ka interes nese, zakonisht, cmimi i shitjes eshte me teper se 2 fishi i cmimit “te blerjes” dhe pa harruar vleren e tvsh te investimeve – egziston mundesia per te qene biznes i vogel subjekt i TVSH), procedurat burokratike.

    Ne fund te fundit, mendoj se nuk ka me interes regjistrimi si biznes i vogel nese nuk je “thjesht” biznes sherbimesh.

    Ne thelb me pelqen kjo pune megjithese burokracite jane te teperta.

    • gene
    • Posted February 12, 2009 at 4:38 pm
    • Permalink

    ajo qe nuk shkon eshte numri referues i te punesuarve per bizneset e vogla. Gjithsesi, pas gafes se kryeministrise, ministria e financave, ne udhezimin zbatues te vendimit, parashikon shmangjen e ketij detyrimi nepermjet nje kontrolli paraprak te administrates tatimore mbi procesin teklogjik te kerkuesit (parkatikisht vjen tatimori ne biznes dhe verifikon nese ti e ben dot me dy vete ate qe vendimi parashikonte me 3 vete)


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: