Skip navigation

Bilanci i Ministrisë së Mjedisit: Ja sipërfaqet e pyjeve te djegura

Shaban Sulçe
Numri i zjarreve dhe sipërfaqeve të djegura në pyjet shqiptare gjatë këtij viti ka qenë dhjetë herë më i madh në krahasim me dy vjet më parë. Bilanci negativ është pohuar nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit, të cilët tashmë po bëjnë përllogaritjet përfundimtare të dëmeve që shkaktoi katastrofa e zjarreve e kësaj vere. Nëse në vitin 2005 numri i zjarreve të rëna në pyje mesatarisht arrinte shifrën 174 dhe sipërfaqja e pyjeve të djegura 1040 hektarë, dy vjet më pas këto shifra janë dhjetëfishuar: numri i zjarreve të rëna në pyje kap shifrën 1036, ndërsa sipërfaqja pyjore e djegur është 13200 hektarë. Ndërsa situata e zjarreve është duke u përmirësuar disi si rezultat i ndërhyrjeve të strukturave të angazhuara, por edhe për shkak të uljes së temperaturave, bilancet paraprake tregojnë se të gjitha rrethet e territorit të vendit kanë pësuar zjarre dhe dëmtime të sipërfaqeve pyjore që ndodhen në to. Në këtë aspekt më i dëmtuari mbetet rrethi i Dibrës, ku sipërfaqja e pyjeve të djegura arrin në 372 hektarë. Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në djegien e sipërfaqeve të kullotave ku në rrethin e Tropojës janë kthyer tashme në djerrë 1200 hektarë kullota. Gazeta “Albania” boton dokumentin ekskluziv të siguruar nga burime pranë Ministrisë së Mjedisit, i cili bën fjalë për bilancin paraprak të dëmeve të shkaktuara nga situata e pazakontë e zjarreve në Shqipëri gjatë kësaj vere.

Veriu më shumë raste zjarresh

Veriu i vendit duket se e ka vuajtur më shumë rënien e zjarreve në hapësirat pyjore. Sipas të dhënave paraprake, rrethi i Pukës është më problematiku, pasi në të numërohen rreth 74 raste zjarresh në pyje. Por mbrapa nuk mbeten as rrethe të tjera si Dibra (68 raste), Kukësi (34 raste), Malësi e Madhe (45), Mirditë (39), Bulqizë (41) dhe Tropojë 48 raste zjarresh në pyje. Një numër jo i vogël i zjarreve është shënuar edhe në rrethin e Tiranës, plot 31 raste, ndërkohë që në pjesën jugore të vendit, rekordin negativ e mban rrethi i Gjirokastrës me 29 raste zjarresh, pasuar nga Vlora 22 raste, Tepelena 16 dhe Saranda së bashku me Pogradecin 14 raste. Një numër i konsiderueshëm zjarresh janë shënuar edhe në pyjet e rretheve Lezhë (32 raste), Librazhd (32), Korçë 12 dhe Kolonjë 11.
Më të pakta kanë qenë rastet e zjarreve në kullota, ku deri tani janë shënuar 12 raste në rrethin e Tropojës, 7 në Delvinë, 5 në Berat, 4 në Skrapar etj. Ndërkohë, në rrethin e Mallakastrës dhe në atë të Kuçovës nuk është regjistruar asnjë rast zjarri në hapësirat pyjore. Në total sipas përgjegjësit të sektorit të Policisë Pyjore në Ministrinë e Mjedisit, Agron Gaxho, numri i zjarreve të rëna gjatë kësaj vere ka arritur në shifrën 1036 raste, nga të cilat 980 në pyje dhe 56 në kullota.

Sipërfaqet e djegura

Rrethi i Dibrës, përsa i përket numrit të zjarreve klasifikohet në krye të renditjes. Sipas bilancit të nxjerrë nga përfaqësuesit e Policisë Pyjore, rezulton se në këtë rreth është shënuar edhe dëmi më i madh, ku janë djegur 372 hektarë pyje. Bilanc negativ kanë shënuar edhe rrethet Korçë dhe Kolonjë, pavarësisht numrit të pakët të zjarreve të rëna. Në rrethin e Korçës janë djegur 340 hektarë pyje, ndërsa në atë të Kolonjës 310 hektarë. Djegie të sipërfaqeve të konsiderueshme të pyjeve janë shënuar edhe në rrethet Kukës (335 hektarë), Malësi e Madhe (125 ha), Pogradec (130 hektarë), Pukë (151 hektarë) dhe Shkodër 105 hektarë. Bilanci nuk ka qenë aspak pozitiv edhe për rrethe të tilla si Bulqiza 64 hektarë pyje të djegura, Gramshi 24 hektarë, Hasi (43.9 ha), Lezha (30.1 ha), Mati (27.2 ha), Mirdita (70 ha), Skrapari (87 ha), Tropoja (80 ha) dhe Vlora (88.5 ha). Dëme janë shënuar edhe në djegien e kullotave, ku vetëm në rrethin e Delvinës janë djegur 539 hektarë kullota, në Dibër 145 hektarë, në Kukës 375 hektarë kullota të djegura, Sarandë 500 hektarë, Tepelenë 315 dhe në Tropojë 1200 hektarë kullota. Ndërkohë, përgjegjësi i sektorit të Policisë Pyjore, Agron Gaxho, dy ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Albania”, deklaroi bilancin paraprak, në të cilën bëhej fjalë se në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë janë regjistruar “13200 hektarë pyje të djegura, nga të cilat 1100 ha kanë qenë pyje të larta, 3050 pyje të ulëta e shkurre, si dhe 4500 hektarë kullota”.

Dëmet financiare

Në fakt ende nuk ka një të dhënë përfundimtare për dëmet që janë shkaktuar nga zjarret në pyjet dhe në kullota. Llogaritjet paraprake bëjnë fjalë për një dëm prej 880 milionë lekësh, por sipas përgjegjësit të Policisë Pyjore në Ministrinë e Mjedisit, Agron Gaxho, kjo shifër do të jetë disa herë më e madhe pas kryerjes së bilancit përfundimtar. “Nga të dhënat e para dëmi financiar i shkaktuar përllogaritet në shumën e 882 milionë lekëve, por kjo shumë pritet të jetë edhe më e madhe, pasi janë analizuar vetëm të dhënat paraprake, ndërkohë që shuma përfundimtare do të nxirret pas fikjes së të gjitha zjarreve dhe kryerjes së bilancit përfundimtar”, – ka deklaruar Gaxho. Ndërkohë, nga të dhënat që ofrohen në tabelën e mëposhtme rezulton se dëmet më të mëdha financiare si rezultat i zjarreve në pyje dhe në kullota janë shkaktuar në rrethin e Shkodrës. Dëme të mëdha financiare janë shkaktuar edhe në rrethet Korçë, Berat, Dibër, Kukës, Mirditë, Pukë, Tropojë dhe Vlorë. Për fikjen e zjarreve, qeveria akordoi një fond, që do të përdorej nga strukturat e posaçme që do të angazhoheshin në këtë drejtim. Në pasqyrën e përgatitur nga ekspertët e Ministrisë rezulton se për rrethet Delvinë, Devoll, Kolonjë, Korçë, Kukës, Librazhd, Pogradec dhe Shkodër janë nevojitur shpenzime më të mëdha në operacionet për fikjen e vatrave të zjarrit.

Shkaqet

Nga të dhënat e deritanishme rezulton se tre janë shkaqet kryesore të rënieve të zjarreve në sipërfaqet pyjore. Së pari shkaqet e qëllimshme. Këto janë shkaktuar si rezultat i konflikteve të pronësisë, trajtimit tradicional të sipërfaqeve bujqësore e kullotave me anë të djegieve, si rezultat i reagimeve ndaj vendimeve që merr Policia Pyjore në mbrojtje të pasurisë pyjore dhe në zbatim të legjislacionit përkatës. Shkaku i dytë është i lidhur me neglizhencën, ku zjarret janë shkaktuar nga pakujdesia e barinjve apo udhëtarëve, të cilët kanë hedhur bishta cigaresh apo kanë harruar të shuajnë zjarret e vogla që kanë ndezur gjatë qëndrimit në pyll. Ndërsa kategoria e tretë e këtyre shkaqeve është e lidhur me shkaqet aksidentale.

Shkurt, situata e zjarreve
Rrezikohet jeta e zjarrfikësve, digjen 60 hektarë kullota në Vlorë

VLORË – Një zjarr i madh ka rënë dje në mesditë rreth orës 15 në fshatin Peshkëpi, duke djegur rreth 60 hektarë kullota si dhe disa pemë e frutore të ndryshme, ndërkohë që flakët e mëdha kanë rrezikuar dhe disa punonjës të repartit zjarrfikës, të cilët janë rrethuar nga flakët e shumta që u përhapën si pasojë dhe të erës së fortë që favorizoi zjarrin në përhapjen e shpejtë. Në drejtim të zonës kanë mbërritur për të dhënë ndihmën e shpejtë banorët e fshatit si dhe një ambulancë e ardhur nga Selenica. Pesë punonjësit zjarrfikës kanë pasur mungesë oksigjeni, duke rrezikuar vdekjen nga asfiksia. Menjëherë është njoftuar stacioni zjarrfikës i Vlorës, i cili ka dërguar në fshatin Peshkëpi rreth 35 efektiva të saj si dhe 3 mjete zjarrfikëse. Po ashtu, janë angazhuar edhe rreth 40 banorë të fshatit Peshkëpi. Flakët janë afruar në një distancë deri në 5 metra me shtëpitë e banimit. Pas rreth 4 orë luftë është bërë e mundur shuarja e flakëve. Prej disa ditësh janë konstatuar shumë vatra zjarri, të cilat, sipas burimeve policore, janë vënë qëllimisht nga banorët e zonës për efekt të krijimit të tokave të reja. Policia po punon për kapjen e autorëve.

E.M

Tabela

Rrethet Numri i zjarreve Sipërfaqja e djegur Vlera e dëmit Fonde
Pyje Kullota Pyje Kullota 000/lek të harxhuara

Berat 7 5 22.9 92.4 14945.5 205.59

Bulqizë 41 64 12974 620

Delvinë 4 7 21 539 644 373.2

Devoll 8 14.5

Dibër 68 372 145 192567 1228.86

Durrës 5 1.024

Elbasan 4 1.5 342 61.552

Fier 6 4.1 2.038 65.8

Gramsh 11 24 602 270

Gjirokastër 29 6.5 25 5.375 450

Has 26 2 43.9 41 238 263

Kavajë 5 12.1 1000 72.3

Kolonjë 11 310 5106 500

Korçë 12 1 340 4.5 200000 200

Krujë 5

Kuçovë

Kukës 34 335 375 179104 1135

Kurbin 3 1.5 1575 150

Lezhë 32 30.1 83 9159 675

Librazhd 32 20 500 411.5

Lushnjë 4 1.4 172 60

M. Madhe 45 125 93 9800 700

Mallakastër

Mat 18 27.2 9054 1534

Mirditë 39 70 11160 1147

Peqin 2 5 134 31

Përmet 3 9.5 1205 150

Pogradec 14 130 4400 340

Pukë 74 151 93372 2344.455

Sarandë 14 10 500 500 100

Skrapar 8 4 87 9317 80

Shkodër 20 105 1500000 1500

Tepelenë 16 3 85.8 315 6240 500

Tiranë 31 21.6 405 497.311

Tropojë 48 12 80 1200 11192 706

Vlorë 22 88.5 76 1072.5 645

Totali: 701 34 2620.1 3488.9 2276787.413 17017.942

Dhjetëra shtëpi në rrezik nga zjarret në Ishëm

DURRËS – Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë prej paradites së të martës kodrën e fshatit Draç, rreth 40 km në veri të qytetit të Durrësit, duke rrezikuar dhjetëra banesa që ndodhen aty pranë. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se “dhjetëra forca të policisë si dhe mjete e forca zjarrfikëse ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për lokalizimin e flakëve”. Sipas burimeve nga vendngjarja, zjarri, që ndihmohet edhe nga era e fortë, po rrezikon ende disa banesa të fshatarëve të kësaj zone të komunës së Ishmit. Kjo zonë ndodhet shumë pranë detit, në zonën e Shën Pjetrit, gjë që ka ndikuar në erërat e shumta që fryjnë në këtë periudhë. “Banorët janë bashkuar me forcat zjarrfikëse për shuarjen e flakëve”, – thanë burimet. Vetëm gjatë katër ditëve të fundit flakët e zjarreve kanë dëmtuar 25 ha vreshta në Jubë, si dhe dhjetëra rrënjë ullinj në komunën e Manzës.

M. B

Denoncohet endacaku, dyshohet për vënie zjarresh

BERAT- Vërtitja për disa ditë me radhë nëpër qytetin e Beratit e një endacaku ka ngjallur dyshime tek banorët vendas, të cilët më pas e kanë denoncuar si zjarrvënës në polici. Burimet e komisariatit të qytetit bëjnë të ditur se dje është ndaluar shtetasi Shpëtim Lutemuça, banor i qytetit të Elbasanit, pasi dyshohet se është autor i vënies së tre zjarreve në Kodrat e Kalasë. Pas ndalimit të 25-vjeçarit mëngjesin e djeshëm, endacak, atij i janë gjetur shkrepëse dhe çakmakë në xhep, por ende nuk kanë asnjë fakt konkret ndaj tij. Ndërsa vetë Lutemuça është shprehur për ekspertët hetimorë se nuk kishte asnjë lidhje me vënien e zjarreve, por ishte endur nëpër lagje për të lypur. Ndërkohë që policia po vazhdon hetimet për të zbuluar nëse endacaku 25-vjeçar është “piroman”, ashtu siç dyshojnë banorët e qytetit, apo jo.

E. P

Shkrumbohet banesa, dyshime te shkëndija elektrike

TROPOJË – Dora e njeriut, apo shkëndija elektrike? Kjo është dilema që ka ngjallur djegia e një banese mbrëmjen e së hënës. Ka qenë ora 22:00 kur një zjarr i menjëhershëm ka përfshirë banesën e shtetasit Ndue Frroku në fshatin Cërnicë, e cili ndodhet 10 kilometra larg qytetit të Bajram Currit. Menjëherë ka shkuar zjarrfikësja dhe disa forca policie për shuarjen e zjarrit, i cili është bërë vetëm pasi është djegur më shumë se gjysma e shtëpisë. Burimet e policisë thanë se dëmtime në njerëz nuk ka pasur, por vetëm dëme materiale. Shkaku i rënies së zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike në rrjetin shpërndarës të shtëpisë. Në qarkun e Kukësit, në harkun kohor të 24 orëve të fundit, ky është rasti i dytë djegies së banesave. Dy ditë më parë zjarri dogji plotësisht banesën dykatëshe me katër dhoma të Hajdar Jakut në Nikoliq të Hasit.

5 Shtator 2007

gazeta ALBANIA

About these ads

One Comment

    • gene
    • Posted September 11, 2007 at 10:46 am
    • Permalink

    Mafia e pyjeve, miliona lekë nga tokat e shkrumbuara

    Roland Beqiraj

    Skema se si iu vunë zjarret në mënyrë të qëllimshme maleve të Gërmenjit në qarkun e Korçës dhe biznesi i ri i shitjes së lëndës drusore që pritet të sjellë fitime të mëdha

    KORÇË – Llogaritë e dëmeve të pyjeve në qarkun e Korçës janë miliona dollarë, ende e pallogaritur saktësisht, ndërsa sipërfaqja e pyjeve të djegura i ka kaluar mbi 900 hektarët. Në të gjithë këtë periudhë, opinioni u gjend përballë një paradoksi: nga njëra anë në të gjitha prononcimet, zyrtarët e emergjencave civile, të pushtetit vendor, si dhe Drejtoria e Pyjeve, kanë deklaruar se zjarrvëniet janë të qëllimshme. Nga ana tjetër, fajtorë të vetëm të kësaj masakre u gjendën dy minorenë nga një fshat i thellë malor i rrethit të Kolonjës, të cilët, duke ruajtur bagëtitë, kishin ndezur një zjarr që shumë shpejt u doli nga kontrolli. Dhe kur ende nuk ishin izoluar të 43 vatrat e zjarrit, ”grupe të ndryshme interesi” filluan lëvizjen e fundit. Kërkojnë shfrytëzimin e lëndës së djegur dhe asaj të përshkuar për t’i blerë. Kuptohet që pjesëmarrja nëpër tendera të ndryshme me pretekstin që të pastrohet pylli ka leverdinë e madhe ekonomike, të blerjes së mallit me një çmim qesharak dhe hedhja e këtij malli në treg, në këtë rast dru. Por deri në mbërritjen e këtij momenti, këto “grupe interesi” ndoqën me vëmendje përfundimin e fazës së parë, sipas një skenari të mirorganizuar.
    Zjarrvënia, skenari më i mundshëm
    Megjithëse nuk ka nisur asnjë hetim serioz lidhur me zjarrvënien e qëllimshme, autorë të grupeve të ndryshme të organit të akuzës dhe të policisë bëjnë të ditur se zjarrvënia nuk ka si motiv parësor konfliktet e ndryshme të pronësisë apo të kalimit të pyjeve nga pronë shtetërore në pronë private. Burime të ndryshme bëjnë të ditur se e gjithë kjo masakër u krye sipas një skenari të mirorganizuar. Dhe shembujt për këtë janë të shumtë. Një drejtues i lartë i ushtrisë, pjesëmarrës në fikjen e zjarreve, tregon: “Sapo ushtarët izoluan një vatër zjarri, duke krijuar një brez toke që të mos kalonte zjarri në pllajën tjetër të pyjeve të Selenicës në Kolonjë, mbërrin lajmi se në fund të pllajës që ne do të ruanim nga përhapja e flakëve sapo ishte vendosur zjarri nga një dorë e specializuar”. Dhe raste të tilla janë aq të shumta saqë u bë e mundur të shkrumbohej e gjithë kjo sipërfaqe pyjesh. Rast tjetër domethënës është edhe fakti se në të gjitha vatrat e zjarrit ku kanë shkuar reporterët nuk është gjetur asnjë drejtues vendor apo banorë të komunitetit, por vetëm ushtarë. Jashtë kamerave dhe diktofonëve, ushtarët tregonin se drejtuesit vendorë të komunave vetëm u tregonin rrugën, madje kishte edhe nga ata që i linin në mes të pyllit duke mos bërë as detyrën e udhërrëfyesit dhe largoheshin duke lënë 40 ushtarë të përlesheshin me flakët. Madje, siç tregojnë vetë ushtarët, cinizmi i drejtuesve vendorë mbërrinte deri atje saqë ushtarëve me qindra kilometra larg repartit nuk u çonin asnjë shishe me ujë. Pra, pa më të voglën mëdyshje, rrjedhojat logjike të bëjnë jo vetëm të mendosh, por edhe të besosh se në këtë rast kemi një skenar të mirorganizuar nga mafia e shfrytëzimit të lëndës drusore për dru zjarri dhe ndërtim. Dhe ky “grup interesi kriminal” nuk mund t’i realizonte synimet nëse nuk kishte bashkëpunëtorët e saj jo vetëm në pushtetin vendor, por edhe në Drejtorinë e Pyjeve.
    Drejtoria e Pyjeve, neglizhencë penale për këtë masakër
    Drejtoria e Pyjeve tregoi jo vetëm paaftësinë në menaxhimin e një situate anormale që i ndodhi pyjeve, por edhe një neglizhencë totale që është për t’u mbajtur mend dhe për t’u përdorur në vitet e ardhshme si shembulli i së keqes. Gjatë gjithë kësaj vere që ndodhi masakra e pyjeve, asnjë polic pyjor, i njohur ndryshe në gjuhën e popullit “pojak” apo rojtar pylli, nuk ka zënë asnjë keqbërës. Por ajo që të bën të dyshosh në statusin e tyre është edhe fakti, që, siç u shpreh një hetues, asnjë nga policia pyjore nuk pranon të dëshmojë realisht atë që di, por dëshmitë e tyre janë pa vlerë. Por ajo që është më e keqe, një pozicion të tillë mbajnë edhe drejtuesit e drejtorive pyjore në qarkun e Korçës. Mjafton të përmendim një takim që Prefektja e Korçës, Elfrida Zefi, organizoi me këta drejtues. Të gjithë këta drejtues kur raportonin për situatën e rënduar, raportonin si disa burokratë të paaftë që gjithçka e shohin nga zyrat me kondicionerë. Irritimi i Zefit me të drejtë ishte aq i madh saqë kaloi në akuza direkte duke i akuzuar jo vetëm për neglizhencën, por edhe si bashkëpunëtorë me persona të interesuar. Ka ndodhur shpesh, – tha Zefi, – që të gjitha aksionet e policisë kanë rezultuar të suksesshme kur nuk kanë pasur me vete njerëz të policisë pyjore apo kur Drejtoria e Pyjeve nuk ka qenë në dijeni. Por tashmë që gjithçka u kall në flakë, organet shtetërore merren vetëm me bilancet.Vetëm një ditë më pare, Ministria e Mjedisit ka nxjerrë një faturë të përafërt prej 8 milionë usd dëme, shifër që ka nevojë të ballafaqohet me të dhëna të tjera alternative. Ndërkohë, në Ministrinë e Mjedisit kanë mbërritur letrat e para të këtyre “grupeve të interesit”, që duan të çelet sa më parë tenderi për shfrytëzimin e sipërfaqes së pyjeve të djegura.
    Sasia e lëndës drusore do të blihet lirë dhe do të shitet shtrenjtë
    Shenjat e para të një skenari të plotësuar për shkretimin e një sipërfaqeje gjigante me pyje janë dhënë kur ende flakët mbërrinin qiellin. Ndërkohë që ishin izoluar vatrat e zjarrit në pyllin e Germenjit dhe gjithë vëmendja ishte përqendruar në pyjet e Ballabanovës dhe Moravës, në kabinetin e ministrit të Mjedisit mbërritën letrat e para për shfrytëzimin e lëndës drusore në pyllin e Gërmenjit. Madje, këto pyje kanë filluar të shiten në rrugë klandestine për dru zjarri. Pavarësisht se grumbulluesit e kësaj lënde mund ta kenë blerë shumë lirë, madje thonë me një çmim të papërfillshëm, çmimi i një metri kub dru nuk ka ndryshuar, por ka tendencë rritjeje nga 2100 në 2500 dhe më tepër për metër kub. Por duket se e gjithë vëmendja është përqendruar te lënda drusore që përdoret për ndërtim. Specialistët shprehen se një lëndë e tillë, e pyjeve që janë përshkuar nga zjarri, është shumë më e mirë, pasi nuk ka përmbajtje uji, por edhe çmimi është më i ulët pasi do të klasifikohet si e dëmtuar. Ky ka qenë edhe synimi fillestar i kësaj masakre, që ka nevojë për një hetim të hollësishëm, por, për të mos luajtur rolin e një skeptiku të pandreqshëm ka pak gjasa të ndodhë dhe është për t’u kaluar si shumë ngjarje të rënda që kanë ndodhur në këtë vend.

    10 Shtator 2007

    gazeta albania


One Trackback/Pingback

  1. [...] Shkrumb e hi! « Gazeta e vogel Rrezikohet jeta e zjarrfikësve, digjen 60 hektarë kullota në Vlorë … Vetëm gjatë katër ditëve të fundit flakët e zjarreve kanë dëmtuar 25 ha vreshta në Jubë, si dhe dhjetëra rrënjë ullinj në komunën e Manzës. … Megjithëse nuk ka nisur asnjë hetim serioz lidhur me zjarrvënien e qëllimshme, autorë të grupeve të ndryshme të organit të akuzës dhe të policisë bëjnë të ditur se zjarrvënia nuk ka si motiv parësor konfliktet e ndryshme të pronësisë apo të kalimit të pyjeve nga pronë shtetërore … http://gazetaevogel.wordpress.com/ — Thu, 06 Sep 2007 02:47:21 -0700 *{margin:0; padding:0;} ul{ list-style:none;} #socialbuttonnav {width:90%; overflow:hidden;margin:0 auto;} #socialbuttonnav li{background:none;overflow:hidden;width:65px; height:80px; line-height:30px; margin-right:2px; float:left; text-align:center;} #fb { text-align:center;border:none; } #fb iframe {text-align: center;float:left; } [...]

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: